Dr. Kanan Jakupi: Si e prita Nënë Terezën në Sanatoriumin e Tiranës në 1989, ja reportazhi i një dite në repartet e spitaleve

266
  • Për Nënë Terezën kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1973
  • Si e prita Nënë Terezën në Sanatoriumin e Tiranës në 1989
  • -Thënia e saj: “Më parë se të flasësh, është e nevojshme të dëgjosh se Zoti flet me zemër e në heshtje” më ka tronditur
  • DR Kieza nga Zaira kishte një respekt të rrallë për Nënë Terezën për ndihmën që i kishte dhënë vendit të tij
  • – Në gusht të vitit 1989 Nënë Tereza lejohet nga rregjimi i atëhershëm të vijë për herë të parë në Shqipëri
  • – Ishte me të vërtetë një “tragjedi” por duhet thënë se unë isha “fajtor” pa faj ashtu si dhe shumë e shumë bashkatdhetarët e mi, që nuk e njihnin Nënë Terezën
Sigal

Unë që kam pasur fatin e madh të takohem e të shtrëngoj duart me të, e që kam biseduar me kolegë të huaj, që kanë bashkëpunuar me të, e ndiej për detyrë që në në ditarin tim të shkruaj disa kujtime. Për Nënë Terezën kisha dëgjuar për herë të parë në vitin 1973, por për fat të keq (ose ironi të fatit), jo këtu në Shqipëri dhe jo nga një shqiptar apo shqiptare, por nga një koleg i huaj, drejtor i një senatoriumi për mjekimin e tuberkulozit në Kinsasha – Zaire. Me të ndiqja një kurs ndërkombëtar për epidiomologjinë dhe organizimin e luftës kundër tuberkulozit, organizuar nga organizata botërore e shëndetësisë në Romë. Midis pjesëmarrësve nga 28 vende të botës ishte dhe DR Kieza nga Zaira me të cilin u njoha që në fillim dhe zura miqësi. Në bisedat që bënim për problemet e tuberkulozit, ai vazhdimisht më fliste për një humanitare të madhe të përkushtuar për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të varfër e të sëmurë.

“Në vendin tim më thoshte Dr Kieze, ka shumë të varfër e të sëmurë me tuberkuloz. Por Mother Tereza (Nënë Tereza) na ka ndihmuar shumë me anë të fondacionit që ajo ka krijuar. Ai vazhdimisht më fliste për punën e madhe dhe përkushtimin e kësaj gruaje me zemër të madhe e unë fatkeqi (në atë kohë) e dëgjoja me kureshtje duke kërkuar të dija çdo gjë për të, por që nuk dija që kjo grua e përkushtuar e tëra në ndihmë të të varfërve, e njohur në tërë botën, ishte me origjinë shqiptare. Në trupin e saj qarkullonte gjak shqiptari, i njëjti gjak që qarkullonte dhe në trupin tim.

Gusht 1989

Por rrjedha e jetës bën të sajën, 16 vjet më vonë Nënë Tereza pas shumë kërkesave për të ardhur në atdheun e saj, për t’u takuar me njerëzit e saj e për të parë vendlindjen, në gusht të vitit 1989 lejohet nga rregjimi i atëhershëm të vijë për herë të parë në Shqipëri. E atëherë unë do të mësoja se Mother Tereza për të cilën fliste Dr. Kieza, ishte shqiptare me emrin Gonxhe Bojaxhi. Gjatë kohës që do qëndronte në atdheun e saj kishte shfaqur dëshirën të njihej me punën që bëhej për mjekimin e tuberkulozit.

Kur më njoftuan se në institucionin që unë drejtoja “Instituti Pneumoftiziatrisë-(Senatoriumi)”, do të vinte për vizitë Nënë Tereza, për një moment ndjeva kënaqësi e krenari që do prisja e bisedoja me një grua të jashtzakonshme, por aty për aty më shkoi mendja që 16 vjet më parë kur unë isha në Romë dhe kolegu im Dr. Kieza më fliste për Mother Tereza, ndjeva një pështjellim, si të thuash një “mungesë dinjiteti”, sepse një i huaj të flet për madhështinë e një bashkëkombëse (që ai nuk e dinte që ishte me origjinë shqiptare) dhe ti të mos reagosh e të ndihesh krenar që ky i huaj flet për bashkëkombësen tënde të njohur në të gjithë botën, e cila ka marrë edhe Çmimin Nobel për bamirësitë e saj. Ishte me të vërtetë një “tragjedi” por duhet thënë se unë isha “fajtor” pa faj ashtu si dhe shumë e shumë bashkatdhetarët e mi, që nuk e njihnin Nënë Terezën, kjo sepse ishim të izoluar si vend dhe të ndaluar apo të penguar për të njohur njerëzit e shquar me origjinë shqiptare, që jetonin jashtë atdheut për veprimtaritë e tyre humanitare apo shkencore.

