Agolli i FSHZH ‘avullon’ 240 milionë për “Fermën e Dijes”
Bujqësia është në krizë, ku Shqipëria spikat me nivelin më të ulët të mbështetjes bujqësore. Serbia merr aktualisht 280 milionë euro nga IPARD, në zero. Agolli i FSZH, me tenderin 236 mln lekë do zgjidh hallet e fermerëve, pasi do hap fermën e dijes për fermerët, ku të takohen dhe shkëmbejnë teknikat e reja të bujqësisë. Ndoshta modele hedhjesh, për produktet që përfundojnë në kanal se nuk kanë treg.
INFO
Zhduket prodhimi vendas
Fermerët po falimentojnë, stallat po mbyllen, dhe përpunuesit po detyrohen të mbijetojnë me lëndë të parë të importuar.Raftet e supermarketeve mbushen çdo ditë me produkte nga jashtë, ndërsa produkti shqiptar po zhduket pa zhurmë. Shqipëria nuk po prodhon më për të ushqyer veten. Po kthehemi në një vend që vetëm konsumon, pa mbështetur as fermerin, as përpunuesin vendas.
Në Maliq dhe Korçë fermerët ndër vite kanë protestuar për një hall të madh, atë që mollët, apo produkte të tjera u kalben dhe detyrohen t’i hedhin pasi prodhimet e tyre nuk aksesojnë tregun. Pra, falimentojnë nga politik-bërja në bujqësi. Tani mesa duket zgjedhjen e paska gjetur Agolli i FSZH, i cili me tenderin 236 mln lekë do hap fermën e dijes për fermerët, ku të takohen dhe shkëmbejnë teknikat e reja të bujqësisë, madje të konsumojnë mollë të freskëta te kjo fermë, se fundja ato që vetë fermerët mbjellin zënë kanalet.
Sot, Shqipëria nuk konkurron me produkt intensiv, konvencional, ndërsa këto të “foto-shkrepjeve” flasin për ferma dijesh, në një kohë që fermerët kanë nevojë për subvencione që të rimëkëmben. Ndaj dhe fermerët lënë familjen dhe tokën e tyre e marrin rrugët e mërgimit.
01
“Ferma e Dijes” shashkë për fermerët
Me një fond limit prej mbi 236 milionë lekësh, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për fazën e parë të projektit “Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve, Korçë”. Nisma vjen në kuadër të mbështetjes për ngritjen e poleve të zhvillimit të integruar rural, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë lokalë e qëndrorë.
Sipas dokumenteve të tenderit, projekti synon ngritjen e një ferme moderne të prodhimit dhe promovimit të mollës, që do të shërbejë si një qendër multifunksionale për bujqësinë, edukimin, turizmin dhe ekonominë lokale. E konceptuar si një “fermë e dijes”, ajo do të ndërtohet në afërsi të fshatit Qatrom, vetëm 5.4 kilometra nga qyteti i Korçës, në një zonë me tokë pjellore, topografi të lehtë dhe burime të përshtatshme uji. Aktualisht, zona është e pandërtuar dhe e paaksesueshme me infrastrukturë moderne rrugore, ndaj projekti parashikon ndërhyrje edhe në këtë drejtim.
Ferma është menduar si një hapësirë e hapur, ku për fermerët, do të jetë një pikë takimi dhe shkëmbimi për teknikat e reja të bujqësisë; për konsumatorët, një burim prodhimesh të freskëta dhe cilësore nga burime të certifikuara vendore, ndërsa për vizitorët, një destinacion turistik i kombinuar me eksperienca edukative dhe rekreative.
Përmes kësaj nisme, synohet të vihet në eficiencë një territor i pashfrytëzuar dhe të krijohet një pikë referimi për zhvillimin e agroturizmit dhe formave të reja të sipërmarrjes rurale.
Në afatgjatë, synimi është që “Ferma e Mollëve” të shndërrohet në një markë lokale, ku ndërthuren aktorët publikë, privatë dhe kërkimorë, për të krijuar një model bashkëpunimi, që fuqizon ekonominë rurale, nxit inovacionin dhe promovon qasjen e hapur ndaj dijes dhe shërbimeve.
02
Prof. Panariti: Bujqësia në situatë dramatike prej mungesës së subvencioneve, nuk kemi rezerva ushqimore
Ish-ministri i Bujqësisë , Prof . Edmond Panariti ngre shqetësimin për financimin shumë të ulët nga buxheti i shtetit për sektorin e bujqësisë dhe thotë se më dramatike e bën situatën ndërprerja e fondeve nga IPARD.
Ai deklaroi se është i pesti vit radhazi që kemi rënie të produktit bujqësor, prej mungesës së subvencioneve.
Sipas tij, blegtoria është simptoma e parë dhe më e prekshme e degradimit të bujqësisë dhe se kemi përgjysmim të numrit të krerëve në 5-6 vitet e fundit.
Panariti ngriti alarmin se sot nuk kemi as rezerva ushqimore, në një kohë që çdo qeveri e përgjegjshme duhet të ketë, pasi tha se garantimi i ushqimit, është garantimi i pavarësisë së vendit.
Ai shtoi se rritja e kërkesës për prodhime bujqësore dhe blegtorale, nuk shkon në favor të bujqësisë sonë, por në favor të importit.
Bujqësia ka vetëm një kah, degradimin, nëse nuk ndërhyhet. Serbia merr aktualisht 280 milionë euro nga IPARD, ne zero. Marrëveshjen e tregtisë së lirë mund të bësh marrëveshje që në momentin që ke pikun e prodhimit të një produkti, të mos importosh në mënyrë që mos të hedhësh në erë produktin vendas. Në pikun e sezonit ty të vjen shalqi nga Kreta, rrush nga Moldavia. Shqipëria nuk diti të mbajë avantazhet e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Sot nuk kemi as rezerva ushqimore, në një kohë që çdo qeveri e përgjegjshme duhet të ketë.