Berlin/Eksperiencë unike e Korit të Vajzave të Liceut Artistik “Jordan Misja”

646
Sigal

Mes datave 15-19 Gusht, 2019, falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Zyrës Arsimore Vendore Tiranë, Kori i Vajzave të Liceut Artistik “Jordan Misja” ka performuar në “Takimin Ndërkombëtar të Koreve” në Berlin – një aktivitet i organizuar nga Shoqata e Koreve të Berlinit në Gjermani.
Për herë të dytë tashmë, kori i 40 vajzave të liceut ka kënduar duke promovuar vlerat kulturore, artistike, qytetare dhe europiane në kryeqytetin gjerman.
Vajzat shqiptare kanë përjetuar një eksperiencë unike duke performuar bashkë me Korin e Vajzave të Berlinit dhe duke bashkëpunuar njëkohësisht me dirigjentë të mirënjohur ndërkombëtarë.
Grupi shqiptar është bërë pjesë gjithashtu e një sërë aktiviteteve të tjera të përbashkëta si: workshop-et, provat, vizitat pranë familjeve gjermane, ato turistike, kulturore etj.
Pas pjesëmarrjes në evente të shumta ndërkombëtare, ky është edhe bashkëpunimi i dytë me Korin e Vajzave të Berlinit, pas atij të 2017-tës. Një fakt i tillë tregon më së miri cilësinë e lartë të interpretimit të Korit të Vajzave të Tiranës duke performuar këngët korale shqiptare për publikun gjerman si dhe duke pasuruar repertorin koral me zhvillimet aktuale të koreve në Evropë.