Mëmë Terezën e prita në zyrën time bashkë me një pjesë të mjekëve. I rezervuam vendin më komod në ato 2-3 kolltuqe të konsumuara, që kisha në zyrë. Por ajo nuk preferoi të ulej atje, por në një vend tjetër mes mjekëve. I imponuar nga prezenca me thjeshtësinë e saj, megjithëse të gjithë pjesëmarrësit në atë takim ishin ulur, unë qëndroja në këmbë dhe fillova të njoh nënë Terezën me punën që bëhej në këtë institucion për luftën kundër tuberkulozit, masat e marra për zbulimin e tij, izolimi në dispanceri e senatorium, mjekimin dhe në mënyrë të veçantë masat e marra për fëmijët, profilaksinë me anë të vaksinës anti TBC, kimioprofilaksinë si dhe mjekimi i tyre.

Dikur Nënë Tereza ka thënë se “më parë se të flasësh, është e nevojshme të dëgjosh se Zoti flet me zemër e në heshtje”. Dhe ashtu veproi, më dëgjonte me shumë vemendje dhe në fytyrën e saj pasqyrohej gëzimi, që ndjente për punën që bëhej dhe për rezultatet e arritura në luftën kundër tuberkulozit në atdheun e saj.

Në përfundim të bisedës ajo më kërkoi t’í jepja disa të dhëna për masat që kishim marrë ne për luftën kundër tuberkulozit, për profilaksinë dhe metodat e mjekimit, për t’í përdorur në vendin ku jetonte dhe kryente veprimtarinë e saj. Dhe unë ashtu bëra: i përgatita një informacion të shkurtër dhe të nesërmen ja dërgova në Kryesinë e Kryqit të Kuq ku ajo kishte një takim.

Pas bisedës në drejtori, ajo kërkoi të shihte institucionin, të vizitonte e të bisedonte me të sëmurët.

Së pari, kërkoi të shihte repartin e pediatrisë, (sepse në momentin që erdhi në institut, një grup fëmijësh të sëmurë i dhuruan në oborrin e spitalit buqeta me lule të freskëta). Ajo kaloi në të gjitha dhomat e fëmijëve të shtruar, i prekte të gjithë, u fërkonte kokën dhe i ledhatonte…

Pas repartit të fëmijëve, kërkoi të vizitonte edhe të sëmurët e tjerë të shtruar në institucion. Në repartet e të sëmurëve të rritur, burra e gra u takua e bisedoi me ta: I pyeste për mjekimin e ushqimin, e u fut edhe në mencat e reparteve për të parë ushqimin.

Në përfundim të vizitës nëpër reparte u kthyem përsëri në zyrë, ku unë kisha marrë masa për një banket të thjeshtë me pije freskuese, çokollata, biskota e fruta, ashtu siç bëhej atëherë për gjatë vizitave të personaliteteve të huaja, që vizitonin institucionin. Pasi lamë duart meqenëse kishim shkuar nëpër reparte, i thamë Nënë Terezës që të ulemi e të bisedojmë përsëri e të marrim diçka, por ajo nuk pranoi duke më thënë se nuk mund të hamë ne përpara se të hanë të sëmurët. Kështu që banketi mbeti ashtu siç u përgatit.

Në përfundim të takimit, të gjithë siç ishim e përcollëm dhe në shkallët e institucionit bëmë një fotografi, të cilën unë e kam zmadhuar dhe e mbaj në dhomën e gjumit. Nënë Tereza është simboli i dashurisë dhe dhimshurisë për njerëzit, për të varfërit dhe të sëmurët në veçanti. Ajo asnjëherë nuk ka menduar se edhe mund të sëmurej e të rrezikonte jetën duke u shërbyer të sëmurëve me sëmundje të rrezikshme, si lepra, sifilizi, malarja dhe tuberkulozi. Si një nënë e mirë i merrte në duar fëmijët e sëmurë, u shërbente, i ushqente dhe i mjekonte.

Ajo do të ngelet në jetë të jetëve një simbol i përkushtimit ndaj të sëmurëve, prandaj dhe ne punonjësit e shëndetësisë sa herë që ndodhemi para një të sëmuri në shtëpi apo në spital, apo kudo qoftë, të kujtojmë Nënë Terezën dhe dashur pa dashur do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të sëmurin që kemi përpara.

Unë e ndjej veten të lumtur dhe krenar që pata fatin e madh të takoj Nënë Terezën, t’í jap dorën e të bisedoj me të për ato probleme të cilave i kushtoi jetën e saj.

 

Dr Kanan Jakupi 

Ish drejtor i Institutit të Pneumoftiziatrisë, Tiranë