Prof. Dr. Alqi Naqellari: Kartelet – Shkulni dhëmbët me spango. Personat përgjegjës të Urdhrit të Stomatologut, të dalin para gjykatës!

1128
Sigal

Po bëhet debat mbi Çmimet dysheme të vendosura nga Asambleja dhe Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut. Debati dhe revolta e popullit janë të drejta. Vetëm një klasë e caktuar njerëzish mund të përballojnë çmimet e vendosura, pjesa tjetër duhet të fillojë të shkulë dhëmbët me spango si në Mesjetë. Veprimi i tyre është i pajustifikuar, i dënueshëm dhe i turpshëm. Është një vendim që nuk bazohet në asnjë nen të Ligjit mbi Urdhrin e Stomatologut, por është bërë thjeshtë një abuzim i turpshëm. Këta njerëz që kërkuan të vendosin këto çmime, të bëjnë një marrëveshje të tipit Kartel, apo OIligopol të plotë, duhet të gjykohen nga Autoriteti Konkurrencës dhe nga Gjykata,  deri në shkrirjen e këtij enti, dhe rithemelimin e tij. Kjo gjë duhet bërë edhe për shoqatat dhe urdhrat e tjerë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë të tilla veprime. Qeveria nuk duhet të rijë indiferente, dhe të thotë nuk dinim gjë. Në çdo ent të tillë ka përfaqësues të qeverisë, ministrisë së arsimit, të financave apo shëndetësisë. Historitë se nuk dinim gjë janë përpjekje për shfajësime. Le t’i sqarojmë këto që theksuam.

Krijimi i Urdhrit të Stomatologut është bërë me ligjin Nr.127/2014, në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës. Synimi i krijimit të këtij Urdhri, bazuar në eksperiencën dhe Urdhrat e Stomatologëve të vendeve të tjera perëndimore, është të rritë standardet e punës, të cilësisë dhe përgjegjësisë në mbrojtje të publikut nga kequshtrimi i profesionit. Në Nenin 4 pika 1 thuhet: “Misioni i Urdhrit të Stomatologëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve në fushën e stomatologjisë dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga keq-ushtrimi i profesionit të stomatologut”. Në pikën 2 të këtij neni jepen edhe kompetencat e Urdhrit të Stomatologut.

  1. a) jep dhe heq licencën individuale të ushtrimit të profesionit;
  2. b) vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo stomatolog…
  3. c) rivlerëson periodikisht kompetencën dhe performancën profesionale të anëtarit të Urdhrit…

ç) nxit arritjen e standardeve të larta në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të…

  1. d) bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, institucione të tjera shkencore…
  2. dh) krijon dhe mban Regjistrin Themeltar të Urdhrit, i cili është i ndarë në pjesë të veçanta…
  3. e) mbron të drejtat e anëtarëve të Urdhrit, integritetin moral dhe profesional…

Në asnjë prej 7 germave nuk përmendet fjala çmim ose tarifë, por janë kompetenca në shërbim të ushtrimit të standardeve, përgjegjësisë, cilësisë dhe mbrojtjes së pacientëve.

Organet më të larta të US janë Asambleja Kombëtare që përbëhet nga anëtarët e këshillave rajonalë dhe Këshilli Kombëtar. Këshilli Kombëtar përbëhet nga 25 anëtarë, 20 anëtarë zgjidhen nga Asambleja Kombëtare, Presidenti i Urdhrit të Stomatologëve, zëvendësi i tij, një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, të caktuar nga presidenti i Urdhrit në bazë të kritereve të përcaktuara në statutin e Urdhrit. AK ka këto përgjegjësi:

  1. a) miraton strukturën e vet organizative dhe të këshillave rajonalë;
  2. b) zgjedh Presidentin e Urdhrit të Stomatologëve dhe zëvendësin e tij;
  3. c) cakton kuotizacionin dhe tarifat;

ç) administron pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhrit në nivel kombëtar, duke përcaktuar fondet në administrimin e këshillave rajonalë;

  1. d) mbikëqyr të gjithë veprimtarinë e organeve që varen prej tij; dh)mbikëqyr dhe ndërhyn në rregullimin e marrëdhënieve të punës të stomatologëve me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë;
  2. e) miraton statutin, rregulloret e Urdhrit si dhe Kodin Etik dhe Deontologjik Stomatologjik.

