Boshatisja alarmate/ Shqipëria po varfërohet nga njerëzit, 30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht prej emigrimit dhe rënies së lindjeve

41
Sigal

 

Ja si rënia e popullsisë në moshat e reja ka marrë përmasat e një orteku që tashmë nuk mund ta ndalë asgjë. Boshatisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit.

 

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, lindën rreth 24.688 bebe, ose 9.3% më pak se në vitin 2021. Kjo ishte rënia vjetore më e fortë e lindshmërisë që nga viti 2000. Por teksa lindën më pak bebe, rënia për foshnjat femra ishte edhe më e fortë.

 Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensioni mesatar ishte vetëm sa 25.5% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Rënia e popullsisë në moshat e reja është aq e fortë sa ka marrë përmasat e një orteku që tashmë nuk mund ta ndalë asgjë. Boshatisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit.

Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 fëmijë, që lindën më 2021, rënia më e fortë që nga viti 2015 kur vendi u përfshi nga një valë e lartë e azilkërkuesve në vendet e BE-së. Në vitin 1990, në 100 gra kishin lindur 300 fëmijë.

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021.

“Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj e deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%. Përvojat e vendeve të Europës, që kanë pësuar rënien e lindjeve para Shqipërisë, kanë treguar se masat financiare, që jepen vetëm një herë dhe kryesisht kur lind fëmija, nuk janë efikase. Duhen paketa sociale në ndihmë të familjeve dhe mbështetje e përhershme për disa kategori.

Të dhëna krahasuese nga Kombet e Bashkuara tregojnë se rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Por teksa shtetet e tjera i paraprinë situatës, duke ofruar paketa sociale për të ngadalësuar rënien, Shqipëria ende nuk e ka qartë të problemin.

Mungesa e të dhënave të sakta rreth popullsisë banuese në vend, sidomos në rajone, po i vështirëson të gjitha ndërhyrjet. Lëvizjet e shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe nga ana tjetër, shtyrja e Censit nga viti 2020 për këtë vit i bëri nul të gjithë treguesit e tjerë, që lidhen me popullsinë dhe ekonominë, në një kohë që vendi ka parë valë të forta emigracioni që nga Censi i fundit 2011.

Demografët besojnë se norma e fertilitetit në Shqipëri e krahasuar me popullsinë banuese është më e lartë, por mungesa e të dhënave të sakta mbi popullsinë e bën të vështirë formulimin e mjeteve për ndërhyrje.

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.

“Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj e deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%.

Përvojat e vendeve të Europës, që kanë pësuar rënien e lindjeve para Shqipërisë, kanë treguar se masat financiare që jepen vetëm një herë dhe kryesisht kur lind fëmija, nuk janë efikase. Duhen paketa sociale në ndihmë të familjeve dhe mbështetje e përhershme për disa kategori.

Shembull në këtë rast është Franca, e cila nëpërmjet Ministrisë së Familjes ka ofruar një paketë sociale shumë të favorshme, që nxit normat e lindjes, duke e renditur këtë shtet me normën më të lartë të fertilitetit në Europë.

Ermira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet demografike, thotë se, mjeti më i mirë për të zbutur pasojat e tranzicionit demografik është zhvillimi ekonomik, i cili duhet të vijë nëpërmjet një reforme të thellë në arsim dhe modelin ekonomik të zhvillimit të vendit.

Shqipëria duhet të synojë integrimin e shpejtë në BE dhe në politikat e brendshme duhet të fokusohet për të krijuar mundësi për grupet e reja në moshë.

Në vendet e zhvilluara, që kanë përjetuar para nesh rënie të popullsisë, kombinimi i emigrimit dhe rënies së lindjeve, që shkaktojnë rënie të popullsisë dhe ndryshim të strukturës së saj, mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Në një popullsi në plakje, kompanitë investojnë më pak për të ardhmen, pasi punëtorët mbi të 50-tat priren të grumbullojnë kursime për të financuar pensionin e tyre. Normat e interesit bien dhe rritja ekonomike frenohet.

Aftësimi i të rinjve, tha ajo, duhet të nisë që në fazat e hershme të arsimit dhe nga ana tjetër, duhet që ekonomia të orientohet drejt degëve ku vendi është më konkurrues.

Sipas znj. Galanxhi, rritja e sektorit të turizmit është një moment i mirë për Shqipërinë dhe për të orientuar arsimin profesional drejt këtij sektori, në mënyrë që të frenohet ikja e të rinjve , për rrjedhojë, përmirësohen edhe treguesit e popullsisë.

