Ambasada gjermane në Tiranë rihap zyrën e vizave

629
Sigal

Ambasada Gjermane në Tiranë njofton se do të rihapë zyrën e vizave duke filluar nga dita e hënë, datë 27 korrik. Ambasada sqaron se të gjithë aplikuesve që nuk patën mundësi për ta zhvilluar takimin e tyre këtë javë, do t’iu mundësohet një i tillë ditët e ardhshme.

Rihapet Zyra e Vizave dhe Pasaportave

Zyra e Vizave dhe Pasaportave të Ambasadës Gjermane në Tiranë rifillon punën normalisht ditën e hënë, më 27.07.2020; takimet e konfirmuara mund të mbahen. Aplikuesve, të cilët kanë pasur takim në periudhën kohore 20.07.2020 deri më 24.07.2020 do t’u konfirmohet një takim i ri.

Ambasada njoftoi më 20 korrik mbylljen pa afat të kësaj zyre për shkak të prekjes nga koronavirusi, pa dhënë më shumë detaje.

Për rastet urgjente konsullore, Ambasada Gjermane vendosi në dispozicion numrin e shërbimit të gatshëm, 068 202 9109 dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve duke sqaruar se përmes këtij numri nuk mund të marrnin informacione rreth datave të aplikimit, apo procedurave për vizë.

Janë të shumtë shqiptarët që ende kërkojnë të ikin drejt Gjermanisë, pavarësisht se dhe kjo e fundit po njeh një ngadalësim të lehtë ekonomik si pasojë e Covid 19.