Prof.as. Pëllumb Pipero: Ja çfarë është në të vërtetë gripi i derrave!

1103
Sigal

INTERVISTA/ Flet për gazetën “Telegraf”, Prof.as. Pëllumb Pipero, mjek infeksionit në QSUT

Gripi, i ashtuquajtur, i derrave (Swine Flu), është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruse gripale të tipit A, që origjinën e kanë nga derrat. Situata e ditëve të fundit në Shqipëri, duket se ka përhapur panik te qytetarët. Por, se çfarë është në të vërtet ky grip, si shfaqet, cilat janë simptomat dhe mënyrat se si mund të mbrohemi, i shpjegon në një intervistë, mjeku infeksionit, Prof. as. Pëllumb Pipero.

Çfarë është gripi i derrit, nga se shkaktohet?

-Duke ju falënderuar për mundësinë që më jepet të komunikoj përmes gazetës tuaj me qytetarët shqiptare, si një profesionist i shëndetit publik, për t’ju dhënë atyre informacionin dhe këshillat e nevojshme për epideminë e gripit të këtij viti, më lejoni të bëj një korrigjim të vogël, sa i takon emërtimit të viruseve, të gripit në qarkullim dhe sëmundjeve respektive që ato shkaktojnë. Dua të sjell në vëmendjen tuaj se, nuk quhet “grip i derrit” ky është një emërtim, do të thosha “alla shqiptar”, më shumë mediatik. Quhet thjesht Virusi Pandemik, pasi është përgjegjës për pandeminë e gripit të vitit 2009-2010, pasojat e të cilës i kaloi edhe vendi ynë. Madje, do të thosha se, ne, punonjësit shëndetësorë, Ministria e Shëndetësisë dhe qytetarët shqiptarë, e përballuam pandeminë me një numër shumë të vogël viktimash, krahasuar me vendet fqinje dhe ato europiane dhe me një kosto shumë të vogël ekonomike. Do të shtoja këtu me modesti se, nën kujdesin personal të ish-ministrit të Shëndetësisë, z.Petrit Vasili, një politikan dhe profesionist i mirënjohur i shëndetit publik, eksperiencën e fituar në përballimin e pandemisë, jo vetëm që e ruajtëm, por dhe e jetësuam në manuale, udhërrëfyes dhe protokolle mjekimi shumë efektive, për t’u përdorur në përballimin e çdo epidemie apo pandemie gripi. Ato udhërrëfyes janë tashmë pjesë e praktikës së përditshme klinike dhe epidemiologjike të sistemit tonë shëndetësor. Për t’u kthyer te pyetja tuaj, do të thosha se, i ashtuquajturi “grip i derrit”, është një sëmundje infektive akute, shumë ngjitëse, që shkaktohet nga virusi i gripit pandemik A(H1N1). Një virus relativisht i ri në qarkullim, i cili këtë vit ka një aktivitet mjaft të shtuar, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në gjithë Europën dhe më gjerë.

Cilat janë simptomat e tij  dhe si shfaqet?

-Gripi i shkaktuar nga virusi i gripit pandemik shfaqet në mënyrë të menjëhershme, me temperaturë të lartë, mbi 38-38.5 gradë celsius, i shoqëruar me dhimbje fyti, kollë të thatë, dhimbje koke, dobësi trupore, dhimbje muskujsh, anoreksi, dhe në fëmijë edhe grindje dhe çrregullime gastrointestinale si, diarre dhe të vjella. Periudha e fshehtë e sëmundjes pas rënies në kontakt me virusin zgjat 1-3 ditë, por duhet të theksojmë se, kjo periudhë përkon me shumëzimin e shtuar të virusit në portën e hyrjes, nazofarings, dhe kjo është periudha me e mundshme për transmetimin e virusit nga një person i prekur, në një të shëndoshë. Virusi transmetohet nga kontakti i afërt përmes spërklave të pështymës gjatë bisedës, teshtimës ose kollës. Pas periudhës së inkubacionit (të fshehtë), në rastet e zakonshme sëmundja zgjat 3-5 ditë, gjatë së cilës pothuaj manifestohen të gjitha shenjat e gripit. Dua të nënvizoj se, shenjat e gripit janë pothuaj të njëjta, pavarësisht llojit të virusit gripal. Pothuaj edhe komplikacionet janë të njëjta, por këtu dua të theksoj se, komplikacionet e A(H1N1) janë më të shpeshta në grupet e popullatës me rrisk të lartë, si fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronik me diabet, sëmundje kronike të mushkërive apo zemrës, gratë shtatzëna, si dhe të sëmurët me imunitet të dobësuar si, HIV/AIDS etj..

Si bëhet diagnostikimi? Cilat janë testet e shpejta që përdoren?

