Bletërritësit e Korçës po plaken, të rinjtë s’kanë interes, mjalti larg standardeve të BE-së

335
Sigal

Mjalti shqiptar larg standardeve të Bashkimit Europian

Bletërritësit e qarkut Korçë po plaken, të rinjtë pak të interesuar

Nga Vepror Hasani

 

Problem shqetësues, jo vetëm për qarkun e Korçës por për gjithë vendin vijon të mbetet plakja e bletërritësve, mosha mesatare e të cilëve aktualisht shkon në 57 vjeç, ndërsa interesi i të rinjve për këtë profesion nuk është në nivelin e kërkuar sepse kjo veprimtari ekonomike përballet me rreziqe të përhershme siç janë pesticidet dhe herbicitet, motet e shoqëruara me rreshje të dendura dhe temperatura të ulta dhe sëmundje të ndryshme siç është varatoza dhe problematika të tjera. Për të gjitha këto arsye, nga institucionet përkatëse duhet të tregohet me shumë vemendje ndaj të rinjve: t’u ofrohet më shumë përkrahje, të njihen me biologjinë e bletës, të njohin sëmundjet, dëmtuesit, mënyrën e mjekimit dhe të ushqyerit me qëllim mospërballjen me humbje të koshereve. Madje duhet thënë se gjatë viteve të fundit ka pasur humbje të mëdha familjesh blete (koshere). Në vitin 2016 bletarët humbën më shumë se 140 mijë po kështu edhe në vitin 2017, 144 mijë, në vitin 2018, 164 mijë, humbje u shënuan edhe gjatë vitit të kaluar 2020.  Mesatarisht humbjet e çdo viti kapën shifrat e 20 milionë dollarëve. Më të dëmtuar rezultuan bletarët e vegjël, të cilët sigurojnë të ardhura sa për familjet e tyre. Të dhënat e mësipërme i kemi mbledhur gjatë takimeve të bletërritësve të qarkut Korçë, ku të pranishëm kanë qenë kryetari i shoqatës se bletërritësve shqiptarë, Viktor Malutaj, dhe kryetari i shoqatës së bletërritësve për qarkun e Korçës, Gëzim Skerma.

Shkaqet e humbjeve të mëdha

Shkaqet e humbjes së bletëve janë të disa, por gjithnjë të njëjta, si përdorimi me tepëri i  herbicideve dhe  pesticideve tek bimët dhe  pemët; përdorimi i kimikateve të pakontrolluara; mosvënia në dijeni e bletërritësve kur bëhen spërkatje, që këta të fundit të marrin masa për ruajtjen e bletëve, ose mbylljen e tyre në koshere; mosndëshkimi i përdoruese të kimikateve të pakontrolluara, prerja e pyjeve dhe mbjellja e hashashit. Për shkak të pranisë së kësaj bime, bleta arratiset. Sëmundjet janë gjithashtu një faktor tjetër; mungesa e standardeve në mjekim etj. Për këtë arsye duhet bërë më shumë përsa u përket politikave për zhvillimin e këtij sektori dhe të ofrohet mbështetje financiare e mjaftueshme me qëllim kapërcimin e humbjeve të fermerve. Politikat mbështetëse të vendeve fqinje janë, pohojnë bletarrët janë shumë më efikase në krahasim me ato që u ofrohen bletërritësve shqiptarë. Sipas kryetarit të shoqatës së bletërritësve, Gëzim Skerma, “Në qarkun e Korçës, prodhimi i mjaltit zë 1/5 e prodhimit në vend dhe mbetet i kërkuar brenda dhe jashtë vendit. Çdo familje blete jep afërsisht 10-12 kg. mjaltë. Vetëm këto shifra mjaftojnë për të kthyer vëmendjen te ky sektor, veçanërisht ndaj të rinjve, pasi kërkesat për bletari janë në rritje. Çdo vit numri i aplikimeve për subvensione shkon mbi 30 veta, por ndihma që jepet duhet të jetë më e madhe.

