Hyqmet Zane: Inekzistenca kombëtare e Akademisë së Shkencave

452
Sigal

Asnjë qeveri 30-vjeçare nuk ka pyetur fare për Akademinë e Shkencave, që duhej  të ishte portreti i shtetit dhe i kombit

Akademia e Shkencave mes inekzistencës  kombëtare dhe vlerave shkencore

Kemi pasur probleme me qëndrimet e zyrtarëve të Athinës për Himarën, është shqiptare apo greke, Akademia ka heshtur

Nga Hyqmet Zane

A është e vërtetë që Akademia e Shkencave të Shqipërisë ndodhet mes inekzistencës kombëtare dhe vlerave shkencore ? Është një pyetje që do të doja ta trajtoja si një qëndrim ndaj një vlere që nuk di se kush kërkon ta asgjësojë, apo ta nënvlerësojë, apo edhe ta anashkalojë për ta bërë si një institucion në përfundim misioni funksional.

Personalisht kam besuar dhe dëshiruar që institucioni i Akademisë së Shkencave,  të ishte primari i institucioneve shkencore që gëlojnë në këtë vend. Mes informacioneve shkencore në lidhje me problemet kombëtare në çdo nivel dhe sektor të jetës shqiptare, kam bindjen se Akademia mban vulën kombëtare më të besueshme. Kam besuar kështu sepse, si njeri i letrave që e dua shkencën dhe të vërtetat shkencore, mendoj se Akademia zyrtare e Shkencave ka në brendësinë e tij shkencëtarë apo njerëz që kanë dijeni të thelluara për problemet e shumta që kërkojnë zgjidhje apo trajtesa shkencore specifike.  Janë investime shumëvjeçare dhe personale të vetë shkencëtarëve, po aq sa edhe të shoqërisë që bëhet subjekt i shkencëtarëve.

Rasti më ka rënë të bisedoj dhe të diskutoj me këta shkencëtarë si edhe me vetë kreun e Akademisë Prof. Dr. Ylli Popa,  apo edhe jam takuar me të parin dhe të madhin kryetar të saj Prof. Dr. Aleks Buda që të dy nga Elbasani, që i bëjnë nder jo vetëm origjinës së tyre, por edhe kombit. Këtë mundësi ma ka dhënë angazhimi mediatik  si gazetar dhe si njeri i interesuar veçanërisht për çështjen kombëtare, për të cilin kam edhe interesa intelektuale. Ta them që në fillim se kam ndjerë një lloj zhgënjimi për mos-gjetjen e rrugëve të zgjidhjeve apo dhënien e verdikteve për probleme që kanë dalë sidomos në këto 30- vjetët e tranzicionit.

Di që krijimi i Akademisë i ka dhënë një tjetër frymëmarrje problemeve të ndryshme që edhe diktatura i respektonte zgjidhjet e saj shkencore dhe kishte një profil të vetin, edhe pse ndikimi i pushtetit të monist ishte i madh. Kur u hap kjo kohë, dhe erdhën mundësira të tjera, Akademia duket sikur u mbyll në guaskën e vet dhe më shumë u bë vegjetuese, sesa vendimmarrëse apo mësimdhënëse për çështje që janë në interes kombëtar dhe në shërbim të jetës së një populli. E padëshirueshme, por që është realitet.

Kam bindjen se asnjë qeverisje e njëpasnjëshme nuk ka pyetur shumë për Akademinë e Shkencave, që do të doja të ishte portreti i shtetit dhe i kombit. Problemet me fqinjët, akuzat dhe platformat antishqiptare të shtruara, por edhe problemet jetike të pushtetit, nuk kanë pasur asnjëherë mendjen e studiuesve apo shkencëtarëve të këtij institucioni. Nuk e donte i pari i shtetit apo i qeverisë apo kishte paaftësi nga vetë anëtarët e Akademisë, këtë nuk di ta them. Por sa e sa problematika kanë dalë që nga fillimet e tranzicionit dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar që të thuhet “Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë mendon kështu …. Mbi bazën e studimeve shkencore që ka bërë …” etj. etj  Kam dëgjuar që në shtetet fqinje dhe më tej në shtetet europiane, sidomos në SHBA,  flasin duke iu referuar institucioneve akademike ku dëgjohen shkencëtarët, të cilët japin mendime për probleme akute apo të rëndësishme në interes shtetëror dhe publik.

Konkretisht për hallin e fundit të botës, për Covid-19,  menjëherë u vunë në lëvizje, iu futën zbulimeve, bënë shkencë dhe janë në rrugën e gjetjes së vaksinave me sigurinë e madhe të përdorimit, nëse do i vijë rasti. Dhe çfarë lajmesh nuk dëgjon kështu edhe ashtu për shkencëtarë që hulumtojnë, bëjnë shkencë si shërbime të stafeve akademike në shkenca të ndryshme. Domethënë flasin shkencëtarët.

Kemi pasur probleme të rëndësishme me qëndrimet e zyrtarëve të Athinës për Himarën, është shqiptare apo greke.

