Të shkosh atje, duke takuar natyrën me të gjithë shkëlqimin e saj, është më shumë se një arratisje, aq afër, “një kapje dore”, me lirinë e heshtjes absolute.
U nisëm me kalin tonë mekanik drejt “Syrit të Ciklopit”, një cep i ashpër dhe magjepsës. Sa shumë kuriozitet dhe entuziazëm, për të zbuluar me të gjitha shqisat e tua për t’u zhytur në këtë parajsë. Larg nga pyjet e betonta, nga trafiku kaotik, me radhë të gjata, nga aksidente apo ndërtime. Larg nga grindjet politike jashtëzakonisht të nxehta. Larg nga kullotja në rrjetet sociale, nga overdoza e lajmeve dhe llafogjia mjerane e opinionistëve në ekrane televizive (fake neës). Larg industrializimit dhe zhvillimit të egër, që shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi. Larg gjithçkaje që përfaqëson konsumimi, larg shfrytëzimit të burimeve, larg varfërisë së vlerave dhe ndjenjave. Larg nga kakarisje pseudo intelektualësh, me buzëqeshjet e shtirura të tyre si arlekinët dhe dhimbjet “e botës së sotme moderne” dhe aq më shumë për të shpëtuar nga temperaturat përvëluese që pllakosën edhe Shqipërinë.
Është atje një gllënjkë ajri e pastër, një qetësi kristalore, ujëra të freskët që kanë gdhendur shkëmbinjtë, duke i dhënë formë një bote të vogël.
Rruga, bëhet më intime, të pëshpërit histori, të shfaq një kaleidoskop ngjyrash. Tingëllojnë joshëse, për të udhëtuar më tej, zhurmat e makinave dhe kamionëve që i bien borisë dhe e kapërcejnë me shpejtësi njëri-tjetrin. Ato shpërndahen në vendbanimet, në shtëpitë, kafenetë, restorantet, pishinat e kalçetot, në kodrat me gjelbërim ftues, fronteve, lirisë së efektshme dhe elegancës çarmatosëse.

Krraba me ajër heshtje
Shikimi ynë humbet në horizont. Dhe pothuajse papritmas marrim një rrugë dytësore që shkon lart, një lloj ngjitjeje gjarpërore drejt Krrabës. Dikur ishte pikë e rëndësishme strategjike, që kontrollonte luginën e Erzenit në rrugën e karvaneve Tiranë – Elbasan. Është rruga nga kaloi edhe Aleks I Komneni, perandor i Bizantit, kur u thye në Durrës e pothuaj u kap rob nga Normanët (por shpëtoi mrekullisht falë kërcimit të kalit të tij që çau rrethimin).
Krraba është qytezë minatorësh, të cilën e njihnim thjesht si emër, ndërtuar fare pranë minierës. Dikur një nga qytezat punëtore më të zhurmshme në Shqipëri, e quajtur “Qyteza e Minatorëve”, që mori jetë pas Luftës së Parë Botërore.
Në fillim të shekullit të kaluar, ky vend tërhoqi vëmendjen e një shoqërie Italiane, që bëri investime mbi tokë e nën tokë për nxjerrjen e qymyrgurit. U ndërtuan baraka prej druri, të mbuluara me pllaka iterniti, të cilat u pasuan me pallate katër e pesëkatëshe. Erdhën shumë banorë kryesisht nga fshatrat malorë të Tiranës: Mollagjesh, Mamël, Korrë, Skuterrë, Rozavere dhe Kllojkë, duke arritur një popullsi prej rreth dhjetë mijë vetësh.
Hapja e minierës, kontribuoi në lindjen e një vendbanimi të qytetëruar, për t’u bërë kazan aktiviteti, për të jetuar vrullshëm, nga mëngjesi deri në mbrëmje, me burrat, që zbrisnin çdo ditë në thellësinë e tokës, si jashtëtokësor të gërmonin mineral, me mbitokën në shërbim të saj. Me fjalë të tjera, një lloj qyteze në të cilin çdo punëtor mund të gjente gjithçka që i duhej, që njerëzit që punojnë mund të kishin kushtet më të mira. Dhe kështu ndër vite u ndërtuan shtëpitë e punëtorëve në fillim ca baraka terniti, me të gjitha shërbimet që puntorët (dhe familjet e tyre) mund t’u duheshin: shkolla, dyqane, spitali, varrezat…
Minerali nxirrej me bollëk. Minatorët kafshonin zgafellat e nëntokës, me një skllavërim fizik.
Ishte një kohë pune dhe ndryshimi të madh. Qytetet po zgjeroheshin, fabrikat po punonin me ritme të plota, dhe optimizmi dukej se po përmbyste çdo aspekt të jetës së përditshme. Ishte një periudhë gumëzhitëse: mes ëndrrave, revoltave për ndryshim. Ndoshta një peshë e përvojave të kaluara qëndron mbi të dhe një fije dhembshurie vazhdon, me transformimin që sjell koha në të gjitha gjërat. Me fillimin e demokracisë miniera pushoi së ekzistuari. Ndaj dhe Krraba është kthyer tashmë në një kavie sociale nga strukturat e të gjitha Forcave Politike, të cilët vijnë këtu vetëm për vota, apo për t’u shfaqur në TV kur ndodhin fatkeqësi natyrore, për të sjellë ndonjë pako ndihme.
