Ja abuzimet në tenderin e materialeve për “stentat” e koronareve në shëndetësi

465
Nga diferenca midis çmimit më të ulët, por që u skualifikua dhe fituesit të shpallur nga Ministris e Shëndetësisë, do kuroheshin 250 pacientë më shumë 
Thellohet skandali i tenderit të Materialeve Mjekësore të Hemodinamikës të prokuruara nga Beqaj. Në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave merr pjesë Dr. Leonard Simoni, i cili ka firmosur që check-up-i është i domosdoshëm dhe që s’janë kualifikuar materialet, të cilat i ka pranuar për 10 vite rresht. Nga burimet brenda Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të kompanive pjesëmarrëse, rezulton që skualifikimi i firmës me çmim më të ulët është bërë pa asnjë bazë ligjore. Firma është akuzuar, se prodhimet nuk kanë pasur Certifikatën CE, kur Çertifikata CE ka qenë pjesë e dokumenteve, siç shihet edhe në foton bashkangjitur. Gjithashtu pjesëtarët e komisionit kanë bërë sikur nuk kanë lexuar dot deklaratat e firmës në lidhje me spektrin e prodhimeve që kanë dhe kjo është arsyeja e dytë, përse firma nuk është kualifikuar. Pas publikimit të lajmit një ditë më parë , gazetës iu vu në dispozicion nga palët e interesuara edhe deklarata e firmës, e cila gjendej në dokumente, por që komisioni e ka anashkaluar. Për të bërë situatën sa më të domosdoshme për të mos e kualifikuar, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili u mblodh edhe ditën e diel, luan me numrat e Stenteve Koronare deri në milimetra, në një kohë që stentet e firmës së skualifikuar i përdor prej 10 vitesh dhe kurrë nuk ka patur ndonjë komplikacion, reklamim, por përkundarzi janë futur nëpër koronaret kryesore, atëherë kur stentet indiane kanë dhënë probleme. Duke bërë një përllogaritje, vetëm me një të rënë të lapsit Ministria e Beqajt do të kuronte 250 pacientë më tepër, por preferoi t’ia japi tenderin firmës që ishte renditur e parafundit dhe jo asaj me çmimin më të ulët. Kuriozitet i madh është për qëndrimin që do të mbajë Ministrja e re e sapoemëruar Znj. Ogerta Manastirliu. Nëse ajo do ta paraqesë veten si një drejtuese për të vënë drejtësi dhe vazhdueshmëri të punës së saj, pasi në tenderat e organizuara nga QSU “Nënë Tereza”, ku firma Balton e skualifikuar nga Beqaj ka fituar sistematikisht apo është vënë aty për të vazhduar dhe mbuluar punën e Beqajt, si njeri i besuar dhe i marrë nga ish strukturat e bashkisë së Tiranës, ku në 4 vite nuk strehoi asnjë banor të qytetit të Tiranës me shtëpi. Tashmë vajza që pretendon se është me eksperiencë në Shëndetësi, Ministrja e re, Znj. Ogerta Manastirliu, që në ditët e para do vihet në provë, nëse është Ministrja Manastirliu apo Beqaj 2. Në qoftë se do të vërejmë tenderat e Beqajt, për atë nuk kanë rëndësi standardet dhe lloji i mallit që hyn në Shqipëri, kur firma që i intereson ka çmimin më të ulët, pavarësisht nëse është mall kinez apo indian, siç ndodhi në tenderin paraardhës të Hemodinamikës, Beqaj tumbeton dogmën e tij; që para çmimit më të ulët, gjithkush përkulet, pasi duhet të furnizojmë sa më shumë mjekësinë shqiptare, qoftë ky mall kinez apo indian. 

-A nuk ndodhi kështu me tenderin e Hemodinamikës vitin e kaluar, në disa lote? 
-A nuk ndodhi kështu me ilaçet, që i hoqi autorizimin e prodhuesit dhe të gjitha kërkesat e tjera? Kur firma tregtuese ishte e sigurtë që nuk drekonte ose takonte ish ministrin Beqaj, atëherë ishte i sigurt skualifikimi për arsye gjoja teknike nga mjekë të vendosur në komisione dhe të krijuar prej tij. Ai dhe komisioni i tij duhet të ndjejnë pak turp të mohojnë të vërtetën, kur Certifikata CE, të gjitha llojet e deklaratave dhe i gjithë dokumentacioni i ligjshëm është aty. Ai nuk ka turp, se ky material është furnizuar prej vitesh në QSUT dhe po këta mjekë janë shprehur me superlativa ndaj materialit. Të gjithë mjekët dhe kardiologët e QSUT-së kur morën vesh skualifikimin e firmës që kishte furnizuar prej vitesh këto materiale, ngritën supet, pasi nuk dinin dhe nuk ka asnjë studim që koronaret e shqiptarëve paskan ndryshuar dimensionet këtë vit. Ai nuk është korrekt kur drejtorëve të spitalit u thotë shtrëngojeni rripin, se nuk kemi para dhe çdo natë shohim nëpër kronika televizive spitale pa ngrohje dhe pa materiale. Ai duhet të ndjejë përgjegjësi të madhe morale dhe ligjore, që 80% e tenderave në Ministrinë e Shëndetësisë fitohen nga 2 firma, pasi të gjithë të tjerët skualifikohen. Jo, për atë është e rëndësishme që firma, e cila duhet të fitojë duhet të jetë ose ajo që ka fituar në hemodinamikë ose simotra e saj, të cilës emri i fillon me “M” dhe i mbaron me “L” dhe që njihet mirë në gjithë ambientet e shëndetësisë shqiptare. Redaksia po interesohet rreth protestës së firmës së skualifikuar, procedurave ankimore dhe ligjore, dhe do të njoftojë lexuesit, se si do të jetë ecuria e tenderit të hemodinamikës. Në këtë mënyrë do të marrim vesh, nëse Ministrja Manastirliu është vendosur aty për të mbuluar.Beqë-Llëqet apo për t’i dhënë pak dinjitet shëndetësisë shqiptare, dinjitet ky i nëpërkëmbur nga Z. Beqaj. 
Sigal