Kurrë nuk ka dalë një herë Akademia e Shkencave që të thotë mendimin e saj shkencor, mbështetur në studimet historike të instituteve  të historisë apo atyre universitare. Apo për problemet në lidhje me minoritetet greke dhe atyre maqedonase, nuk ka dalë një herë të vetme Akademia të thotë të vërtetën e të vërtetave mbi baza shkencore.  Janë bërë projekte të rëndësishme rrugore apo ekonomia ka pasur debate për orientimin e gjetjes së zgjidhjeve të problemeve që kanë dalë dhe Akademia, ata shkencëtarët me tituj kanë heshtur.  Nuk e di përse, por pyes se përse nuk flasin, përse nuk thonë të vërtetat që gjithnjë janë në shërbim dhe interes kombëtar. Janë të paaftë ? Nuk e besoj, nuk ma zë goja ta them. Nuk i pyesin ?  Këtë  besoj. Edhe i kanë injoruar këta akademikë pushtetarë dhe qeveritarë harbutë dhe meskinë, karagjozë dhe sharlatanë, që nuk dinë të flasin një herë me gjuhën e shkencës, por me gjuhën e mendjemadhësisë së tyre që ua jep të qenurit në pushtet.

Pikërisht  këtu  qëndron  edhe problemi i domosdoshmërisë  së të dëgjuarit të zërit të akademikëve, që edhe vetë ata duhet të gjejnë rrugën e tyre të shprehjes së vendimeve të tyre me këndvështrime shkencore ?

Këtë duan shqiptarët, por çka ndodhur ?

Është bërë “luftë” e herëpashershme për të zaptuar kreun e këtij institucioni nga ky apo ai “personalitet” dhe asnjëherë nuk kemi parë që të përdoret autoriteti i Akademisë së Shkencave që e ka edhe detyrim institucional, të shprehet institucionalisht për të vërtetat shkencore në çdo sektor.

I shohim akademikët në ekrane televizorësh që thonë  fjalën e tyre në emrin e  tyre si studiues, por asnjëherë në emër të akademisë kur përballen në ato studio me opinionistë dhe abuzuesh  mediesh që duan show, dhe kur kwta tw fundit gënjejnë pa pikën e turpit, shkencëtari rri e dëgjon,… se të mbyt fjala e injorantit. Sa do të kënaqesha që në ndonjë rast të tillë personaliteti studiues të ngrihej e të ikte nga ajo studio, e të mos bëhej pjesë e farsave të sharlatanëve.

Nuk po dëgjojmë ndonjëherë ndonjë studim shkencor për fizibilitetin e punëve ndërtimore që bëhen në Shqipëri, por marrim vesh këtë dhe atë abuzim me pallate shumëkatëshe , ku letrat e atyre ku duhet të flasin shkencëtarët, flet një nëpunës i rëndomtë dhe pastaj ndodhin shkatërrime nga një tërmet si ai i 26 nëntorit 2019 dhe askush nuk mban përgjegjësinë e të tjera si këto. Gjithnjë flasin ata që nuk duhet të flasin dhe në krye të tyre dalin një kryeministër, një ministër emergjencash apo një mashtrues tjetër, që nuk dinë se çfarë thonë në mëngjes, se ndryshe flasin në drekë dhe harrojnë në darkë e ia fusin kot më kot, veç të gënjejnë.

Sa do të doja të dëgjoja një herë të vetme e një akademik që do të fliste për akuzat greke ndaj komunitetit çam se i mbeti “damka” e bashkëpunëtorëve me nazifashistët, në një kohë që pjesëtarë të popullatës çame u bënë luftëtarë dhe mbetën dëshmorë dhe heronj në Luftën e Dytë Botërore. U formuan batalione  mikse dhe vetëm me çamë për të luftuar nazifashizmin, u internuan në kampet e përqëndrimit  të shfarosjes në masë, bij të familjeve çame, prej të cilëve ca nuk u kthyen, por edhe ata që shpëtuan gjallë, nuk i lejuan të shkonin në  vendin e tyre, edhe pse ishin antifashistë si im atë e të tjerë. Edhe këta ishin bashkëpunëtorë të nazifashizmit, edhe fëmijët dhe familjet e tyre meritonin këtë akuzë ? Po të gjithë ato nëna e gra, pleq e fëmijë, burra çamë që nuk merreshin me politikë, pse u përzunë nga shtëpitë e tyre?

Edhe për këto do të duhej të dilte një herë të vetme Akademia e Shkencave me deviza të studimeve të tyre për të thënë të vërtetat, si përgjegjësi shkencore dhe që do të duhej t’i respektonin presidentë dhe kryeministra, ministra të jashtëm që veçse kanë heshtur dhe me siguri nuk i kanë lejuar as akademikët të flasin. Çfarë bëhet kështu në këtë vendin tonë?  Sa e sa dosje problematikash ka pasur historia e këtij vendi dhe shkencërisht ka pasur heshtje, a thua nuk kemi studiues të respektuar që e kanë titullin “akademikë”,  si një meritë e punës së tyre shumëvjeçare!

Më ka bërë përshtypje në një moment kur në ambientet e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, shkoi kryeministri aktual dhe i injoroi akademikët, i fyeu me modelin e tij dhe ua mbylli gojën për kërkesat e tyre, se u preu fondet ai, se çelësat e fondeve për ta, i ka qeveria dhe ata detyrohen të tërhiqen, se hakmarrja e pushtetit është si dikur, një luftë klasash në planin ekonomik.

Nuk di nëse George Orwell e ka thënë një shprehje të tij për akademikët, por kur ai shprehet se “ Në një botë,  ku mashtrimi është bërë i zakonshëm, të thuash të vërtetën është si të bësh revolucion”, kam besim se kërkon t’ua japë një shuplakë qeveritarëve dhe shtetarëve, që janë palaçot e kombit, në emër të kombit pa pyetur për institucione shkencore dhe akademike.