Në Festivalin e 50-të koral “TEXO” që zhvillohet në Tetovë të Maqedonisë
Kur shqiptarët e të gjitha trevave mblidhen bashkë
Udhëtojmë drejt Tetovës…
Udhëtojmë drejt Tetovës. Rrugës së gjatë na ndjekin pika shiu herë të qeta e herë pakëz të rrëmbyera, për t’ia lënë vendin hera herës një dielli të zakonshëm për stinën, i cili përcjellë një të nxehtë, që nganjëherë i paduruar…Është Kori i Shkodrës, Miqtë e Muzikës “ROZAFA EXPRESSION”, i cili është i ftuar për të marrë pjesë në Festivalin e 50-të koral “TEXO”, që zhvillohet në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, në datat 24, 25 qershor 2023. Po të shfletojmë historikun artistik të kësaj Shoqate, do të gjejmë të shënuar se, “ROZAFA EXPRESSION” merr pjesë prej vitesh në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore e artistike, ku brenda kritereve do të paraqitet me një repertor koral polifonik të zgjedhur profesional. Aktiviteti ka një rëndësi të veçantë, sepse bashkon e ndërton ura të reja aktuale e vizionesh të grupeve korale ballkanike, siç është në rastin tonë të pjesëmarrjes së 16 grupeve nga vendet Ballkanike. Gjithashtu, në këtë festival, prezantohen e njihen profile të muzikantëve nga vende të ndryshme, ndërtohen dialogë kulturor, si dhe bën të njohur muzikën e bukur e të mirë, cilësore e prurjet e reja të këtyre vende pjesëmarrëse.

“ROZAFA EXPRESSION”
Miqtë e Muzikës “ROZAFA EXPRESSION” është krijuar në vitin 1999, me iniciativën e dirigjentit dhe kompozitorit prof. Zef Çoba, dhe ka në përbërje këngëtarë e muzikantë të kualifikuar. Emërtimi i kësaj lëvizje i është vënë nga vetë krijuesi i saj, dhe përbën sintezën e detyrimit qytetar e artistik të anëtarëve.”Rozafa” është kalaja, dëshmi e historisë 2400-vjeçare të qytetërimit në Shkodër, e cila ka një legjendë që simbolizon sakrificën, shprehje e detyrimit qytetar. Ndërsa detyrimi artistik qëndron në realitetet artistike të ndërtuara mbi ekspresivitetin e vlerave muzikore. Tradita e pasur në lëvrimin e muzikës së kultivuar në qytetin e Shkodrës, dhe klima artistike, përbëjnë bazën kryesore përsa i përket kushteve nga u bë realitet kjo lëvizje. Ajo është vazhduese direkte e aplikimeve artistike të zhvilluara nga institucionet kryesore të qytetit brenda dhe jashtë vendit, e paraqitet si një praktikë e konsolidimit dhe integrimit të vlerave më të mira në hapësirën e krijuar në Shqipëri pas viteve 90-të. Në repertor ka këngë tradicionale shqiptare, përpunime, si dhe vepra të zgjedhura nga muzika korale e stileve, epokave dhe vendeve të ndryshme.
Shoqata ka katër seksione: – Korin e të rriturve “Rozafa Expression”, – grupin vokal “Loja e notave muzikore” për formimin muzikor të fëmijëve e të rinjve, – “Në lulishten e këngës shkodrane” për edukimin e këngëtarëve të rinj, – “Miqtë e Muzikës”. Kryetar i Shoqatës është dirigjenti dhe kompozitori i njohur prof. Zef Çoba, i cili ka një kontribut të çmuar në jetën artistike e muzikore. Ai ka kompozuar vepra e pjesë të ndryshme vokale e instrumentale, muzikën e 16 filmave artistikë, muzikë për teatër, këngë në stil të traditës qytetare shkodrane, këngë për fëmijë etj. shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet. Gjithashtu është autor i një cikli me romanca vokale të titulluar “Kënga e njeriut”, i ciklit me këngë korale për fëmijë “E drejta dhe e shtrembra”, përpunime, etj. Është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve Tiranë në lëndët: Dirigjim Koral, Këndim Koral dhe Muzikë Dhome, dirigjent i Korit të Kishës së Shën Françeskut – Gjuhadol (Shkodër).

