Apeli lë në fuqi dënimin për ish-zyrtaren e lartë të BSH

563

Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi dënimin me dy vjet shërbim prove të ish-Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, e cila u akuzua për “shpërdorim detyre”, pas vjedhjes së 713 milionë lekëve nga kjo bankë në vitin 2014. Golemi pretendon pafajësi dhe tha se do e bënte rekurs në Gjykatën e Lartë.

Sigal

Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të hënën, më datë 1 prill, lënien në fuqi vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dënimin me dy vjet shërbim prove të ish-Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e cila u procedura së bashku me ish-Guvernatorin e kësaj banke, Ardian Fullani dhe të tjerë vartës të tyre për vjedhjen e rreth 5 milionë eurove. Këtë vendim e ka bërë publik vetë e dënuara, Elivar Golemi nëpërmjet dy statuseve në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, të cilin e quan të padrejtë. “Dhe unë nuk kam me leju që kjo padrejtësi me u harrue, as kam me pranu që gjyqtar me mendje e shpirt ma të zi se veshjet e tyne, me u përqesh me punën time dhe me dëshiru me m’ba gazi i botës. Lufta jeme me drejtësinë ka me vazhdu gjatë”, shkroi Golemi. Gjatë një komunikimi telefonik, Elivar Golemi u shpreh për BIRN se është e pafajshme dhe se do të kryejë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Apelit dhe se po shikon edhe mundësinë për ta çuar çështjen në Strasburg.

Në maj të vitit 2015 Gjykata e Tiranës dënoi dy punonjës të Bankës së Shqipërisë të akuzuar si bashkëpunëtorë të vjedhjes së 713 milionë lekëve. Adrian Bitraj, i cili pranoi se i kishte vjedhur paratë dhe tha se i kishte shpenzuar në bixhoz, u dënua me 13 vite e 4 muaj heqje lire, kurse punonjësja tjetër e akuzuar si bashkëpunëtore e tij, Mimoza Bruzja u dënua me 10 vite burg.

Ndërsa ish –Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u shpall i pafajshëm nga gjykata, e cila nuk u bind nga provat e servirura nga organi i akuzës dhe në një çështje civile fitoi dëmshpërblim për problemet e krijuara prej arrestimit. Procesi ndaj dy të dënuarve të sipërcituar dhe Fullanit u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa Golemi kërkoi gjykim normal dhe çështja u veçua. Golemi akuzohet nga prokuroria për “shpërdorim detyre” dhe se nuk kishte kryer kontrollet që duhej të bënte për të penguar vjedhjen e parave dhe testuar sigurinë e bankës.

Ajo i kundërshton këto akuza. “Për këdo që është i fushës dhe e kupton sado pak, se si funksionon banka dhe auditimi i brendshëm, ky vendim është jo vetëm qesharak, por i rrezikshëm ma shumë, për precedentin që krijon”, shkruan ajo në një pjesë të mbrojtjes që BIRN e disponon.

Golemi pretendon se përgjegjësia duhej të ishte e “drejtuesve ekzekutivë që kanë lejuar gabimin/veprën penale të ndodhë” dhe jo mbi drejtuesin e auditimit të brendshëm për shkak se ky nuk ka bërë auditim të vazhdueshëm të njësisë ku ka ndodhur problemi. “Thënë ndryshe, sipas gjykatës, një departament auditimi me 5 punonjës duhet të jetë penalisht përgjegjës për çdo veprim, mosveprim apo vendim të gabuar të 500 punonjësve të bankës dhe kjo thjesht për me shpëtu emrin e gjyqtareve përpara vettingut”, nënvizon Golemi.