Shihet qartë se nuk ka të bëjë me çmimet dhe tarifat e shërbimeve stomatologjike.  Zotërinjtë përfaqësues të këtij Urdhri, presidenti i tij abuzon publikisht me përmbajtjen e pikës (c) ku thuhet se cakton kuotizacionin dhe tarifat. Sqarojmë se në këtë pikë nuk bëhet fjalë për çmimet e shërbimeve të mbushjeve të dhëmbëve apo shërbimeve të tjera, por bëhet fjalë për formën, zërat e sigurimit të buxhetit. Kjo përcaktohet qartë në Nenin 8 të këtij Ligji, Buxheti, Pika 1 germa a dhe b ku thuhet “Urdhri i Stomatologut ka buxhetin e tij, të cilin e miraton Asambleja Kombëtare dhe e administron vetë në përputhje me rregullat financiare në fuqi. Burimet financiare të Urdhrit të Stomatologut janë:

  1. a) kuotizacionet e anëtarëve;
  2. b) tarifat e regjistrimit dhe të dhënies së të drejtës individuale për ushtrimin e profesionit, vërtetime dhe dokumente të tjera, për të cilat urdhri mban evidencë zyrtare”.

Veprimi i keqinterpretimit të Ligjit është i pajustifikueshëm dhe totalisht i dënueshëm. Nëpërmjet këtij vendimi Urdhri i Stomatologut është Kthyer në Oligopol, në Kartel të plotë, të cilët për pasojat e tyre, ndaj popullit mbajnë përgjegjësi ligjore. Personat përgjegjës, përfaqësues të Urdhrit të Stomatologut duhet të dalin para gjykatës, sepse me veprimin e tyre kanë tentuar të krijojnë një strukturë të paligjshme konkurrenciale.

Presidenti i US në mediat publike, u mundua të shfajësohej duke theksuar se kjo gjë është bërë në interes të konsumatorëve, dhe se këto çmime nuk janë të detyrueshme, etj. Ata që e dëgjuan dhe e dinë mirë se çfarë janë çmimet dysheme dhe çmimet tavan, me siguri që kanë reaguar ashpër. Dua t’i them atij dhe kujtdo tjetër se vetëm çmimet tavan mbrojnë interesat e konsumatorëve nga konkurrenca e pa ndershme, ndërsa çmimet dysheme mbrojnë prodhuesit nga konkurrenca e pandershme. Të dyja këto kufij çmimesh, vendosen nga shteti me ligj, sepse konsiderohen si ndërhyrje direkt e shtetit në treg, domethënë ndërhyrje në shkallën e konkurrencës. Vetëm shteti ka të drejtë të miratojë çmime tavan dhe dysheme, ashtu siç ka bërë shpesh, dhe asnjë formë tjetër organizimi, qoftë private, OJF e brendshme apo e huaj.

Kjo Listë Çmimesh e miratuar nga Organet më të larta të US është në shkelje flagrante të Ligjit të Urdhrit të Stomatologut. Që nga fillimi i saj dhe deri në germën e fundit. Ajo ishte kryekëput antiligjore.

Në këtë Listë përcaktohen qartë çmimet për zërat e shërbimeve kryesore. Askush prej stomatologëve nuk ka të drejtë të aplikojë çmime nën këtë kufi, mbi këtë kufi mund t’i rritë çmimet sa të duan.  Aty shprehet qartë se “Për shërbimet e tjera të pa përfshira në listë dentistët janë të lirë t’i vendosin vetë çmimet’. Pra këtu u përcaktuan qartë çmimet dhe nuk ka asnjë rekomandim, rekomandimi i vetëm i çmimeve dysheme është që nuk duhet të jenë nën këtë çmim të vendosur nga Asambleja dhe Këshilli. Dhe për ta vulosur këtë veprim skandaloz dhe të ligjshëm, sipas tyre, theksojnë se “Lista e çmimeve do t’i bëhet e ditur Ministrisë së Financave të implementohet në kasat fiskale”. Nuk ka si shprehen më hapur. Çfarëdolloj justifikimi për këtë vendim të Presidentit të AK është i pajustifikueshëm, dhe plotësisht i dënueshëm.

