Inspektimi Financiar, zbulon shkelje të mëdha tek inceneratorët

286
Sigal

Pagesa jashtë kalendarit, paradhënie TVSH-je dhe mospagesa taksash janë evidentuar gjatë hetimit të kontratave të inceneratorëve të Elbasanit,Fierit dhe Tiranës. Ministrat e implikuar , kostot e pallogaritura dhe shtesat aneks-kontratave që favorizojnë oligarkët e inceneratorëve

Pagesa jashtë kalendarit, paradhënie TVSH-je dhe mospagesë taksash

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e AK(autoritetit kontraktor), nuk dokumenton që nëpërmjet strukturave përgjegjëse të saj të ketë kryer/ndjekur/monitoruar përmbushjen e detyrimeve të shoqërisë koncesionare, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Inspektimi Financiar ka evidentuar pasaktësi dhe pagesa jashtë kontratave të Inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.  Gjithashtu kompanitë kanë fituar me tender shumë herë më të lartë nga oferta duke i shkaktuar shtetit dëm ekonomik

Inceneratorët janë bërë pjesë e raportit vjetor të Drejtorisë së Inspektimit Financiar Publik, ku dy prej tyre, ai i Fierit dhe Elbasanit, rezultojnë se janë gjendur në shkelje dhe bashkë me to edhe institucionet shtetërore.

Këto të fundit kanë bërë pagesa jashtë programit, paradhënie TVSH-je apo shkelje të tjera.

Konkretisht, sa i takon inceneratorit të Fierit raporti vlerëson se Ministria e Mjedisit e asaj kohe, që ishte dhe autoriteti kontraktor nuk ka përllogaritur kosto shpronësimi të truallit privat.

“Këto kosto nuk dokumentohet të jenë pjesë e analizës ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit”, -thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se nga ana e ish-Ministrisë së Mjedisit, e më tej nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e AK (për periudhat respektive), dokumentohet që nga ana e Drejtorisë së Financës/Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria e Menaxhimit Financiar dhe Buxhetit/MIE, është paguar paradhënie TVSH-ja, për periudhën Prill 2017 -Dhjetor 2017, për 9 këste mujore/periudha, në vlerën 94 096 278 lekë, pagesë kjo në kundërshtim me grafikun/skedulin e kësteve për likuidimet sipas Aneksit V të kontratës koncesionare.

Po kështu Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e AK(autoritetit kontraktor), nuk dokumenton që nëpërmjet strukturave përgjegjëse të saj të ketë kryer/ndjekur/monitoruar përmbushjen e detyrimeve të shoqërisë koncesionare, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Shoqëria koncesionare nga ana tjetër nuk ka zbatuar kërkesat ligjore që rrjedhin nga ligji për taksat vendore, ajo e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe as nga TVSH-ja.

Sa i takon inceneratorit të Elbasanit Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik ka konstatuar se kemi të bëjmë me një draft-kontratë, që nuk ka marrë formën e një akti juridik, pra nuk është kthyer në kontratë përfundimtare

“Aneksi A, i cili përcakton grafikun e punimeve (pranuar nga ana e AK, në gjuhë të huaj (version italisht), në kundërshtim me Kushtetutën e R.SH, neni 14 1, ku përcaktohet se: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe”. Nuk dokumentohet që Aneksi B të jetë nënshkruar nga palët kontraktore, si pjesë integrale e kësaj kontrate.

AK/MM ka bërë ndryshim/aneks të kontratës kocensionare (Aneksi D). Nga AK, nuk dokumentohet të jetë marrë miratimi paraprak nga Ministria e Financave, për ndryshimin e bërë për kontratën.

Po kështu vlera e kontratës së nënshkruar nga autoriteti kontraktor është 61. 1 mijë euro më e lartë sesa vlera me të cilën është shpallur oferta fituese.

“Kanë sjellë për pasojë përfitim të padrejtë nga ana e Subjektit Koncesionar, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 66,1 mijë Euro për buxhetin e shtetit. Nga kalkulimet/përllogaritjet e kryera mbi vlerat e detajuara të kësteve dhe vlerën totale të Aneksit B, këstet mujore paraqiten në vlerën e këstit 328.126 Euro për 66 periudha mujore dhe rezultojnë në shumën totale 21.656.316 Euro, pra me një diferencë (-4684 euro) më pak së vlera totale të kësteve e paraqitur në Aneksit B, prej 21.661.000 euro”, thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se Autoriteti Kontraktor /Ministria e Mjedisit ka likuiduar dy këste financimi në avancë, në moszbatim të paragrafit “Këstet për pagesë” referuar Draft Kontratës datë 16.12.2014. ku përcaktohet se “…Këstet për pagesë janë këstet e investimit që Qeveria Shqiptare nga AK /Ministria e Mjedisit do të paguajë si mbështetje financiare nga muaji i 7 i fillimit të punimeve”.