Ekspertja thotë se, zhvillimi ekonomik duhet të jetë i shpërndarë drejt rajoneve, pasi lëvizjet e popullsisë nga periferia drejt qendrës janë bërë në raport të zhdrejtë me burimet ekonomike. Një zhvillimin i balancuar rajonal dhe një paketë politikash pro familjes, në një afat më të gjatë do të përmirësonte treguesit e fertilitetit.

Majlinda Nesturi, eksperte e demografisë, konsulente për çështjet gjinore në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, shprehet se kostot e larta të lidhura me rritjen e fëmijëve, si arsimi, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe kujdesi për fëmijët, mund të dekurajojnë çiftet që të kenë më shumë fëmijë.

Ajo këshillon politika nxitëse për familjen, stimuj financiarë për familjet e mëdha dhe mbështetje për balancën punë-jetë.

Një sugjerim të ngjashëm jep edhe sociologia Entela Binjaku, e cila thotë se, duhet të koordinohet një paketë masash që të ndihmojë të rinjtë që në fazën e studimeve dhe më pas, në krijimin e familjes së re.

30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht

 

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 77% të bashkive në vitin 2021.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt. Në vitin 2021, në Bashkinë e Pustecit nuk lindi asnjë foshnjë. Në atë të Dropullit kanë lindur vetëm 4 bebe, ose 50% më pak se në vitin 2011.

Në të njëjtin vit, në Bashkinë e Libohovës kanë lindur vetëm 21 foshnja, me rënie 57% nga viti 2011. Rënia më e fortë ishte në Bashkinë e Finiqit, ku për vitin 2021 kanë lindur vetëm 23 bebe, ose 74% më pak se në vitin 2011.

Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%. Rënia më e madhe e lindjeve rezultoi në Bashkinë e Pustesit, e cila nuk pati asnjë lindje më 2021 nga rreth 23 të tilla në vitin 2011.

Bashkia e Tropojës u rendit e dyta për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%. Në qytetin verilindor lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011.

Pothuajse në të gjitha bashkitë, ritmet e lindshmërisë ranë me ritme dyshifrore, përveç Tiranës, e cila në vitin 2021 kishte 6.7% lindje më shumë se më 2011. Bashkitë e vendit po vuajnë emigracionin e dyfishtë që i ka zbrazur nga moshat riprodhuese.

Kjo është shumë e dukshme në bashkitë e vogla, ku të rinjtë ikin në emigracion, për studime, apo punë në Tiranë dhe nuk kthehen më.

Për shkak të normës së ulët të fertilitetit, në shumicën e bashkive në vend, shtesa natyrore e popullsisë është negative, ku vdekjet janë shumë më të larta se lindjet.

 

82% e bashkive, me shtesë natyrore negative

 

Pothuajse 82% e bashkive të vendit kishin shtesë natyrore negative në vitin 2021, pasi vdekjet ishin shumë më të larta se lindjet. Të dhënat vitale të njësive vendore janë të disponueshme për vitin 2021, i cili ishte një vit jo i zakontë për nga mortaliteti që shkaktoi pandemia, ku vdekjet ishin gati 30% më të larta se mesatarja e viteve 2016-2019.

Vetëm 11 bashki ishin me shtesë natyrore pozitive, ku lindjet ishin më të larta se vdekjet dhe kryesisht janë të përqendruara në Veriun e vendit. Me kthimin në normalitet të mortalitetit në vitin 2023, tani kur pandemia ka kaluar, të dhënat mbi shtesën natyrore mbeten shqetësuese.

Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Në tremujorin e dytë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.

Rënia e popullsisë së grave trondit themelet e lindshmërisë

 

Përveç rënies së mprehtë të lindjeve në vitin 2022 u përkeqësuan edhe disa tregues në popullatën e femrave, që janë baza e riprodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, lindën rreth 24.688 bebe, ose 9.3% më pak se në vitin 2021. Kjo ishte rënia vjetore më e fortë e lindshmërisë që nga viti 2000. Por teksa lindën më pak bebe, rënia për foshnjat femra ishte edhe më e fortë.

Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Kjo ka përkeqësuar riprodhimin në perspektivë.

Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, p.sh. sa femra lindin nga 100 gra në moshë riprodhimi. KRB mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes dhe ky tregues është përkeqësuar më tej.

Sipas të dhënave të detajuara, lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra 35-39 vjeç ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje ishte 29,5 vjeç.

Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2022, tregojnë se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.

