Av. Bledi Dervishi: Kujdes me Reformën në Drejtësi apo për formën ?!

22
Sigal

Besoj të gjithëve u vjen mirë që aktiviteti parlamentar do t’i kthehet normalitetit.

Por pas hyrjes në diskutime mes palëve më habisin këto deklaratat e përsëritura se nuk do të prekim ligjet e reformës në drejtësi. Janë, ose deklarata të pamenduara mirë, ose përcjellje e sforcuar e qëndrimit për ndërkombëtarët se vetëm me reformën në drejtësi nuk kemi punë.

Ndërkombëtarët e dinë më mirë se kushdo që ligjet e reformës janë prekur disa herë deri më tani, dhe kanë nevojë të përmirësohen sërish. Sepse nga zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve, janë konstatuar problematika thelbësore, të cilat mesa duket nuk ishin vlerësuar aq thellë dhe drejtë sa duhet, si nga ekspertët ndërkombetar dhe ata vendas që i bashkëshoqëronin.

Këta të fundit, pra ekspertët vendas, në shumicë i kemi dhe zbatues direkt në postet që kanë marrë në sistem, apo jo?

Janë po këta, që në rolin e ekspertit të lartë i hartuan ligjet gabim, ndërsa sot në rolin e zbatuesit në praktikë kërkojnë përmirësime të ligjeve të reformës, ndërkohë që palët politike deklarojnë se nuk do t’i prekin këto ligje, pa dakordësinë e ndërkombëtarëve.

Hipokrizi e madhe, kjo punë.

Që ka nevojë për ndërhyrje, kjo nuk do shumë mend e kalem. Sepse sistemi gjyqësor është në kolaps funksional dhe kjo e pranuar nga vet organet qeverisëse të drejtësisë.

Nuk të thonë gjë ndërkombëtarët kur ndreq, por mos fusni duart për ta prishur edhe më keq.

Ndaj këto deklarata se nuk prekim ligjet e reformës, mendoj se nuk duhen, sidomos nga aktorët politik, pasi krijohet ideja që Kuvendi, edhe pse i është kërkuar ndryshim nga KLGj, KLP, PP, etj, do të vazhdojë të mos bëjë asgjë për vonesat dhe krizën e funksionalitetit në sistemin gjyqësor.