-Sa i takon diagnozës, ajo natyrisht realizohet mbi bazën e të dhënave epidemiologjike në respekt dhe të stinës së dimrit, të dhënave klinike, ato shenja që përmendëm më sipër, si dhe ekzaminimeve laboratorike dhe konfirmimit virologjik ose serologjik të virusit, apo përgjigjes imunitare të organizmit ndaj tij (antikorpet).

Si mund ta dallojmë nga simptomat e një gripi të zakonshëm?

-Si e theksova dhe më lart, se, gripin pandemik nuk ndodh aq shpesh, fatmirësisht. Ai shkaktohet nga një virus krejtësisht i ri, për të dhënë sëmundje te njeriu, rasti i pandemisë nga virusi A(H1N1) është një i tillë. Gripi pavarësisht virusit shkaktar, ka shenja klinike pak a shumë të njëjta; temperaturë të lartë, dhimbje fyti, kollë të thatë, dobësi trupore, anoreksi, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh. Te fëmijët e vegjël grindje, si dhe të vjella dhe diarre. Natyrisht, çdo komplikacion i gripit, në veçanti i atij pandemik, në varësi të organit apo organeve të prekura ka shenja të tjera.

Si ndahen simptomat tek të rriturit nga ato tek fëmijët?

-Fëmija, duke qenë i vogël, nuk di të ankohet, ai grindet, nuk fle, ka temperaturë, anoreksi, diarre, të vjella etj, dhe mjeku duhet të jetë i kujdesshëm për ta diagnostikuar e mjekuar në kohën e duhur, duke parandaluar një komplikacion të mundshëm.

Kush rrezikohet më shumë nga gripi i derrit?

-Natyrisht, në fëmijët e vegjël, te mosha 1-14 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Statistikat tona dëshmojnë se, grup moshat më të prekura janë ato midis 1-4 vjeç dhe 24-44 vjeç, për shkak të kontaktit të tyre më të ngushtë; fëmijët në kopshte dhe çerdhe, të rinjtë jetë më aktive, por dhe frekuentim i mjediseve të mbyllura dhe të mbipopulluara. Si dhe gratë shtatzëna, të sëmurët kronik të sistemit respirator, astma bronkiale , të sëmurët me diabet, të sëmurët me sëmundje të aparatit kardiovaskular, HIV/AIDS etj.

Si mund të mbrohemi nga gripi i derrit?

-Ka vetëm një mbrojtje efektive, ajo është vaksina! Vaksina duhet të aplikohet çdo vit në muajt Shtator-Nëntor. Është e detyrueshme për grupet e rriskut si, fëmijët 0.6 muajsh deri 14 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët me sëmundje kronike. Punonjësit shëndetësorë duhen vaksinuar me përparësi, gjithashtu, sipas rrezikshmërisë. Natyrisht, vaksina e gripit është e këshillueshme për të gjithë qytetarët.

Si kurohet kjo pandemi?

-Mjekimi është etiologjik! Medikamenti “Tamiflu” është shumë efektiv, suportiv apo mbështetës. Për mjekim përdoren dhe  antipiretikët, paracetamol, ibubrofen dhe lëngje me shumicë. Kurrë nuk duhet të përdoren antibiotiket për kurimin e gripit, pasi ato nuk kanë asnjë efekt mbi viruset.

Sa alarmante paraqitet gjendja në Shqipëri?

-Dua të rikonfirmoj se, gjendja nuk është alarmante, natyrisht, ka nevojë për kujdes të shtuar. Së pari, nga sistemi shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë, që në opinionin tim, ka marrë masat e duhura. Së dyti, dhe nga qytetarët, për të rritur kujdesin ndaj shëndetit të tyre, duke evituar sa të jetë e mundur kontaktin me personat e sëmurë, si dhe duke rritur nivelin e higjienës personale.

A gjenden në spitalet tona medikamentet e nevojshme?

-Po, të gjitha spitalet janë furnizuar me sasinë e nevojshme të medikamenteve për trajtimin e gripit.

Disa këshilla, duke ju referuar situatës aktuale

-Këshillat janë të përgjithshme, madje shpesh të mërzitshme. Higjienë personale, larje e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, mjedis i pastër, ajrosje e mjediseve ku banojmë, sa më shumë lëngje, shmangie e vizitave të pa nevojshme në spitale dhe mjedise të mbyllura. Si dhe përdorim i antipiretikëve dhe çajit në një grip me shenja klinike të zakonshme, por në të gjitha rastet kur temperatura vazhdon për më shumë se 3-4 dite, shtohet kolla me sputum dhe fillon vështirësia në frymëmarrje. Në këto raste, pa tjetër duhet të drejtohemi te mjeku. Të gjithë personat që konsiderohen me rrisk të lartë për komplikacione, duhet të drejtohen te mjeku që me fillimin e shenjave të para të gripit .