Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Agasi: Moikom Zeqo, një politikan i madh vizionar

369

Një vit nga ndarja e jetës

Sigal

 

Më 15 qershor mbushet një vit nga heshtja përgjithmonë e një prej personaliteteve më të shquar të kombit tonë, Moikom Zeqos. Një vit dhe mungesën e tij e kanë ndjerë njerëzit e botës së artit dhe të letërsisë, të shkencës, historisë, filozofisë, arkeologjisë, enciklopedisë etj, ndonëse krijimtaria e tij e gjerë krijuese dhe studimore ka vazhduar të pasqyrohet në faqet e shtypit dhe në ekranet e ndryshme. Në këtë përvjetor të dhimbshëm, si një nga miqtë e tij më të afërt dhe më të hershëm që nga vitet e fëminisë, nuk do të hidhem në kujtime të shumta të kësaj miqësie afër 60 -vjeçare, por në rolin dhe kontributin e madh të Moikomit si një politikan i shquar që nga vitet e fundit të diktaturës, deri në ditet e fundit të ndarjes së tij nga jeta, ku ai u shfaq edhe si një personalitet i madh i politikës, si me angazhimet e tij të drejtpërdrejta si pjesmarrës, ashtu dhe përmes shkrimeve e artikujve të panumërt, sidomos në këto tri dekada të tranzicionit. Pak është folur për Moikomin si politikan, për idetë e tij mbi zhvillimet demokratike dhe problemet kombëtare, por më shumë për vlerat e krijimtarisë së tij në letërsi dhe në fusha të tjera, nisur nga vepra e tij shumëdimensionale. Edhe pse deputet vetëm në një legjislaturë në vitet 1992-1996, apo drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, edhe pse për shumë vite i lënë i papunë nga qeveritë e të dy krahëve, kontributi i tij në politikë ishte gati i përditshëm, ku ai si një analist i thellë hidhte dritë mbi zhvillimet dhe ngjarjet politike me objektivitet dhe paanshmëri, duke ideuar vetëm në dobi të progresit të demokracisë dhe të interesave kombëtare. Me të drejtë ai është vlerësuar si një rilindës i ditëve tona, vazhdues i traditës më të formuar atdhetare ndër vite. Zeqo mbetet si një model i politikanit demokrat, antikonformist, parimor, vizionar dhe atdhetar, i cili gjithmonë udhëhiqej në të gjithë punën dhe jetën e tij nga deviza,  Kombi mbi të gjitha.

Jo vetëm nga krijimtaria dhe veprimtaria e dokumentuar, që krahas njëqind librave, si askush tjetër autor në letërsinë tonë, por dhe e shpërndarë në artikuj dhe shkrime të panumërta, në diskutime në forume brenda e jashtë vendit, unë  ruaj të gjalla në kujtimet e mia bisedat e përbashkëta ku ai shfaqte qëndrimet e tij plot realizëm mbi zhvillimet dhe ngjarjet politike në vend. Duke qenë bashkë edhe në një tryezë në sallën e kuvendit të Shqipërisë në periudhën më të vështirë, por dhe në aktivitetet e të njëjtës forcë politike, apo në udhëtime dhe takimet tona të përditshme, kam patur mundësinë të njoh në thelb karakterin e tij politik, qëndrimin e tij stoik, të palëkundur për të shprehur të vërtetën, e cila ishte gjëja më e çmuar e tij. Edhe pse ai njihej për pikëpamjet e tij të majta, socialdemokrate, për të ishte bërë një refren i vazhdueshëm se…Kombi qëndron jo vetëm mbi monizmin e diktaturës, por edhe vetë mbi pluralizmin e Demokracisë, Ai edhe vetë në ish periudhën e rëndë të diktaturës. jo rrallë u shfaq me qëndrime kundërvënëse ndaj saj, duke ndjerë dhe masa ndëshkuese të njohura. Në vazhdë të tyre ai u bë një nga protagonistët kryesorë të ndryshimeve të mëdha politike në Shqipëri. Është mëse i ditur qëndrimi i tij kritik deri para udhëheqjes kryesore të ish Partisë në pushtet, se kishte ardhur koha për një alternativë qeverisëse, apo qëndrimi i tij kritik në Kongresin themelues të PS-së, krahas atij të D.Agollit, ndaj vetë ish diktatorit komunist. Ai u bë një nga kontribuesit kryesorë të programit të ri themelor të kësaj partie. Edhe pa qenë anëtar i Partisë Socialiste, ai u bë një nga drejtuesit e saj më me autoritet për moralin e tij të lartë dhe angazhimet e tij në ballë të zhvillimeve të brendshme për ecurinë progresiste, për shkëputjen e saj të plotë nga trashëgimia dhe mentaliteti i së kaluarës komuniste. Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë zëri i tij dëgjohej me vëmendje  si i një të dituri të madh. që të imponohej me forcën argumentuese dhe të respektuar edhe nga kundërshtarët politikë. Kujtohen me admirim fjalimet e tij në Kuvend për probleme thelbësore të zhvillimeve demokratike, apo kundër deformimeve që u bëheshin atyre, siç ishin në rastet për hartimin e kushtetutës së Shqipërisë, për nenin famëkeq 24/1, për stemën e Republikës, për flamurin kombëtar, për luftën e egër që i bëhej opozitës, për rolin e saj të madh në një vend demokratik, për ditën e çlirimit në 29 Nëntor, për rolin e madh të rinisë së vendit dhe vëmendjen ndaj saj, për rolin e madh të medias si një pushtet i pavarur, për lirinë e shtypit, për kulturën. Edhe duke qenë jashtë parlamentit, ai me shkrimet e shumta, manifestoi qëndrimet dhe mospajtimin me  disa dukuri gërryese të realitetit tonë, si korrupsioni, nepotizmi në pushtet, moskonsensuesi mes forcave politike. Ai theksonte si nevojë të domosdoshme mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, që ..“krijojnë shanse të pabesueshme, çlirojnë energji politike kolosale, „ Ndërsa dukurinë e nepotizmit në shtet, në nomeklaturën e hierarkisë ai e shihte si ,,Koncept të mirëfilltë kanunor“