Pandemia, Covid-19, shtoi sasinë e mjaltit!

Atë që nuk arrijnë ta bëjnë dot institucionet përgjegjëse për bletarinë, kontrollin mbi përdorimin e pesticideve dhe herbicideve, mundi ta bëjë pandemia Covid-19. Sipas bletërritësve, gjatë periudhës së pandemisë, pesticidet dhe herbicidet që u përdorën nga fermerët ishin në sasi shumë më të vogla në krahasim me vitet e mëprashme. Për këtë arsye, sasia e mjaltit nga 10 kg për koshere shkoi deri në 12, ajri ishte i pastër, pluhura nuk pati, bleta punoi e qetë dhe e patrazuar nga helmet. Madje asnjë bletërritës nuk u prek nga koronavirusi, kjo jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën. Gjithashtu edhe pranvera ishte shumë e mirë, moti i butë, pa rreshje të shpeshta dhe pa temrperatura të ulta. Kjo gjë, pohojnë bletërritësit, duhet të ndodhë çdo vit, të kontrollohet sasia e pesticideve të përdorura, që edhe cilësia e mjalit të jetë më e lartë. Qarku i Korçës ka rreth 50 mijë familje blete, ku bashkia e Korçës ka pjesën më të madhe. Në këtë  qark prodhohen 600 tonë mjaltë. Në shkallë vendi gjenden 360 mijë familje blete të cilat arrijnë një prodhim prej 4,500 tonë mjaltë

Më shumë ndihmë nga qeveria

Sipas kryetarit të shoqatës së bletërritësve për qarkun e Korçës, Gëzim Skerma: “Instancat duhet të reagojnë, pasi ndihma nga qeveria shqiptare është shumë e paktë. Gjithnjë jemi shoqëruar me humbje të prodhimit. Kështu ndodhi edhe në fermat Polenë, Drithas, Sheqeras etj ku  pati ngordhje masive të bleteve për shkak të  përdorimit të preparateve kimike. Madje pati fermerë që u shkatëruan plotësisht. Gjendja e viteve të mëparshme u pranua edhe nga Drejtoria e Bujqësisë. Ndaj kërkojmë më shumë  ndihmë të specializuar nga Drejtoria e Bujqësisë, rritje të subvencioneve, pasi ky treg ende nuk plotëson kërkesat brenda vendit, ndërsa ajo që ofron për eksportin është  e papërfillshme, dhe kjo sasi nuk shkon për tregun e Bashkimit Europian, pasi Shqipëria edhe për këtë produkt nuk përmbush standardet e kërkuara, ndaj shkon për tregje të tjera, madje deri në Kinë. Të gjithë këto tregojnë sa shumë duhet investuar në këtë biznes që siguron të ardhura të mira, pa shumë shpenzime, por që deri në konsolidimin e tij, ndihma e qeverisë duhet të jetë reale. Bletarët shpresojnë që për vitin 2021 të mos humbasin sërish mijëra koshere për të njëjtat arsye që treguam më lart. Njëkohësisht të bëhen përpjekje për nxitjen e të rinjve në ushtrimin e profesionit të bletërritësit.

Shoqata e bletërritësve kërkon

Ndaj shoqata e bletërritësve aktualisht po kërkon më tepër  ndihmë të specializuar nga Drejtoria e Bujqësisë dhe rritje të subvencioneve, pasi ky treg ende nuk plotëson kërkesat brenda vendit, ndërsa ajo që ofron për eksportin është e papërfillshme. Gjithshtu vëmendja po drejtohet edhe nga të rinjtë, pasi mosha mesatare e bletërritësve po rritet Të gjithë këto tregojnë sa shumë duhet investuar në këtë biznes që siguron të ardhura të mira, pa shumë shpenzime, por që deri në konsolidimin e tij, ndihma e qeverisë duhet të jetë reale.