US nuk ka tagër të delegojë kompetenca që nuk i gëzon, Asamblesë apo Këshillit. Hartimi i një liste të tillë vë para përgjegjësisë jo vetëm Presidentin e US por edhe tre përfaqësuesit e Qeverisë, të Ministrisë së Shëndetësisë, të  Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor dhe përfaqësuesin e Arsimit të Lartë. Veprimi i Ministrisë së Shëndetësisë qe normal, por tregoi se Përfaqësuesit e Qeverisë nuk shkojnë fare në mbledhje të tilla, por marrin vetëm paratë si anëtarë të Këshillave apo Bordeve drejtuese. Është e njëjta gjë që ndodh edhe në institucionet e tjera, ku përfaqësuesit e qeverisë, përcjellin vendimet dhe marrin paratë për “pjesëmarrje”. Kjo tregoi se Ministritë janë larg realitetit, nuk dinë se çfarë bëhet në teren, nuk dinë ose nuk duan të dinë se çfarë janë çmimet dysheme, ashtu sikundër u shpreh Presidenti i US, se këto çmime janë në mbrojtje të popullit. Kjo thënie e tij është një tallje e pastër, sepse siç e shpjeguam edhe më lart, çmimet dysheme, vendosen nga shteti dhe askush nuk mund të vendosi çmim më të vogël se kjo kuotë. Kur nuk vendos dot çmim më të vogël se kjo kuotë si mund të pretendosh se do mbrosh qytetarin? Interpretimi i gabuar i Ligjit duhet ndëshkuar dy fish, nga Autoriteti Konkurrencës dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjykata që e ka miratuar krijimin e Urdhrit ta anulojë atë, dhe Autoriteti Konkurrencës të ndëshkojë me gjobë për shkelje të Ligjit të gjithë pjesëmarrësit  e Asamblesë Kombëtare dhe të Këshillit Kombëtar. Nuk kanë pse të përgjigjen për këtë veprim stomatologët e Lagjeve që nuk dinë gjë për këtë veprim. Bile stomatologëve të lagjeve nuk ju interesojnë këto çmime, sepse askush nuk shkon tek ata për vizitë, por shkojnë në klinikat e mëdha.

Veprimi i AK dhe KK nuk është i pari i kësaj natyre. Ky veprim është përsëritur edhe disa vite më parë. Edhe atëherë ka marrë të njëjtën përgjigje. Nuk kanë bërë veprime të tilla Urdhri Infermierëve apo Urdhri Mjekëve apo të tjerë Urdhra. Veprime të tilla i kanë bërë vetëm Stomatologët. Kjo e ka bazën e shpjegimit, te turizmi dental që organizohet në Shqipëri. Një pjesë të huajsh, emigrantësh dhe refugjatësh vijnë në Shqipëri për të bërë gojën, sepse janë çmimet të lira. Ata janë të gatshëm të paguajnë më shumë sesa paguan një punonjës shqiptar i thjeshtë sepse pagat, atje ku punojnë i kanë shumë më të larta se në Shqipëri dhe shërbimet e stomatologjisë po shumë më të larta. Në këtë mënyrë ata nuk e kanë problem se paguan 40 apo 50 mijë lekë më shumë. Nëse për ata kjo shifër është normale, për shqiptarët e thjeshtë është e papërballueshme. Në këtë mënyrë ky lloj turizmi ka ndikuar negativisht për popullsinë shqiptare në tërësi që e kërkon këtë shërbim.

Presidenti i AK të Urdhrit të Stomatologut, jo vetëm nuk duhej të shfajësohej por të kërkonte ndjesë publike dhe të jepte zgjidhjen e punës me dy çmime, një për shqiptarët dhe një çmim specifik për të huajt. Ashtu siç bëhet në vendet e tjera, edhe kur parkon, ai që është i përhershëm paguan pak dhe ka vendin e sigurt, ai që është turist e ka çmimin e parkimit 10 herë më të lartë dhe jo të sigurt. Ky diferencim është normal të aplikohet në fushën e shëndetit. E theksoj këtë pasi shqiptarët e aplikojnë këtë diferencim edhe në ushqim, edhe fjetje në periudhën e verës, sidomos në bregdet. Me të tilla çmime dhe me të tilla diferencime denigruese shqiptarët kanë të drejtë të thonë se nuk duam që turistët të shkelin më në Shqipëri. Kur ardhja e turistëve mua si qytetar i thjeshtë më shkakton rritje të çmimeve, unë nuk dua që ata të shkelin më në Shqipëri. Nga këta turistë nuk përfiton populli në tërësi, por përfitojnë grupe njerëzish të caktuar, me profesione të privilegjuara.

Veprime të tilla nuk është hera e parë që bëhen në Shqipëri. Veprime të tilla kanë bërë edhe Shoqata e Ndërtuesve me Çmimet Dysheme të Apartamenteve që e detyruan arabin të largohej nga Shqipëria. Kjo gjë u bë në qeverisjen e PD, ku u lejua nga vetë qeveria të vendosej ky çmim. Nëse qeveria nuk do kishte lejuar këtë çmim tavan, çmimet e apartamenteve në Shqipëri do ishin shumë më të ulëta nga sa janë sot, dhe nuk do rrinin me qindramijë apartamente pa u shitur. Janë këto çmime që kanë krijuar qytete dhe lagje Fantazmë si Golemi Durrësit etj. Çmime të tilla kanë vendosur edhe prodhuesit e bukës ose Shoqata e Prodhuesve të bukës, Shoqata e Transportit etj. Vetë qeveria u mor me këto shoqata, por askush nuk u çua para drejtësisë.

Nëse nuk do ndëshkohen ligjërisht, nëse nuk do vendosen para përgjegjësisë ligjore përsëri do ndodhin këto fenomene të kartelizimit dhe të oligopolizimit të tregut.