9 nga 10 studentë pranojnë ekzistencën e korrupsionit Presioni seksual në ambientet universitare vazhdon të jetë një realitet i heshtur dhe i vështirë për t’u adresuar. Kjo praktikë shpesh mbetet e padukshme për shkak të frikës së palës së prekur për të raportuar, si dhe mungesës së mkanizmave të besueshëm të mbrojtjes dhe ndëshkimit.
- 9 nga 10 studentë, përkatësisht 89.98%, shprehen se në universitete ekzistojnë praktikat korruptive
- Rreth 1 në 10 studentë pranojnë se kanë ofruar ryshfet për të marrë një notë më të mirë, fakt që provon se korrupsioni në arsim mbetet një fenomen kompleks dhe i vështirë për t’u adresuar.
- Këshillat e Etikës, në 4 vite (2021–2025), kanë trajtuar vetëm 16 çështje në 8 universitete publike, ndërkohë 54.17% e studentëve shprehen se kanë “pak” ose “aspak” besim se në universitete trajtohen drejt rastet korruptive.
- Gjatë viteve 2021–2025 sipas prokurorive janë akuzuar për korrupsion 50 pedagogë të universiteteve publike.
Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë në fushën e arsimit. Numri i studentëve po vjen në rënie teksa shumë degë janë shpallur prioritet për shkak të rrezikut nga mbyllja.Në auditorët e universiteteve publike shqiptare, korrupsioni nuk është thashethem, por përvojë direkte.Studentët e dinë kush pedagog kërkon “ndere” dhe “favore” për një notë, apo kush shet libra me detyrim.
Qëndresa Qytetare: Në 4 vitet e fundit janë akuzuar për korrupsion nga organet e hetimit penal 50 pedagogë dhe punonjës universitetesh, kryesisht në universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Bujqësorit.Ndër gjetjet kryesore bie në sy fakti se rreth 9 nga 10 studentë (89.98%) pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike të marra në analizë, ku forma më e përhapur me 46.62% mbetet pagesa në këmbim të notës, e ndjekur nga shitblerja me detyrim e librave.
Format e shfaqjes së korrupsionit në universitete
Në krahasimin e universiteteve publike në Shqipëri mbi format e perceptuara të korrupsionit në arsimin e lartë, del në pah një realitet kompleks dhe shqetësues. Studentët kanë identifikuar pesë forma kryesore të korrupsionit në mjediset akademike: pagesa në këmbim të notës, detyrimi për blerje librash, nepotizmi, ndjekja e kurseve private pranë pedagogëve dhe favoret seksuale. Përveç këtyre, një përqindje më e vogël ka raportuar edhe forma të tjera përmes kategorisë “Tjetër”. Analiza e përgjigjeve të tyre hedh dritë mbi natyrën e devijimeve etike që perceptohen si më të zakonshme në këto institucione. Forma më e përhapur e korrupsionit, sipas 46.62% të studentëve të anketuar, pra afërsisht 5 nga 10 është pagesa në këmbim të notës. Ky tregues alarmues dëshmon për një deformim të rëndë të parimeve meritokratike dhe të procesit të vlerësimit akademik. Kur nota, si përfaqësuesi kryesor i zhvillimit dhe suksesit të studentit, blihet në mënyrë informale, humbet çdo kuptim objektiviteti dhe barazie, duke ushqyer jo vetëm mosbesimin tek institucioni, por edhe një kulturë të pandershmërisë që ndikon në të gjithë ciklin arsimor.
Në vend të dytë renditet një tjetër praktikë abuzive, detyrimi për blerje të literaturës së rekomanduar nga vetë pedagogët, e cila është raportuar nga 22.54% e studentëve. Kjo situatë nënkupton një konflikt të pastër interesi, ku autoriteti pedagogjik shfrytëzohet për përfitime ekonomike personale. Në disa raste, ky detyrim nuk lidhet vetëm me blerjen e librit si material ndihmës, por me imponimin e tij si kriter i tërthortë për marrjen e notës, çka krijon një formë të heshtur të presionit dhe cënon lirinë e studentit në zgjedhjen e burimeve të tij akademike.
Nepotizmi, pra favorizimi i individëve për shkak të lidhjeve familjare ose personale me stafin akademik, është identifikuar nga 9.93% e studentëve. Kjo dukuri, megjithëse me përqindje më të ulët krahasuar me format e tjera, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për kredibilitetin e sistemit. Ajo nënkupton se cilësitë dhe përpjekjet personale shpesh anashkalohen në favor të lidhjeve personale, duke dekurajuar ndjeshëm përpjekjen dhe përkushtimin individual të studentëve.
