Po djali i Will Smith çfarë mendon për shuplakën që tronditi ‘Oscars’?

173
Sigal

Të gjithë shikuesit e ceremonisë së 94-të të “Oscars” u shokuan gjatë skenës ku Will Smith goditi Chris Rock-un në mes të shfaqjes si rrjedhojë e shakasë që ky i fundit bëri lidhur me flokët e gruas së tij, e cila vuan nga një sëmundje që i shkakton rënien e tyre.

Lidhur me këtë situatë që tronditi të gjithë rrjetin, edhe djali i komedianit, Jaden Smith, ka diçka për të thënë.

“Ja si bëhet!”, ishin fjalët e Jaden Smith në “Twitter” mbrëmjen e djeshme, vetëm pak çaste pas përfundimit të ceremonisë.

Jaden nuk tha se çfarë pikërisht i referohej mesazhit të tij, por fansat menjëherë supozuan se ai po reagonte ndaj shuplakës që bëri xhiron e mbarë botës.

Shumë u përgjigjën me foto të Will-it duke goditur Chris-in, dhe të tjerë bënë shaka rreth reagimeve të të famshmëve nga publiku, brenda Teatrit “Dolby” në Hollywood.

Sidoqoftë, duhet të theksojmë se është plotësisht e mundur që mesazhi i Jaden mund të ketë qenë reagim ndaj çmimit që Will mori si aktori më i mirë, ndërkohë që bëri një fjalim emocionues para të gjithë botës, ku edhe kërkoi falje për gjestin dhe situatën e krijuar.

“Fjalimi i babait më bëri të qaj”,- u shpreh gjithashtu Jaden, duke publikuar një foto ku dukej mjaft i trishtuar me syze dielli.