Vajzat shqiptare që u bënë të famshme në Turqi

183

​Shumë këngëtare, aktore apo prezantuese shqiptare kanë shkuar jashtë vendit për një jetë më të mirë e sukses më të madh në karrierën e tyre.

Kështu kanë vepruar edhe 6 vajzat të cilat janë bërë shumë të famshme në Turqi.

Laureta Gashi e cila njihet me emrin artistik Asya Gashi është një këngëtare e njohur që ka lindur në Kosovë dhe pasi mbaroi Fakultetin e Arteve në Prishtinë, u zhvendos në Turqi për ta vazhduar karrierën atje. Asya ka publikuar disa këngë që kanë arritur shumë sukses duke zënë vendin e tretë në iTunes.

Almeda Abazi ka lindur në Tiranë, por shkollën dhe universitetin e mbaroi në Turqi. Shqiptarja vendosi që jetën e saj ta vazhdonte në shtetin turk ku u bë e famshme duke luajtur në disa seriale e filma. Atje Almeda njohu edhe dashurinë e jetës, aktorin Tolgahan Sayisman dhe çifti sot janë prindër të një djali.

Vanesa Doçi është një nga emrat më të rinj të muzikës. Ajo është motra e këngëtares Aida Doçi. Vanesa sapo ka nisur karrierën e saj në Turqi dhe pak kohë më parë publikoi këngën e saj të parë për tregun muzikor turk. Kënga u prit shumë mirë dhe Vanesa i mahniti të gjithë me zërin e saj.

Arbnora Ademaj, prezantuesen nga Kosova do ta shohim së shpejti në serialet turk. Prej disa kohësh Arbnora po qëndron në Turqi e ka takuar disa nga aktorët më të njohur turq me të cilët pritet të bashkëpunojë. Pak kohë më parë u zbulua se Arbnora do të luaj me “Ezelin” në një serial të ri turk.

Genta Ismajli, këngëtarja shqiptare është bërë tashmë e famshme me lidhjen e saj me një biznesmen turk, Hysen Usta. Jo vetëm kaq por Genta së shpejti do të publikojë këngën e saj të parë në Turqi dhe që vjen në bashkëpunim me një reper turk. Genta është komentuar shumë nga mediat turke për këtë bashkëpunim.

Morena Taraku po qëndron në Turqi prej kohësh dhe këngëtarja ka arritur një sukses shumë të madh duke marrë çmimin “Këngëtarja më e mirë e huaj e muzikës pop”. Madje Morena ishte qendra e vëmendjes së mediave turke për një kohë të gjatë. “Këngëtarja kosovare Morena Taraku do të zhvendoset në Turqi. Këngëtarja ka vendosur të qëndrojë në Stamboll ku do të vazhdojë punën”-shkruanin mediat turke.