Një tjetër formë specifike dhe problematike është detyrimi për ndjekje të kurseve private me pedagogun e lëndës, që përmendet nga 8.18% e studentëve. Ky fenomen sugjeron përpjekje për përfitim ekonomik jashtë detyrave zyrtare, duke krijuar një marrëdhënie të pabarabartë ku studentët ndihen të detyruar të paguajnë përtej tarifave të rregullta, vetëm për të siguruar sukses në provim. Kjo minon qartësisht parimin e aksesit të barabartë në arsim dhe shkon përtej detyrimeve të një mjedisi të shëndetshëm akademik. Në fund të listës renditet një nga format më të ndjeshme të korrupsionit akademik, favori seksual, i raportuar nga 6.96% e studentëve. Edhe pse me një përqindje numerikisht më të ulët krahasuar me format e tjera, kjo praktikë përfaqëson një formë të rëndë të abuzimit me pozicionin e punës, me implikime serioze etike, morale dhe ligjore. Prania e saj, edhe në këtë Korrupsioni dhe Integriteti Akademik në Universitete 33 përqindje, tregon se presioni seksual në ambientet universitare vazhdon të jetë një realitet i heshtur dhe i vështirë për t’u adresuar. Kjo praktikë shpesh mbetet e padukshme për shkak të frikës së palës së prekur për të raportuar, si dhe mungesës së mkanizmave të besueshëm të mbrojtjes dhe ndëshkimit.
Perceptimi i Studentëve ndaj Pedagogëve dhe Administratës
Në analizën e perceptimeve të studentëve mbi vendin ku shfaqet më së shumti korrupsioni brenda universiteteve publike në Shqipëri, rezulton se një pjesë dërrmuese e tyre e lidhin këtë fenomen me stafin akademik. Më konkretisht, 56.35% e studentëve të anketuar, ose afërsisht 6 në 10 studentë, besojnë se pedagogët janë aktorët kryesorë në ushtrimin e praktikave korruptive në mjedisin universitar. Ky tregues ngre shqetësime serioze në lidhje me integritetin e figurës së pedagogut dhe ndikimin që këto praktika mund të kenë në objektivitetin e procesit mësimor dhe vlerësues. Përveç trupës akademike, një përqindje tjetër jo e papërfillshme e studentëve, rreth 18.65%, identifikojnë administratën universitare dhe në veçanti sekretaritë mësimore, si vendin ku korrupsioni shfaqet dhe praktikohet. Në këtë rast, korrupsioni mund të manifestohet përmes favorizimeve në përpunimin e dokumentacionit, vonesave të qëllimshme, përfitimeve të padrejta ose tarifave jozyrtare për shërbime që duhet të jenë standarde dhe pa kosto shtesë. Kjo kategori përfaqëson ndërveprimin e përditshëm të studentëve me sistemin burokratik të universitetit, duke e bërë këtë përvojë shpesh të vështirë dhe të ekspozuar ndaj abuzimeve.
Raportimi i rasteve të korrupsionit
Çështja e denoncimit të korrupsionit në universitete është një ndër temat më të ndjeshme dhe problematike që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin real të mekanizmave të brendshëm në ruajtje të integritetit akademik. Në shumë raste, mungesa e raportimeve apo reagimeve efektive ndaj rasteve të korrupsionit është përdorur si alibi nga institucionet arsimore për të shmangur përgjegjësinë institucionale, duke ia kaluar barrën studentëve apo stafit, me arsyetimin se “rastet nuk janë denoncuar zyrtarisht”. Megjithatë, të dhënat tregojnë një realitet më kompleks. Sipas përgjigjeve të studentëve, 43.87% e tyre pohojnë se rastet e korrupsionit që ata kanë identifikuar ose dëgjuar nuk janë denoncuar. Kjo shifër është domethënëse dhe ngre shqetësime të thella për mungesën e besimit të studentëve ndaj strukturave që supozohet të garantojnë etikën dhe ligjshmërinë brenda universiteteve. Mungesa e një strukture efektive për raportim, mungesa e mbrojtjes së identitetit të denoncuesve dhe frika nga hakmarrja janë ndër arsyet më të zakonshme që studentët përmendin për këtë heshtje kolektive.
Mungesë besimi rrastet korruptive do ndëshkohen

Mungesa e besimit konfirmohet edhe nga anketa e zhvilluar në këto tetë universitete, ku studentët u pyetën nëse kanë besim se rastet korruptive ndëshkohen në mënyrë të drejtë në universitetin e tyre, 54.17% e studentëve u shprehën se kanë “pak” ose “aspak” besim, 26.88% ishin të pavendosur, ndërsa vetëm 18.95% deklaruan se besojnë në një ndëshkim të drejtë dhe të paanshëm. Këto rezultate tregojnë qartë se mungesa e transparencës dhe veprimeve konkrete nga organet përgjegjëse dëmton perceptimin publik dhe nxit një rreth vicioz ku mosbesimi i studentëve dhe stafit e dobëson më tej funksionimin e mekanizmave të llogaridhënies në universitete.
