Rrezatimi gjatë procedurave diagnostikuese radiologjike

1394
Sigal

Dr. Shk. Iris Allajbeu 

Shefe e Departamentit te Imazherise se Avancuar 

Spitali Amerikan


Siguria dhe Risqet
Çfarë do të thotë ‘i sigurt’?
A do të thotë se: 
• nuk ka asnjë risk? 
• risku është shumë i vogël? 
• përfitimet janë më të mëdha sesa risku? 

Shumë aktivitete mbartin njëfarë risku. Që ta konsiderosh diçka të sigurt, zakonisht do të thotë se ajo mbart një risk të vogël, por jo që nuk mbart asnjë lloj risku. Risku zero është pothuajse i pamundur. Një veprim apo produkt konsiderohet i sigurt, për sa kohë risku që e shoqëron atë është shumë i ulët. Kjo vlen për rrezet X, për mjekimet dhe për çfarëdolloj medikamenti. Pavarësisht kësaj, janë vetëm pacientët që kanë nevojë për një diagnozë mjekësore ata që duhet t’u nënshtrohen ekzaminimeve imazherike. 

A luan rol mosha në rrezikun e rrezatimit? 
Fëmijët dhe adoleshentët janë më të riskuar se të rriturit nga dozat e mëdha të rrezatimit. Dozat e nevojshme për përftimin e imazheve tek fëmijët janë shumë më të ulta sesa të rriturve. Për rrjedhojë, rreziku që shoqëron një ekzaminim mjekë- sor diagnostikues për një fëmijë nuk duhet të jetë më i madh, sesa ai për një të rritur. Me kalimin e moshës, ekspozimi ndaj rrezatimit bëhet gjithnjë e më pak shqetësues. Imazheria mjekësore mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme në çdo moshë për të ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin e një sërë sëmundjesh. Nëse një person përfshihet në një aksident të rëndë me makinë, një skanim TK mund të jetë një mënyrë e shpejtë dhe pa dhimbje për të zbuluar traumat e brendshme që nuk janë të dukshme. 

A ndikon gjinia te rreziku i rrezatimit? 
Po ndikon. Për shembull, gjinjtë e femrave janë më të ndjeshëm ndaj rrezatimit jonizues, sesa gjinjtë e meshkujve. Megjithëse edhe meshkujt mund të zhvillojnë kancer të gjirit, kjo gjë është jashtëzakonisht e rrallë. Rreziku i kancerit të gjirit tek meshkujt për shkak të rrezatimit është i papërfillshëm. Gjithashtu femrat kanë më shumë rrezik për zhvillimin e kancerit të tiroides sesa meshkujt. 

Sa është sasia e dozës që merrni nga procedurat imazherike të ndryshme?
 Të gjitha procedurat imazherike nuk janë njësoj. Disa procedura si ajo me ultratinguj dhe Rezonanca Magnetike nuk përdorin rreze x ose rrezatim nuklear. Procedurat që përdorin rreze x (si radiografia ose skaneri) ose materialet radioaktive (mjekësia nukleare) ndryshojnë shumë përsa i takon dozave. Doza e rrezatimit mund të krahasohet me nivele nga rrezatimet natyrore ekzistuese në mjedis, ose mund të jepet një vlerësim cilësor i rrezikut. Gjithnjë jemi të ekspozuar ndaj rrezatimit në ambient. Ai vjen nga ajri, qielli, toka dhe nga ushqimi që hamë. Është e natyrshme për mjedisin tonë. 
Deri në sa skanime mund të kryejmë? 
Nuk ka asnjë kufi të rekomandueshëm sesa ekzaminime mund të bësh, për sa kohë ato janë të rëndësishme për diagnozën dhe trajtimin. Rrallë nevojitet kujdes mjekësor i mëvonshëm për ekspozimet ndaj rrezatimit në ekzaminimet diagnostikuese. Efektet nga rrezatimi që mund të merren konsideratë janë shumë të ulëta dhe përjashtimet janë të pazakonta. 
Kujdes: Ruani të gjitha ekzamnimet tuaja radiologjike!
A mundet të shkaktojnë probleme të riprodhimit në të ardhmen procedurat imazherike diagnostikuese? Doza e ekzaminimeve radiologjike të zakonshme është aq e vogël, saqë nuk mund të shkaktojë probleme të infertilitetit të përhershëm ose anomali gjenetike të zbulueshme tek fëmijët e ardhshëm.
Sa i madh është rreziku nga imazheria mjekësore për brezat e ardhshëm? E dimë se dozat shumë të larta të rrezatimit mund të dëmtojnë ose vrasin vezët ose spermën. Megjithatë, ekzaminimet radiologjike (p.sh. radiografia ose skaneri) përdor vetëm doza rrezatimi të vogla, shumë më të vogla sesa dozat që mund të japin efekte shkatërruese për vezët ose spermën. 
Shtatzënia dhe rrezet X. Risku aktual varet nga mosha e shtatzënisë dhe nga lloji i ekzaminimit. Për shembull, ekzaminimet me ultratinguj nuk përdorin rrezet X dhe nuk kanë demonstruar asnjëherë ndonjë risk potencial për shtatzëninë. Ekzaminimet me rreze X të kokës, krahëve, këmbëve dhe kraharorit nuk e ekspozojnë zakonisht fëmijën direkt ndaj rrezeve X dhe në përgjithësi teknologu që bën rrezet X merr masa të posaçme për të garantuar mosekspozimin direkt të pacientes shtatzënë dhe fëmijës.