Si na varfëron mungesa e të rinjve

 

Në vendet e zhvilluara, që kanë përjetuar para nesh rënie të popullsisë, kombinimi i emigrimit dhe rënies së lindjeve, që shkaktojnë rënie të popullsisë dhe ndryshim të strukturës së saj, mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Në një popullsi në plakje, kompanitë investojnë më pak për të ardhmen, pasi punëtorët mbi të 50-tat priren të grumbullojnë kursime për të financuar pensionin e tyre.

Normat e interesit bien dhe rritja ekonomike frenohet. Shumë ekonomistë kanë vënë në dukje plakjen e shoqërive perëndimore, si një shpjegim kryesor për rritjen e ulët të produktivitetit dhe rënien e normave afatgjata të interesit.

Rasti më ilustrues është Japonia, ku cikli i saj i rritjes u frenua kur popullsia e saj në moshë pune filloi të tkurret. Një forcë pune më e plakur nuk është e aftë të jetë novatore në teknologji dhe novacion, por përkundrazi, kërkon një barrë të lartë shpenzimesh për shëndetin dhe pensionet.

Mungesa e të rinjve pengon orientimin e ekonomisë drejt sektorëve më produktivë dhe mungesa e produktivitetit mundëson më pak të ardhura për moshën e vjetër.

 

Sektori i arsimit, në përgjysmim

 

Në vitin shkollor 2010-2011 ishin të regjistruar në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë 782 mijë nxënës dhe studentë, ndërsa në vitin akademik 2022-2023, ky numër u reduktua në 545,222 ose gati 30% më pak sipas të dhënave të INSTAT.

Reduktimi i numrit të nxënësve në dekadën në vijim ka rrezik të përgjysmohet, pasi numri i lindjeve në vitin 2022 ishte vetëm 24 mijë bebe, ose 30% më pak se më 2011.

Deri në vitin 2032, pritet që sektori i arsimit të reduktohet me rreth 40%. Për demografët dhe ekspertët e arsimit, kjo është koha për të rritur cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet.

Ekspertja e çështjeve demografike, Ermira Galanxhi, thotë se, arsimi cilësor përmirëson të gjithë treguesit e tjerë që nga ekonomia edhe demografia.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se ulja e numrit të nxënësve nuk duhet të sjellë reduktim të fondeve në sektorin e arsimit, por rritje të cilësisë, nëpërmjet investimeve në trupën pedagogjike, atë akademike, në infrastrukturën arsimore, programe dhe në kërkimin shkencor.

Një ofertë e mirë arsimore mund të frenojë emigracionin e të rinjve dhe të tërheqë studentët e huaj. Aktualisht, për sektorin e arsimit, investimet janë më pak se 3% e PBB, teksa kriteret e UNESCO kërkojnë financime jo më pak se 5%.

Rënia e raportit mësues për nxënës duhet të rrisë cilësinë, thotë zoti Tafaj, sipas të cilit duhet që mësuesit të përgatiten dhe të shkollohen për mësimdhënie më shumë se sa në një lëndë. Shembujt e vendeve të tjera, sidomos ato në Europën e Veriut kanë treguar se investimet afatgjata në arsim janë baza më e mirë për të përmirësuar mirëqenien.

Rënia e shpejtë e numrit të lindjeve dhe ikja e të rinjve, që mund të lindin në 5 vitet e ardhshme po krijojnë një hendek të lartë në shkolla. Në vitin shkollor 2023-2024, më pak se 29 mijë fëmijë u regjistruan në klasat e para, në një kohë që 6 vite më parë kishin lindur 30 mijë e 800 foshnja.

Emigracioni me familje ka tkurrur ndjeshëm numrin e nxënësve në klasa në 5 vitet e fundit. Fenomeni ka qenë i dukshëm edhe në Tiranë, për të cilin anketat kanë treguar se kishte numrin më të lartë të emigrantëve të organizuar me familje gjatë 2011-2019, sipas një ankete të posaçme për emigracionin që u krye nga INSTAT.

Rritet varfëria ndër pensionistë

 

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.

Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensioni mesatar ishte vetëm sa 25.5% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018.

Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.

Me gjasa, hendeku do të zgjerohet në vitet në vijim, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.

Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.

Në fund të qershorit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 30% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 67,805 lekë. Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me zgjerim vetëm 6%.

Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më e thellë për fshatin. Në vitin 2022, pensioni mesatar në fshat ishte 10,349 lekë sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo shumë ishte vetëm sa 16.7% e pagës bruto në të njëjtën periudhë.

Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit, pasi qeveria po rrit pagat për administratën publike, me qëllim dyfishimin e tyre në dy vitet në vijim, teksa për pensionet parashikohet vetëm indeksim.

Gjatë këtij viti, pensionet u indeksuan me 8.6%. Nga ana tjetër, numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 50% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% më 2021.