Vetingu akademik
Vetingu akademik mund të cilësohet si një mjet për të adresuar problemet strukturore të korrupsionit në arsimin e lartë në Shqipëri. Në thelb, ky proces nënkupton verifikimin e integritetit personal, profesional, shkencor dhe pasuror të stafit akademik dhe drejtuesve të universiteteve. Vetingu synon të vendosë Korrupsioni dhe Integriteti Akademik në Universitete 64 një standard të ri përgjegjshmërie dhe transparence, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe besueshmërinë e sistemit arsimor. Ky proces do të përfshinte kontrollin e pasurisë së deklaruar nga pedagogët dhe drejtuesit universitarë, duke e krahasuar me burimet e të ardhurave të ligjshme, si dhe do të shqyrtonte nëse ka mospërputhje të pajustifikueshme, që mund të ngjallin dyshime për përfitime të padrejta. Një tjetër komponent i rëndësishëm i vetingut do të ishte verifikimi i titujve akademikë, sidomos të atyre të fituar në rrethana të dyshimta, si edhe rishikimi i punimeve shkencore dhe tezave doktorale, të cilat në disa raste janë përfshirë në skandale për plagjiaturë apo punime të dobëta që nuk justifikojnë avancimin në karrierë.
Në këtë mënyrë, vetingu akademik do të sillte një pastrim të sistemit nga individët që kanë ndërtuar karrierën mbi lidhje personale, ndikime politike ose praktika jo etike, duke hapur rrugë për një sistem më të ndershëm dhe konkurrues, ku meritokracia dhe cilësia të jenë kriteret për zhvillimin profesional. Në anketën e zhvilluar, 43.87% e studentëve janë shprehur se vetingu akademik do të ishte një zgjidhje efektive në luftën kundër korrupsionit në universitete, gjë që dëshmon se një pjesë e studentëve besojnë në nevojën për mekanizma të jashtëm e të pavarur kontrolli ndaj sistemit arsimor. Nga ana tjetër, 19.48% e studentëve nuk janë dakord me idenë e vetingut si zgjidhje.
Universitetet shpenzuan 88 milionë euro godina e karburant, vetëm 150 mijë euro shkuan për kërkimin shkencor

Shtatë universitetet publike në vend shpenzuan në harkun kohor të një viti gati 88 milionë euro, por paratë shkuan në masë të madhe për rroga, siguri dhe rikonstruksione, ndërsa shpenzimet për kërkimin shkencor ranë në nivelin 0.17 për qind, ose rreth 150 mijë euro.Qëndresa Qytetare ka monituar shpenzimet e universiteteve nga 1 shtatori i vitit të kaluar deri më 31 gusht të 2024. Sipas analizës, 5 nga 7 universitetet e monitoruara dedikojnë më shumë se 55 për qind të shpenzimeve për personelin, gjë që kufizon fondet për zhvillimin akademik dhe përmirësimin e infrastrukturës. Universiteti i Shkodrës shpenzon gati 72 për qind të buxhetit vjetor për paga.Universiteti Politeknik i Tiranës ka kryer shpenzime në vlerë 1,36 milionë Euro për mjete dhe pajisje teknike, ku peshën kryesore e zënë investimet në modernizimin e laboratorit të makinave elektrike, por studentët nuk kanë akses te ky laborator.Shtatë universitetet kanë shpenzuar 7.6 milionë Euro për rikonstruksionin e godinave. Pavarësisht se universiteti ka shpenzuar gati 500 mijë euro për pajisje informatike dhe ka rritur me 71 për qind shpenzimet për kancelari krahasuar me një vit më parë, studentët dhe pedagogët vijojnë të ankohen për mungesën e internetit, kompjuterave dhe kostot shtesë për printime jashtë universitetit.Universiteti i Shkodrës vazhdon të ketë shpenzime të larta për blerje karburanti ku në një vit ka shënuar vlerën 113 mijë Euro, këto të kontraktuara vetëm me një operator ekonomik, ndërsa edhe Universiteti i Korçës ka shpenzuar për blerje nafte për traktorin e disponuar nga universiteti në vlerën vjetore 8 200 euro.
Universiteti i Korçës ka koston më të lartë për një student. Një student i kushton buxhetit 2100 Euro kur në universitete kostoja për një student llogaritet 1400 Euro. Universiteti Politeknik dhe Universiteti i Tiranës kryesojnë listën e shpenzimeve për sigurinë, me gati 1.6 milionë euro secili.




















