Speciale / Duhet të kishin kaluar 2 ose 3 vjet nga parada e famshme e besnikërisë në sheshin e Shkollës së Bashkuar, ku uniformat ushtarake, ritmi, thirrjet dhe marshimi na kishin krijuar bindjen se përballë kishim diçka të pathyeshme, “Shtetin e kohës’. Por një ditë pranvere nga fundi i viteve ’80-90-të, kur ishim nw stwrvitje, bashkë me shokun e klasës, ishim shtrirë në një lëndinë diku pas varrezave të Tufinës, me mendjen dhe sytë gjysmë të mbyllur, dhe imagjinonim ende avionët që do të hidhnin kuti mishi, çokollata dhe byrekë. Atherw kuptova qartë diçka: “Shteti kishte rënë”…! M’u kujtua sot kjo copëz historie, teksa dëgjoja debatin e madh në Shqipëri për AKSHI-n dhe “Rënien e Shtetit”.
Duhet të kishin kaluar dy ose tre vjet nga parada e famshme e besnikërisë në sheshin e shkollës sonë. Shteti i kohës, me gjithë fuqinë e vet, kishte treguar forcën ose të paktën kështu na dukej neve, studentëve të rinj, që e kishim ndjekur atë paradë mbresëlënëse nga dritaret e Shkollës së Bashkuar. Uniforma, ritmi, thirrjet dhe marshimi na kishin krijuar bindjen se përballë kishim diçka të pathyeshme.
Duhet të ketë qenë një ditë pranvere nga fundi i viteve ’80-të, kur bashkë me shokun tim të klasës, Fadil Veliu, ishim shtrirë barkas në një lëndinë diku pas varrezave të Tufinës. Ishte vendi ku, një herë në javë, klasa jonë ose më saktë Toga e Pestë zhvillonte stërvitjet për mbrojtjen kundër desanteve ajrore, që i kishin vënë syrin kodrave te Tufinës për t’i pushtuar me çdo kusht.
Vinim në këmbë nga Shkolla e Bashkuar dhe ktheheshim po në këmbë, duke nxituar në një peizazh gri e surreal, por gjithmonë të lumtur që hapat tanë, në fund, na çonin drejt mensës.
Por ajo ditë që më është ngulitur në kujtesë ishte ndryshe. Dukej fillim pranvere. Bari mbante erë mjalti dhe qielli ishte thellësisht blu. Unë dhe Fadili ishim shtrirë në bar, duke pritur sinjalin që grupi ynë të hidhej në sulmin imagjinar kundër desanteve që do të zbrisnin nga avionët armikë.
Ndërsa prisnim bilbilin e komandantit, u rrotulluam të gjithë në shpinë, me sytë nga qielli dhe avionët imagjinarë. Papritur, ndoshta nga ngrohtësia e diellit, nga ëmbëlsia e aromës së barit, nga lulet që kishin nisur të çelnin, ose thjesht nga absurditeti i gjithë asaj skene, na zuri një përgjumje e çuditshme. Dhe bashkë me të, i harruam desantet armiq.
Nuk e di pse Fadili, shoku im i çdo rebelimi në shkollë, me sytë nga qielli, po ëndërronte parashuta shumëngjyrëshe që mbanin thasë me kuti mishi kuti të mëdha, të rënda, plot mish të butë. Mish që mund ta vendosnim mbi bukën e zezë ose mbi bukën e misrit që ndonjëherë e blinim te furra e lagjes. Ose t’ia hidhnim fasuleve tona të përditshme.
“Imagjino,” thoshte Fadili, “parashuta me kuti mishi që shpërndahen nëpër lëndinë.”
“Po ti?” më pyeti duke më hequr nga përfytyrimi se si mund të hapeshin ato kuti me bajonetë apo lopatë xhenieri.
“Çokollata, Fadil,” i thashë. “Çokollata të mëdha, si tullat e pallateve që rrethonin shkollën tonë. Tulla të trasha, të rënda, të bëra me dorë.”
“Ka çokollata aq të mëdha?” pyeti ai, dyshues.
“Ka,” i thashë me autoritetin e atij që kishte parë reklamat e RAI-t sa herë shkonte në shtëpi. “Ka dhe me shije të ndryshme.”
Romeo, një djalë i dobët nga Përmeti, që mezi e mbante armën në kurriz, na ndërpreu. Me zërin e tij të hollë tha:
“Po sikur të hidhnin byrek nga avionët?”
Mbylli sytë, me sa dukej duke ëndërruar byrekët e plakave të lagjes së tij.
“Lërini ëndrrat me kuti mishi,” vazhdoi. “Byrek me mish apo me qepë ajo do ishte mrekulli.”
Të përhumbur në dëshirat tona, shtrirë në luginën e Tufinës, nuk dëgjonim as bilbilin e komandantit dhe as zërin e Bardhit, komandantit të klasës (një gjeneral i ardhshëm ) që na kërkonte të ngriheshim, të sulmonim pozicionet e “armikut” dhe të qëllonim tabelat me karikaturën e Reganit.
Klasa jonë, e futur në llogore, dukej se e kishte mbaruar rolin e vet. Të gjithë prisnin vetëm të përfundonte stërvitja për të kapur radhën e mensës.
Mbaj mend thirrjet e komandantit, zemërmirë, që kërkonte shpjegime përse papritur kishim harruar sulmin tonë imagjinar. Detajet e kthimit nuk më kujtohen më. Ndoshta të lodhur dhe të uritur, të gjithë e harruan atë skenë.
Por e di me siguri se atë ditë, kur u ulëm në mensën e ftohtë përballë ushqimit monoton, me sytë gjysmë të mbyllur dhe mendjen ende te avionët që do të hidhnin kuti mishi, çokollata dhe byrekë, e kuptova qartë diçka:
“Shteti kishte rënë” M’u kujtua sot kjo copëz historie, teksa dëgjoja debatin e madh në Shqipëri për AKSHI-n dhe “rënien e shtetit”.




















