Gëzim Tushi: Pandemia, “vetja e vogël” dhe shoqëria e “rrezikut të madh”

476
Sigal

Gëzim TUSHI

Sociolog, Mjeshtër i Madh

Padyshim që në këtë kohë të ndërlikuar të betejës me Covid -19, kanë dalë shumë mësime me vlerë mjekësore, psikologjike, kulturore, urbane e sociale. Natyrisht në sistemin e madh e të integruar të “mësimeve të reja”, që po na jep përditë e në mënyrë të vazhduar pandemia, sipas mendimit tim, njëri është më kryesori dhe që duhet vlerësuar me shumë seriozitet individual dhe përgjegjësi sociale. Ne gradualisht, edhe pse mbase të përballuar me skena sociale e sjellje individuale kontroversale, madje të shoqëruara në disa raste edhe me forcë mosbindjeje dhe rezistencë negative, gjithësesi po përshtatemi me idenë me rëndësi thelbësore, sipas të cilës në këtë betejë të madhe, të gjithanshme, të rrezikshme e dinake me pandeminë, vetëpërmbajtja individuale është kusht i parë për fitoren mbi Covid- 19.

Ka kaluar gati gati gjysëm viti dhe është e qartë bindja e përgjithshme se beteja me Covid -19 është përgjegjësi e integruar medikale, psikologjike, njëherësh individuale dhe sociale. Në këto kushte besoj se është e udhës që të mësohemi me nevojën imperative  dhe të përqafojmë idenë, që në këtë betejë të integruar njeriu duhet patjetër të krijojë në mënyrë të sigurt pavarësisnë sociale individuale apo më saktë “veten e vogël”, si një mjet i domosdoshëm për tu përballur me “shoqërinë e rrezikut të madh”.

Në këtë shoqëri që po jetojmë, po shfaqen disa tipare e dukuri të reja me natyrë universale, që po i shtohen përditë strukturës klasike e të pranuar të tipareve dhe rreziqeve të njohura të shoqërisë postmoderne. Covid -19 përve anës së errët, na “ndihmoi” si shoqëri për të pranuar ca të vërteta të reja të kësaj epoke, pjesë e të cilës jemi edhe ne. Kemi hyrë në konturet e një “bote të turbullt”, e cila ka si tipare kryesore pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë. Të cilat janë dukuri ontologjike të shoqëruara me në mënyrë të pashmangshme edhe me kërcënime e rreziqe të reja. Të njohura por dhe të panjohura e të paparashikuara. Tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e virusit mund të jenë sa për shembull ilustrues. Ajo që duhet të mësojmë e të përgatitemi si individë, si shtet dhe shoqëri, është imperative që të ndërgjegjësohemi se jemi futur në plotësisht vorbullën turbulente të shoqërisë së “rrezikut të madh”, me efekte të dukshme dhe të menjhershme.

Në këto kushte, të ndodhur në këtë betejë të madhe, të gjatë, të komplikuar, të rrezikshme me Covid -19, që nuk dihet se sa do të zgjasë, përballja midis “vetes së vogël” me shoqërinë e “rrezikut të madh”, duhet të jetë vendimtare, duke shmangur me të gjithë mjetet rrezikun kryesor të Covid- 19. Sikurse duket ky virus planetar akoma i padominuar ka si objektiv të zgjerojë konturet e “rrezikut të madh” social, duke e futur njeriun në hullinë disfatiste, orientuese e kapitullante. Mbi të gjitha duke kërkuar e tentuar ta orientojë atë negativisht, drejt prirjeve degraduese. Tamam si një psikovampir, që kërkon të paralizojë energjitë pozitive të njeriut, duke e lënë atë në situata të zgjeruara ankthi, frike, paniku e pasigurie sociale të vazhduar.

Ne kemi nevojë për të nxjerrë mësimet e duhura për të qënë të armatosur me mjetet e duhura, optimist e të guximshëm dhe jo mendjelehtë. Detyrë e parë sociale dhe e përgjithshme është që njerëzit ka nevojë të konsolidojë fort konturet e sigurta e të qarta të “vetes së vogël”, të optimizmit individual e kujdesit social, duke qënë në gjëndje që të përballojë sulmin e gjithanshëm patogjen të Covid -19-ës, i cili është një armik i padukshëm por shumë i rrezikshëm, që kërkon me këmbëngulje të sulmojë nga jashtë “kështjellën” e “vetes së vogël” njerëzore.

Natyrisht që të realizohet kjo gjë, që “vetja e vogël” e njeriut, individualisht të përballet me sukses me rrezikun e madh të pandemisë sociale të Covid 19, duhen korrigjuar disa difekte kulturore ontologjike të qytetërimit tonë, të trashëguara nga e kaluara historike apo të “fituara” nga jeta sociale kaotike apo qëndrimet brovniane të “njeriut të lirë”. Rreziku i madh i pandemisë është në përmasa të mëdha. Kjo do të thotë që “vetja e vogël” duhet të mësohet të ndryshojë sjelljen sociale e kulturore, duke përvehtësuar rregullat e reja të disiplinës së re të komportimit social.

Përtej frazeologjisë stereotipike e moralizimeve mediatike, besoj se është moment I duhur që njerëzit tanë të binden dhe të ushtrohen në respektimin e një lloj “gjeometrie” të re e të ndryshuar të moduleve të lidhjeve sociale, qoftë me njëri tjetrin dhe me komunitetin. Në të njëjtën kohë, raporti midis mbivlerësimit të “vetes së vogël” të njeriut individual me “rrezikun e madh” medikal e social që vjen prej presionit degradues të virusit Covid -19, kërkon që secili të ndryshojë në të njëjtën kohë disa parametra të sjelljes. Që do të thotë së pari “aritmetikën” me të cilat i bën llogaritë individuale, duke qënë se është jo shumë i mbrojtur përballë virulencave të shoqërisë së “rrezikut të madh”.

Besoj se kanë mjaftuar këto 6 muaj për tu bindur dhe pranuar individualisht rrezikun akoma të pakapërcyer të këtij virusi, që është present e virulent nëpër këmbët e individit dhe hapësirat sociale të shoqërisë tonë. Në këto kushte ka vetëm një rrugë, për të cilën duhet të ndërgjegjësohemi. Derisa rreziku social I pandemisë është kaq i madh dhe akoma në eksplozion patologjik, atëhere duhet të rritet përgjegjësia individuale e “vetes së vogël”, si mjet për përballjen e suksesshme me këtë rrezik të madh. Duke e trajtuar këtë dilemë sociale të shoqërisë së sotme, sidomos pas indicieve të forta e shkatërruese të Covid- 19, si dhe raportet e reja midis vetes së vogël individuale dhe lidhjeve të ngushta e të pashmangshme me “rrezikun e madh” social, me të drejtë sociologët e jetës postmoderne, në mënyrë metaforike thonë se “shoqëria e rrezikut të madh i ngjan bordit të një avionic, në të cilin duhet t’i dhimbsemi njëri tjetrit, nga që sikurse duket do kemi një fat të përbashkët”.