Aktiviteti i “Rozafa Expression” është mjaft i pasur. Në veçanti Kori ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike me karakter lokal, kombëtar e ndërkombëtar. Mund të veçojmë: në Tiranë (2000), Andros (Greqi, 2000), Cetinje (Mali i Zi, 2000), Karditsa (Greqi, 2000, 2013), Avola (Itali, 2000), Vibo Valentia (Itali, 2001), Shkodra Jazz (2007), Tuz (Mali i Zi, 2007, 2018), Tetovë (Maqedoni e Veriut, 2007), Ripatransone (Itali, 2007), turne koncertesh në qendra të ndryshme të Napolit (2007), Tiranë (2009); Svigliano, Cuneo, Saluzo (Itali, 2009), Tetovë (Maqedoni e Veriut, 2009, 2011, 2013, 2014, 2015, 2016, 2017), Kragujevac (Serbi, 2011), Assisi (Itali, 2014), Gjakovë (Kosovë, 2014, 2015, 2017, 2019); Graz (Austri, 2017), Shkup (Maqedoni e Veriut, 2018), Negotin (Serbi, 2018). Premiera e koncerte, kjo Shoqatë ka dhënë në qytetet e Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Korçës, Ulqinit, Cetinje e Tuz të Malit të Zi; si dhe mjaft shfaqje e koncerte festive përvjetorësh në Shtëpi të moshuarish, Shtëpi Fëmijësh, spitale, shkolla, në komunitete me aftësi ndryshe, në Komunitetin rom, në burgje, në Bashki, etj. Me 21 qershor të vitit 2007 për herë të parë në Shqipëri organizon “Ditën Ndërkombëtare të Muzikës” me koncertin festiv “VIVA LA MUSICA”, aktivitet që ka krijuar traditë të bukur e festohet edhe në qytete të tjera të vendit. Shumë muzikantë të rinj, që kanë frekuentuar aktivitetin e Shoqatës, kanë ndjekur studime profesionale në këtë fushë. Eksperienca e Shoqatës ka shërbyer edhe për dirigjentët e rinj studentë të Universitetit të Arteve Tiranë, të cilët kanë mbrojtur diplomën me koncerte të përgatitura nga Kori i “ROZAFA EXPRESSION”. Aktiviteti i Shoqatës “ROZAFA EXPRESSION” mundësohet falë punës humane e me pasion të anëtarëve, kontributit të tyre, donatorëve e dashamirësve të saj, mbështetja e të cilëve është inkurajim në të mirë të edukimit, gjallërimit të jetës kulturore e artistike, si dhe dialogut ndërmjet kulturave të popujve të ndryshëm. Që nga viti 2016 për mbarëvajtjen e aktivitetit të Shoqatës, një kontribut të veçantë ka dhënë humanistja Marianne Graf me Shoqatën “Austria – Albania Partnerschaft Marianne Graf + Team”.

“ROZAFA EXPRESSION” në skenë…
“Rozafa Expression”, pjesëmarrëse në Festivalin e 50-të Koral ‘TEXO’, u ngjit në skenë ditën e parë, pasdite. Ishte e 5-ta në radhë. Programi i paraqitur ishte i zgjedhur mjeshtërisht e cilësor nga dirigjenti i talentuar Zef Çoba. Përmendim disa pika të këtij programi, si: “Të gëzojmë se erdhi pranvera” (popullore e përpunuar për kor), “O mio signore ascolta” (kori miks, të autorit T. Albinomi -1671 – 1751- ); “Fyelli” (punuar për kor femëror, autori S. Gjoni – 1925 – 1991- ); Kënga e “Luftëtarëve të Skërnderbeut” nga filmi “Skënderbeu” (kori mik, autori Çesk Zadeja – 1927 – 1997 – ); “Nana” (kori miks, solistë: Jozefina Guri dhe Marikleda Lejthija); “Hallelujah” (kori miks, solist: Serxhio Toma, autori L. Cohen – 1934 – 2016 -). Të gjitha këngët e repertorit u punuan, orkestruan nga kompozitori Zef Çoba. U shoqëruan në piano nga Merald Shtalbi, i cili në shoqërimin instrumental të pjesëve, që nuk u kënduan acappella, ishte korrekt me një interpretim të pasur artistik, dhe krijoi një ekuilibër të drejtë në funksion të ansamblit koral.
Gjatë orarit të përcaktuar të dhënies së shfaqjes, pamë shpërfaqjen e magjisë së Korit, unifikimin e zërave të këngëtarëve e vokalet interesante, orkestracionet plot vlerë, elemente burimore, ndjesitë, delikatesat poetike dhe detajet poetike me tharm muzikor, “shëtitjet” e këngëve shqipe, që spikatën aq ëmbël si: “Të gëzojmë se erdh pranvera”, apo këngën baritore liriko-patriotike me titullin “Fyelli”, apo këngën “Nana” me tekst të poetit Alfred Çapaliku, e muzikë Zef Çoba, ku figura e Nanës përmes krahasimeve të gjetura, dimensionin muzikalisht madhështinë e botën e saj, etj.


















