Erion Dasho : Përfituesit e vërtetë të Covid-it

50

Historia e dhimbshme e pacientes që humbi jetën në Spitalin COVID-2 ndërkohë që familja paguante shuma të majme për të marrë një trajtim sado pak njerëzor, ka potencialin të hapë një kuti pandore. Sigurisht, ministria reagoi menjëherë duke kërkuar ndëshkim shembullor të fajtores sipas parimit “hajdut është ai që kapet”. Ndërkohë, publiku pyet “A ka patur përfitues gjatë pandemisë së COVID dhe cilët janë ata?”

Së pari, duhet shmangur anatemimi i infermiereve dhe sanitareve të cilat gjatë pandemisë thjesht mund të kenë zëvendësuar dyqind lekëshin e “zakonshëm” që futet në xhepin e përparëses me ndonjë pesëqind lekësh. Sigurisht, kjo është e dënueshme nga pikëpamja morale, etike dhe ligjore, por nuk është “hataja” e vërtetë. Në se përllogaritet se shqiptarët kanë shpenzuar më shumë se 100 milion euro për të trajtuar privatisht familjarët e tyre të sëmurë me COVID, këto para duhen kërkuar gjetkë.

Të parat në radhë janë shpenzimet për medikamente. Gjatë vitit 2020 u konstatua një rritje e eksportit të medikamenteve me një vlerë disa dhjetëra milion euro. Këto janë antibiotikët dhe antikoagulantët e blerë në farmaci si karamele dhe antiviralët e përshkruar pa asnjë evidencë mjeksore, shpesh nëpërmjet SMS-ve qarkulluese.

Në kushtet e papërgjegjshmërisë së shtetit dhe përpjekjeve për të shmangur trajtimin në spital, kategoria tjetër e shpenzimeve ishte për blerjen e pajisjeve BiPAP, CPAP, bombolave të oksigjenit dhe rimbushjen e përditshme të tyre. Këto i shtuan edhe shumë milionë të tjerë faturës së qytetarëve, në kushtet kur mijëra familje shqiptare kanë patur shpenzime të rendit të disa mijëra euro për pacient.

Një tjetër kategori ishin shpenzimet për kurim jashtë shtetit ku ndërthurreshin tre pëfitues – kompanitë e çarterve mjeksorë, spitalet pritëse në Turqi dhe, shpesh, mjekët apo infermierët sekserë në Shqipëri. Këta të fundit (një grusht “kompetentësh”), kanë përfituar shuma nga një deri tre mijë euro për çdo pacient të referuar për trajtim në spitalet e Turqisë dhe Italisë. Në se sillet në vëmendje që disa qindra pacientë kanë shkuar në Turqi për kurim, llogaritë janë të lehta për t’u bërë.

Laboratorët dhe klinikat private në Shqipëri janë një tjetër përfitues i madh prej epidemisë. Mjafton një temperaturë 37.5 gradë për t’ju nënshtruar skanerit njëqind apo dyqind euro dhe listës së analizave që së bashku me testin e tamponit shkojnë jo më pak se dyqind euro të tjera. Shpesh kjo paketë përsëritet disa herë gjatë dekursit të sëmundjes. Përfitues tipikë këtu janë edhe klinikat e disa eminencave që u mbijnë shqiptarëve çdo natë para syve nga ekranet e studiove televizive.

Së fundi, një kategori përfitimesh që nuk do të mësohen kurrë janë përfitimet nga tenderat sekretë. Miliona euro janë prokuruar këta muaj nën petkun e sekretit shtetëror, a thua se ministria dhe spitalet po blinin lëndë të parë për vaksinat dhe jo maska kineze prej lecke! Çdo blerje e kryer në kushte mungese transparence ka dashur-pa-dashur hijen e dyshimit për përfitime të paligjshme!

8 milionë lekë të përfituar nga një sanitare (e vetme apo në bashkëpunim pak rëndësi ka) janë një pikë uji në oqeanin 100 milion euro që kanë paguar deri tani shqiptarët të lënë në baltë dhe të tradhëtuar nga qeveria e tyre!

Ministria e shëndetësisë në vend të show-t të radhës me ndëshkimin e fajtores, bën mirë të hapë spitalet COVID ndaj familjarëve me qëllim që këta të shohin e të prekin familjarët e shtruar në ta. Nuk jetojmë në kohën e leprozariumeve mesjetare, por në Europën e shekullit të 21-të!

Më pak sekrete dhe atmosferë mbytëse dhe më shumë transparencë do të bëjnë të mundur të kemi më pak “Tire” dhe më shumë pacientë të shëruar e familjarë të kënaqur nga shërbimi!

Përndryshe, ndëshkimi i Tires do të mbetet ndëshkimi i një “koke turku” për të mbuluar përfituesit e vërtetë të epidemisë…