Emigrantët, ja si të marrin pensionin për vitet që kanë punuar në Shqipëri

1547
Sigal

Eksperti i sigurimeve shoqërore/ Dokumentet që duhet të plotësojnë emigrantët për të marrë pension në Shqipëri dhe njësimi i viteve të punës brenda dhe jashtë shtetit. Trajtimi i artistëve të Operës e Baletit, Ansamblit Shtetëror, inxhinierëve, minatorëve, veterinerëve dhe pensioni social

Kushtet e marrjes së pensionit për artistët e Teatrit të Operës e Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore dhe Cirkut. Përfitimi për inxhinierët, minatorët e nëntokës, shoferët dhe veterinerët

 

Dokumentet që duhet të plotësojnë emigrantët për të marrë pension në Shqipëri dhe njehsimi i viteve të punuara brenda dhe jashtë shtetit

 

Kushtet e përfitimit të pensionit social

Pyetje

Disa lexues të gazetës “Telegraf” me banim brenda e jashtë vendit, të cilët kanë ardhur me pushime, janë të interesuar të dinë për kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension social.

Përgjigje

Mbështetur në nenin 5/1 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.104/2014, datë 31.7.2014, botuar në fletoren zyrtare 137: ”Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç (pavarësisht nga gjinia), që është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit dhe nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat, që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Aktualisht masa e pensionit social është 7.465 lekë e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vjet punë të siguruara”. Sa herë indeksohen pensionet me vendime të Qeverisë rriten me të njëjtën përqindje edhe pensionet sociale. Për personat që kanë të ardhura të tjera më të ulëta, masa e pensionit social është sa diferenca e shumës 7.465 me të ardhurat që mund të marrë nga ndihma ekonomike, etj. Dokumentet që duhen plotësuar dhe dorëzuar në agjencinë e sigurimeve shoqërore janë: deklarata për gjendjen ekonomike e cila plotësohet çdo vit (mbasi me ndryshimin e gjendjes ekonomike ndryshon edhe shuma e pensionit social), fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë e gjendjes familjare, vërtetim nga gjendja civile që 5 vitet e fundit është me banim në Shqipëri, vërtetim nga drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore që nuk merr pension, vërtetim nga drejtoria e tatimeve qe nuk ka të ardhura nga aktiviteti privat, vërtetim nga kadastra që s’ka tokë në pronësi ose në përdorim,vërtetim merr ose jo ndihmë ekonomike, deklaratë që s’ka pasuri të paluajtshme, etj. Meqenëse një ndër kushtet për të përfituar pension social është të jesh më qëndrim të përhershëm në Shqipëri në 5 vitet e fundit, emigrantët të cilët nuk e plotësojnë këtë kusht nuk përfitojnë pension social.

Pensioni familjar për personat që u ka ndërruar jete bashkëshorti

Pyetje

Në letrën e saj zonja Nazmije nga Burreli trajton këtë problem: Jam e datëlindjes 10 prill 1961 dhe aktualisht kam rreth 30 vjet punë të siguruara. Kohët e fundit bashkëshorti im pensionist ndërroi jetë. Pyes, kur dal në pension dhe a kam të drejtë të marr pensionin e bashkëshortit i cili kishte punuar në minierë në nëntokë?

Përgjigje

Ju do të dilni vetë në pension 61 vjeçe e 4 muaj më 10 gusht 2022, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Meqenëse jeni në punë, kur të dilni në pension mbas 3 vjetëve, ju do t’ju bëhen 33 vjet punë të siguruara, pra do të merrni pension të pjesshëm rreth 90% të pensionit të plotë, ose pension familjar 50% të pensionit të bashkëshortit, cila shumë të dalë më e lartë. Nëse i keni mundësitë financiare, para plotësimit të moshës së pensionit, mund të bëni sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e punuara që të përfitoni pension më të lartë se 33 vjet punë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Burrel ose Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Peshkopi.

