Në një epokë ku raftet e supermarketeve ofrojnë një bollëk zgjedhjesh ushqimore, shumë njerëz konsumojnë produkte që, ndonëse të shijshme apo të lehta për t’u përgatitur, mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin, jo vetëm për trupin, por edhe për trurin.
Ekspertët nga Universiteti i Harvardit në SHBA kanë hartuar një udhëzues të qartë për të identifikuar disa nga kategoritë kryesore të ushqimeve që ndikojnë negativisht në funksionimin e trurit dhe rrisin rrezikun për goditje cerebrale, Alzheimer dhe çrregullime të tjera neurodegjenerative.
Mishi i kuq dhe produktet shtazore të pasura me yndyrë të ngopur
Ushqimet si mishi i kuq, gjalpi, qumështi i plotë dhe kremi përmbajnë sasi të mëdha të yndyrave të ngopura. Këto yndyrna rrisin nivelin e kolesterolit LDL (i keqi), i cili mund të grumbullohet në muret e arterieve duke kufizuar rrjedhjen e gjakut në tru dhe duke shtuar ndjeshëm rrezikun për goditje. Në afatgjatë, një dietë e pasur me këto produkte është gjithashtu e lidhur me dëmtimin kognitiv dhe rritjen e rrezikut për sëmundje si Alzheimer.
Sheqernat e shtuara dhe ushqimet ultra të përpunuara
Biskotat, pijet freskuese, lëngjet artificiale dhe produktet e tjera të përpunuara janë të mbushura me sheqerna të shtuara. Këto sheqerna stimulojnë të njëjtat zona në tru që aktivizohen nga substancat e varësisë, duke krijuar efekte afatshkurtra “shpërblyese” por pasoja të rënda afatgjata si obeziteti, diabeti dhe rreziku për probleme neurologjike. Zëvendësimi i tyre me alternativa të përgatitura në shtëpi dhe me pak përpunim mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit.
Mielli i bardhë dhe produktet e rafinuara
Kur kokrrat e grurit përpunohen për të krijuar miell të bardhë, largohen përbërës thelbësorë si fibrat dhe embrioni, duke lënë pas një produkt që tretet shpejt dhe shkakton rritje të menjëhershme të glukozës në gjak. Ky luhatje e shpejtë e sheqerit mund të çojë në ndjenja urie të shpeshta, mbingrënie, hipertension dhe në fund obezitet – të gjitha faktorë të njohur për rrezikun e goditjeve në tru. Përdorimi i miellit integral dhe produkteve të punuara me dorë është një zgjedhje më e shëndetshme.
Pijet e gazuara dietike
Edhe pse mendohet se janë më të sigurta për konsum, pijet e gazuara dietike nuk janë pa rrezik. Një studim i publikuar në revistën Stroke zbuloi një lidhje mes konsumit të rregullt të këtyre pijeve dhe një rreziku më të lartë për goditje dhe demencë. Edhe pse ende nuk është provuar shkaku i drejtpërdrejtë, ekspertët paralajmërojnë që kujdesi është i domosdoshëm.
Shëndeti i trurit nuk varet vetëm nga aktiviteti fizik apo sfidat mendore, ushqimi ka një ndikim të drejtpërdrejtë. Përjashtimi i ushqimeve të lartpërmendura nga dieta e përditshme dhe zëvendësimi i tyre me alternativa të pasura me fibra, yndyrna të shëndetshme (si ato nga vaji i ullirit apo peshku), si dhe më pak sheqerna të përpunuara, është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të sëmundjeve që prekin jo vetëm trupin, por edhe mendjen.