Eriselda e Lushnjës ka nevojë për ruajtje, hedh 193 mln lekë për roje

50
Sigal

Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, arriti të siguronte edhe një mandat tjetër, megjithëse i doli shpejt “boja” me tenderët abuzive, duke ndjekur gjurmët e ish-kryebashkiakut Fatos Tushes. Sakaq Sefa vazhdon sagën e shpërdorimeve, diku dorë lëshuar e diku dorë mbledhur, por çdo projekt kthehet në rast abuzimi. Të tillë janë edhe dy tenderët e fundit të publikuar. Njëri prej tyre ka si objekt “Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike i objekteve me punonjës shërbimi dhe sisteme alarmi të sinjalizimit e vëzhgimi”.

Konkretisht, Sefa do të punësojë 27 roje të cilët do të ruajnë ambientet e ujësjellës kanalizimeve. Dhe për 8 muaj punë ata do të paguhen 193 milionë lekë!

Problemi nuk qëndron vetëm te pagesa që do të marrin ata, por tek mënyra se si do të shpërndahen këto lekë! Konkretisht, kontrata është firmosur në kundërshtim me ligjin e prokurimeve. Tenderi ka marrë “Red Flag” nga Open Data Albania për shkak se ka mungesë të konkurrencës dhe si pasojë shfaq risk të lartë korrupsioni. Në dokumente shihet qartë që nuk ka pasur asnjë ofertë tjetër përveç asaj të hedhur nga firma  “MYRTO SECURITY” sh.p.k, në pronësi të Hysen Myrtajt.

Ai ka paraqitur një ofertë me vlerë 175 milionë lekë, sa 90% e fondit limit. Por as këtë fakt Sefa nuk e ka marrë në konsideratë, duke kundërshtuar hapur çfarë i kërkon ligji. Në mungesë të konkurrencës ajo menjëherë ka firmosur kontratën, kur më e drejtë do të ishte të anulohej tenderi.

Gjithsesi, Sefa nuk është mjaftuar me kaq. Në këtë linjë abuzive ajo ka firmosur më 7 korrik 2023 edhe një tjetër tender. Sërish Sefa ka marrë roje, por këtë herë i duhen për të transportuar lekët e ujësjellësit. Pasi mblidhen tarifat dhe taksat në arkën e ujësjellësit, një pjesë e parave financon korrupsionin, në këtë rast gjoja për të paguar roje për transportin.

Tenderi ka si objekt “Shoqërimi i Vlerave monetare” dhe fond limit 10 milionë lekë. Vallë nuk i mjaftojnë rojet që siguroi nga tenderi i parë, por duhen edhe të tjerë vetëm për transport? Ndërkohë ajo që bie në sy është se edhe këtë tender e ka fituar sërish firma  “MYRTO SECURITY” sh.p.k. Në fakt, duhet të themi i është falur pa garë biznesmenit të paracaktuar. Sepse si në tenderin e parë, edhe në këtë rast firma Myrtaj nuk ka pasur konkurrentë përballë.