Nuk jemi dele të na vini me urdhra nga Balla

736
Sigal

Rebelohen socialistët e Shkodrës, peticion kreut të PS-së: Stop, kandidatëve të importuar nga Tirana dhe na jepni llogari për personat e inkriminuar: VOA: Bllokimi i fondeve të Bashkisë së Shkodrës dhe paqartësitë ligjore për zgjedhjet vendore

“Zëri i Amerikës”: Bllokohen fondet e Bashkisë së Shkodrës

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokoi, në përfundim të orarit zyrtar të ditës së martë, fondet e Bashkisë së Shkodrës. Dega e Thesarit nuk pranoi të kryejë veprime për likuidimin e faturave të shërbimeve të kësaj bashkie, çka do të thotë bllokim i veprimtarisë financiare dhe administrative të saj. Përmes një e-maili të orës 15:02, dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, njoftohet Bashkia e Shkodrës se “Sipas ligjit, Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati me datën 20.08.2019, ora 16.30 sipas orarit zyrtar. Për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak ai që duhet të zgjidhë problemin”. Njoftimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vjen një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, i cili u krye në një situatë të tensionuar pasi mbështetës të opozitës protestuan para sallës ku po zhvillohej takimi. Kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta të vendit, deklaroi menjëherë pas kostituimit të Këshillit Bashkiak se “do të jem në detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e Bashkisë së Shkodrës deri ku të gjithë të mund të zgjedhin të lirë” . Pas bllokimit të financave të bashkisë, kryebashkiakja Ademi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe gjithë trupit diplomatik, duke e cilësuar bllokimin e financave dhe funksionimin e bashkisë si një akt politik nga qeveria Rama.

Socialistët e Shkodrës peticion kryeministrit Rama: Stop, kandidatëve nga Tirana

Dega e PS-së në Shkodër, përfshi këtu edhe drejtues të Organizatave Socialiste, duket se janë rebeluar ndaj Kryeministrit Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, por edhe ndaj grupit të deputetëve socialistë të Shkodrës. Burime nga PS bëjnë të ditur se në qytetin më të madh në veri të vendit, në radhët e socialistëve po mblidhen firmat për një peticion drejtuar Ramës, ku veç të tjerave do t’i kërkohet që të mos përcaktojë ose vendosë veton për kandidatët për kryetar bashkie, deputetë apo këshillat bashkiakë. Mësohet se kritika të forta ka pasur edhe ndaj drejtuesit të degës lokale në Shkodër, Edmond Emini, i cili fajësohet mbi pranimin e kandidaturës së Valdrin Pjetrit, kur emri i tij nuk ishte fare mes emrave të propozuar nga baza socialiste. Përmes peticionit, socialistët shkodranë kërkojnë nga Rama që të kërkojë falje publike lidhur me kandidimin e Pjetrit, të cilit gjithashtu i kërkojnë që t’i kërkojë falje drejtpërsëdrejti çdo personi të angazhuar në fushatën e tij në votimet e 30 qershorit. Duket se të pakënaqur socialistët shkodranë janë edhe me zgjedhjet për drejtuesit e Këshillit Bashkiak, ku sërish emri i propozuar për kryetare u caktua nga Tirana dhe iu imponua anëtarëve socialistë të këshillit. Burime nga dega e PS-së shprehen se Kryeministrit Rama do t’i kërkohet që praktika të tilla të mos aplikohen, duke nisur që nga përzgjedhja e emrit për kryebashkiak të Shkodrës. “Nuk mundet që vendimmarrja në strukturat e PS-së të përcaktohet nga një deputet që zyrtarisht nuk është pjesë e strukturave tona”, shprehen burime nga PS-së, ndërsa në mesazhin drejtuar Ramës, paralajmërohet se në rast të mos reflektimit, nuk do të ketë angazhim në fushatë prej tyre.