Njehsimi i viteve të punuara në Shqipëri dhe jashtë shtetit

Pyetje

  1. Bajram nga Bulqiza me banim në Itali shkruan: Më 30 shtator të këtij viti plotësoj moshën 55 vjeç dhe në Shqipëri kam 28 vjet punë të siguruara, e nga këto 11 vjet në minierë në nëntokë. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension si minator i nëntokës dhe a bashkohen për pension vitet e punuara në Bulqizë sipas librezës së punës me ato të punuara në Itali?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin nr.150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” ju duhet të plotësoni njëkohësisht këto 3 kushte: moshën 55 vjeç, të keni gjithsej 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë, përfshi dhe periudhën që keni qenë ushtar, dhe nga këto 12,5 vjet në minierë në nëntokë. Meqenëse keni 28 vjet punë gjithsej keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë në vit, dhe për 1,5 vjet punë në minierë që keni më pak (12,5 vjet që duhen – 11 vjet që keni), nuk mund të bëni sigurime vullnetare, por duhet të punoni në minierë në nëntokë në Shqipëri. Sipas ligjit nr.29, datë 23 maj 2019, botuar në fletoren zyrtare 88, “Për pensionet suplementare të punonjësve të nëntokës, të industrisë së naftës e gazit dhe të metalurgjisë, për çdo vit pune të punuar në minierë në nëntokë, do të përfitoni pension suplementar 1% të pensionit të pleqërisë, për çdo vit pune, pra plus 12,5%. Aktualisht, periudhat e punuara e të siguruara në emigracion janë të vlefshme për të marrë pension sipas legjislacionit Italian. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në DRSSH Peshkopi.

Përfitimi i pensionit të reduktuar

Pyetje

  1. Selim Zhuka nga Librazhdi në mesazhin e tij trajton këtë problem: Jam i datëlindjes 9 shkurt 1956 dhe aktualisht kam rreth 41 vjet punë të siguruara. Jam i interesuar të di për kushtet e përfitimit të pensionit të reduktuar dhe të plotë.

Përgjigje

Ju në pension të plotë do të dilni 65 vjeç më 26.11.2021 po të keni 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara në Shqipëri, nga mosha 16 vjeç. Meqenëse keni më shumë vite pune të siguruara do të merrni pension më të lartë mbasi shuma e pensionit nuk ka tavan por varet nga vitet e punës dhe paga mesatare bruto mujore për të gjithë periudhat e punuara. Në pension të reduktuara me dëshirë mund të dilni deri 3 vjet para pensionit të plotë, po të jeni pa punë, të mos jeni punëdhënës dhe të mos keni tokë sipas ligjit. Pensioni i reduktuar, për çdo muaj që merret para plotësimit të moshës, ulet me 0,6%, ose 7,2%, në një vit, për dy vjet ulet 14,4% dhe për 3 vjet 21,6% (36 muaj x 0,6%). Ky pension shtohet sa herë indeksohen pensionet me vendime Qeverie, por mbetet i reduktuar edhe pas plotësimit të moshës 65 vjeç. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan.

Pensioni për inxhinierët

Pyetje

Inxhinieri mekanik Haxhi Karaboja nga Kavaja në letrën e tij shkruan: Kam dalë në pension të plotë në vitin 2017 dhe banoj në Durrës. Mbas daljes në pension jam punësuar në një firmë private dhe paguaj rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Pyes, a përfitoj pension shtesë për këtë periudhë kur ta ndërpres punën?

Përgjigje

Pensionistët që ripunësohen në sektor privat kanë të drejtë të përfitojnë pensionin e indeksimet dhe shpërblimin e Vitit të Ri që bëhen me vendime Qeverie si dhe rrogën në qendrën private të punës, por janë të detyruar të vazhdojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore njëlloj sikur nuk kanë dalë në pension dhe aktualisht, kur ta rilënë punën, nuk marrin shtesë pensioni.

Për më tepër lexoni “Telegraf”