Banorët e Qytetit të Korçës të rrezikuar nga sëmundjet e qenve endacakë

431
Sigal

100 vjet më parë, kur Edit Durham hyri në Korçë, gjeti një qytet pa asnjë qen

Turbekulozi dhe tërbimi dhe sëmundje që shkaktohen nga qentë

Vepror Hasani

 

Aktualisht në qytetin e Korçës qentë endacakë i gjen në çdo vend: në rrugë, në parqe, në lulishte, në pedonale, në qendër, në periferi, mes pallateve, te vendi i quajtur “muri i kazermave”, te parku “Rinia”, te “Vangjush Mio”, te “Shën Maria” te zona e pazarit, te kazanët e plehrave, pranë institucioneve etj. Diku i sheh në lëvizje e diku në gjumë, diku në hije e diku në diell, diku duke lehur e diku duke ndjekur njeri-tjetrin, e kudo gjetkë. E përditshme është qendresa e tyre edhe  para ndërtesës së Bashkisë së Korçës; disa janë të vaksinuar e disa jo, disa nga qentë janë të hershëm e disa të sapoardhur, por gjithnjë duke e shtuar numrin e tyre. Një kope tjetër qensh “viziton” varrezat e qytetit, sepse pranë varreve mund të gjejnë ushqim. Disa prej qenve duken që atje tej që janë bartës të sëmundjeve, pasi u kanë mbetur vetëm kockat dhe lëkura, kruhen parreshtur dhe lëvizin të hallakatur e të veçuar prej tufës; disa prej tyre gjenden të ngordhur rrugëve. Në qytetin e Korçës një pamje e tillë nuk ishte parë kurrë gjatë qeverisjes së themeluesit të qytetit të Korçës ose siç thuhet ndryshe gjatë qeverisjes së Mirahorëve, gjithkush që kishte një qen e mbante në shtëpi të vet dhe nuk e lëshonte rrugëve, përgjegjës ishte pronari i qenit dhe rregullat e vendosura nga vetë banorët e qytetit të Kor çës, zbatimi i të cilave ishte përgjegjësi e Bashkisë.

Sëmundjet e qenve të rrezikshme

Qentë endacakë, ose pa zot, janë rrezik real për shëndetin dhe jetën e banorëve të Korçës, veçanërisht për fëmijët e vegjël, për gratë dhe të moshuarit, pasi siç e thamë më sipër ata janë të pranishëm në çdo vend dhe skutë të qytetit. Një pjesë e tyre nuk arrin të sigurojë ushqimin e përditshëm; kjo i bën agresivë ndaj njerëzve, që kalojnë pranë tyre. Në raste të tilla kafshimi bëhet përcjellës i sëmudjeve të rrezikshme të cilat mund të çojnë deri në vdekje. Sipas mjekëve veterinerë, në këto sëmundje bën pjesë tërbimi (vdekjeprurës), tetanozi, gjithashtu vdekjeprurës nese nuk aplikohet serumi antitetanik brenda 24 orëve; sëmundje infektive janë edhe leishmania, gastroenteritis koronaviral i qenit(ÇV), infeksioni nga herpes virus dhe trakeobronkiti i qenve; gjithashtu qentë janë edhe mbartës të sëmundjeve si ekinokoku, varicella, toxoplazmoza etj të cilat shkaktohen  prej kafshimit. Por sëmundjet e qenit mund të përhapen edhe nëpërmjet ajrit kur sëmundja është me rrufë ose me kollë, ose kur prek një qen me lëkurë të infektuar. Gjithashtu sëmundjet infektive të qenve mund të përhapen edhe prej qendrimit afër fekaleve të tyre ose edhe prej erës së tyre. Pra, qentë endacakë të pavaksinuar mbeten rrezik real për jetën e banorëve të qytetit të Korçës. Gjithashtu duhet thënë që në qytetin e Korçës ka patur edhe raste të kafshimit të njerëzve prej qenve, të cilët kanë marrë ndihmën e menjëhershme mjeksore. Me këtë rast duhet të kujtojmë se kjo prani kaq e madhe qensh në jetën e qytetarëve ka ndodhur, së paku për qytetin e Korçës, vetëm pas viteve “90.

Përgjegjësia e Bashkisë Korçë

Në lidhje me këtë problem, nga burime pranë bashkisë Korçë mësohet se vitin e kaluar u ngrit një strehëz për qentë endacakë me synim kryerjen e sterilizimit të tyre, madje për këtë qëllim, nga të ardhurat e vetë institucionit, u çel një fond prej 800 mijë lekë, gjë që bëri të mundur sterilizimin e 225 qenve. Gjithashtu Bashkia ka patur bashkëpunim edhe me shoqatën e të drejtave të kafshëve Animal Rescue Albania. Të njëjtat burime pohuan se edhe gjatë këtij viti do të vijohet me sterilizimin e qenve femra  me synim shmangien e shtimit të tyre. Megjithatë, pavarësisht masave të marra, një zgjidhje përfundimtare për praninë e qenve në qytet deri më sot nuk ka patur. Që prej viteve ’90 e këtej qentë zotërojnë çdo hapësirë të qytetit të Korçës.

Edit Durham 100 e ca vjet më parë:

Korça pa asnjë qen në rrugë dhe plehra

 

Edith Durham vizitoi Korçën në vitin 1904, pasi kishte përshkuar pjesën më të madhe të krahinave të Shqipërisë duke përfshirë edhe Malësinë e Veriut. Në udhëtimin e saj në Ballkan, Durham e shquan Korçën si më i veçanti ndër të gjitha qytetet e Perandorisë Osmane. “Korça është një qytet i habitshëm. Është i pastër, shumë i pastër, më i pastri që njoh unë në Perandorinë turke, me rrugë të drejta, të shtruara mirë, pa asnjë qen në rrugë dhe plehra. Qëndron mbi një fushë të rrethuar me male, rreth 700 metra mbi nivelin e detit, është i shëndetshëm dhe ka ujë të pijshëm të mirë.