Zeqo jo rrallë trajtoi temën e diferencimit në shoqërinë tonë, të hendekut që thellohej gjithnjë e më shumë midis disave që po ngrenin pasuri të mëdha dhe shumicës që po varfërohej deri në mjerim.. …Një Shqipëri e disave, shkruante ai në librin e tij `Purgatori shqiptar`,  nuk përputhet me Shqipërinë e të tërëve. Zhvillimin e suksesshëm të një sistemi të vërtetë demokratik ai e kushtëzonte  me emancipimin e klasës politike, të forcave politike dhe të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Shqipërisë, përfshirjen e njerëzve më të aftë dhe të specializuar në administratën publike dhe në përgjithësi në institucionet shtetërore. Ai pa hezitim kërkonte që vetë drejtuesit shtetërorë dhe ata partiakë duhet të emancipojnë veten për të rritur emancipimin e institucioneve  që drejtojnë. Ai që nga Washington DC i drejtohej me një letër një drejtuesi të një partie kryesore. `Emancipo veten që të emanciposh Partinë`. Me indinjatë ai ngrihej kur në këto institucione, veçanërisht në atë legjislativ zinin vend njerëz mediokër, me kulturë të cunguar, madje dhe pa arsimin e duhur dhe aq më keq, njerëz të lidhur me korrupsionin, rryshfetet apo nga burime të errta financiare të biznesit. Parlamenti, vinte në dukje ai, duhet të përbëhet nga intelektualë të njohur të të gjitha fushave, veçanërisht të drejtësisë dhe ekonomisë, intelektualë të ndershëm me reputacion. Vetëm diktatura që në gjenezën e saj nuk mund të pranojë alternativën që në krye të Kombit të udhëheqin burrat më të ndritur, mendjet më të fuqishme.`… Madje Zeqo bëhet një përkrahës i fuqishëm i tezës së ngritur dhe të qarkulluar në rrethet më intelektuale të vendeve më të zhvilluara dhe më demokratike, i ngritjes së parlamenteve të shkrimtarëve. `Përse të mos kenë dhe shkrimtarët parlamentarët e tyre?“  -pyeste ai. Sa e sa herë ai ngriti kërkesën për rritjen e fondeve të kulturës, për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. -Një komb që s’kujdeset për kulturën e tij është i destinuar të shkojë drejt shuarjes, një qeveri që nënvleftëson kulturën është e destinuar të dështojë`. Në një takim me shkrimtarin e madh turk Jashar Qemal, Zeqo i drejtohet atij…`Ju jeni anëtar i Partisë së Artit, parti më e madhe dhe më e fuqishme.`

Trajtimi i çështjes kombëtare, i pavarësisë dhe njohjes së Kosovës, i të drejtave të shqiptarëve kudo ata jetojnë në trojet e tyre, kudo ata janë dhe në emigracion, ze një vend të madh e të rëndësishëm në tematikën e  gjerë të krijimatarisë dhe veprimtarisë së Moikomit. Në librin dhe në korespondencën me Rexhep Qosen, në shkrimet për Ukshin Hotin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin, për UÇK, për shkrimtarë dhe akademikë të Kosovës, etj, krahas vlerësimit të madh ndaj tyre, ndjehet patriotizmi i lartë i Zeqos. Pikërisht, nga ky qëndrim, ai provoi për disa ditë qëndrimin në qeli në Mal të Zi, nga qarqe pro shovinizmit serb.

Ndoshta në një të ardhme do të mundësohet studimi me vete edhe i veprimtarisë politike të Moikom Zeqos, përmbledhje me shkrimet, fjalimet dhe qëndrimet e tij politike si të një rilindasi të vërtetë të kohës sonë, jo thjesht për vlerat njohëse, por për vizionin dhe frymën demokratike që i shërbejnë të ardhmes dhe integrimit të plotë të vendit në familjen e madhe evropiane.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest, si një homazh timin për shokun dhe mikun tim të pazëvendësueshëm, Moikomin, përmend një autograf që  Jashar Qemali shkruajti për të, `Për Moikom Zeqon, fjala është një pemë,` -kopësht i pafund është vepra e Moikom Zeqos.