Lotët e dhimbjes për Muhamet Likon/ Pëllumb Kulla: Pikëllim për parodistin e Vlorës

610
Sigal

Pikëllim i thellë

Pëllumb Kulla

 

Meti nuk eshtë më! Muhamet Liko na ka lënë! Ishte njëri nga pjesëtarët më karizmatikë të katërshes së shquar vlonjate që njihen si “Parodistët e Vlorës”. Ata ishin aq të ndryshëm duke formuar një bashkësi allasoj me tipare të shkrira bukur: të shkathët, ritmikë, të lakueshëm, symprehtë e veshë të hollë muzike. Ata ishin sa popullorë aq edhe të modës në drithërimën e ditëve që jetonin. Prurjet e tyre në gatimin pikant të parodive kishin udhëheqjen e vetvetishme të Afrimit, intonimin e shkëlqyer të Agronit, portretizimet aktoriale të Metit dhe Manes. Ishte një katërshe e rrallë në historinë e artit skenik shqiptar dhe unë isha krenar që i kisha në rrethin e miqve të mi më të mirë. Sa kohë jetova në Vlorë unë kontaktin më të ngushtë e pata me Afrimin, i cili dhe shfaqjet e para publike i pati me mua në grupin amator të Ndërmarrjes së Ndërtimit ku unë isha dërguar të punoja “në mes të klasës punëtore”. Kur ika nga Vlora me gëzim vura re se mori jetë ky grup që do të mbetet i paharruar për spektatorin. Punuam bashkë përsëri, në Fier, në TV Shqiptar, në Vlorë, Në Nju Jork ku ata u mirëpritën në shfaqjet që organizoja unë me ta.. E deri pesë muaj më parë në Koncertin e fundit të Vitit të Ri 2019 në RTSH. Një pjesë e dukshme e repertorit të katërshes së miqve të mi më vjen mirë që ka pikuar nga pena ime. Ndaj dhe ky pikëllim është i pamatë, për mua dhe familjen time. Po flas në kohën e shkuar. Edhe pse tre nga ata janë gjallë dhe mjaft aktivë. Por është Meti ai që na goditi sot me largimin e tij. Metin nuk do ta kemi më. Do të kënaqemi e të buzëqeshim hidhur me të gjitha regjistrimet e tij të bukura, që shpalosin zërin e tij të veçantë, syrin e tij transparent, mimikën e tij të bindur, figurat e tij të papërsëritshme, tregimet e tij virtuozë që kërkonin ritëm dhe gjuhë mprehtësi. Ishte për të ky homazh. Ishte për të ky pikëllim i rrallë dhe kaq i shtrirë në hapësirat ku rrojnë shqiptarët. Ngushëllim familjes së tij të shtrenjtë. Ngushëllim shokëve të tij të dashur, Agronit, Manes, Afrimit – gjithë trupës së teatrit të Vlorës. Ngushëllime të tërë atyre bashkëkombësve që e patën artist të preferuar. Dhe ai e meritonte shumë të ishte i preferuar…I qoftë i lehtë dheu!