Sot, duke u përpëlitur në udhën e mbijetesës, Krraba është pakuar, duke humbur nga madhështia e saj; shumica e banorëve janë larguar, si rezultat i zhvillimeve të reja ekonomike, shoqërore e kulturore dhe përballjen me vështirësitë e përpjekjet për mirëqenie.
Duhen shumë punë për të bërë për t’i parë ndonjë gjë të bukur jetës aty, edhe pse banorët i janë kthyer kultivimit të perimeve, ullinjve, drurëfrutorëve e mbarështimit të bagëtive, të cilat ngjallin shpresë për ditë më të mira, sepse, është edhe një vend i përshtatshëm për zhvillimin e Blegtorisë, sidomos të Blegtorisë së Imët, që është simbol i gjallë i bashkëjetesës me banorët.
Drita e artë e diellit mbështillte butësisht Krrabën dhe peizazhin e tij urban. Shikoj atë peizazh që ka mbetur nga miniera: grumbullin e çrregullt të ndërtesave, të kthyera në rrënoja të heshtura, nën peshën e mbetjeve të qymyrgurit, puset minerare si të përhitura nga një luftë prehistorike.
Krraba ndihet më shumë si një fshat, pa aktivitet, nuk ka kushte jetese, asnjë politikë ekonomike për punësim; asnjë fabrikë, mini industri, mardhënie tregtare të vakta, bujqësia përtokë.
Rrugë me hije, lule, fytyra të një brezi minatorësh, që lanë gjurmët e tyre këtu, të lodhur nga një jetë në punëra, me sakrifica e halle, me fëmijët të larguar, me një pension tallës, me dhimbjen e tyre të fshehur, mundimin dhe mungesën e shpresës, nga papunësia e theksuar. Ata të mbledhur kujtojnë ndodhi të së kaluarës, komentojnë ngjarje të ditës, shkëmbejmë mendime e pikpamje për politikën, për taksat dhe çmimet e larta, papunësinë, shërbimet e munguara, nivelni e lartë të në çdo qelizë të jetës shqiptare, u dhimset fati i vendit, sidomos i rinisë që fatkeqësisht po e braktis masivisht atdheun.

Një cep ku historia pëshpërit
Ne ecim duke ndërthurur heshtjet, bisedat serioze, shakatë dhe të qeshurat. Ato ngjyra, ajo heshtje, thjesht të jep një ndjesi tjetër. Peizazhi, i cili shtrihej shumë përtej asaj që mund të shohë syri, dukej si një pikturë e butë në lëvizje duke ecur në atë që ndihej si prehër i Zotit, i qetë, i gjerë dhe plot hir. Kjo është bukuria e udhëtimit. Soditje e qetë, në pëshpëritjet e kohës dhe natyrës. Ndoshta pjesa e fotografimit nuk është vetëm vetë imazhi, por historia që shfaqet. Një histori e paqëndrueshmërisë, e elasticitetit të natyrës, se si edhe qetësia jehon në epokën dixhitale.
Skuterra të godet me pozicionin e saj karakteristik, me shtëpitë e ulura në një kreshtë malore. Është tokë e varfër, por jo si ajo e kartolinave. Jeta shpaloset këtu si një film pa zë, si një ftesë për të ndaluar, për të humbur veten në çdo detaj, që pëshpërit histori.
Një grusht shtëpish të zhytura në gjelbërim,me gurët e tyre të lashtë dhe historitë e pëshpëritura nga muret, ku koha duket se ka ndaluar.
Bëhen a s’bëhen dhjetë shtëpi, të veçuara nga njëra – tjetra, të kredhura në një heshtje pikëlluese, mes blerimit të ullinjëve, me kurora të shtruara, si çadra të mëdha. I shihnim shtëpitë e pakta si dëshmi e një angazhimi të kahershëm, për të ndërtuar jetesën, duke punuar e mbjellur tokën, duke shtuar blektorinë, me shumë mjeshtëri e paqësorë me njëri-tjetrin dhe natyrën. Çdo cep duket sikur pëshpërit sekrete, çdo gur duket se ka një histori për të treguar.Askush nuk e di me siguri pse quhet kështu. Për shekuj me radhë ishte një cep, ku mbretëronte varfëria dhe jeta rridhte në një pëshpëritje përpjekjesh të përditshme.
Prej andej, hap pas hapi, ecëm rrugës që na çonte në vendin e zgjedhur… Pavarësisht vapës së madhe, udhëtimi dukej magjik, me pamje mahnitëse përreth.
Na shoqëron aroma e luleve të malit, e verdha e xhinestrës me rreze, dhe fluturimi i disa zogjve të vegjël. Aty ishim, me shpirtin e tejmbushur, me zemrën që rrihte fortë në kraharor, duke e ditur se çdo hap, çdo përpjekje, çdo moment i përbashkët na kishte çuar në atë përqafim të pamasë të malit…
Dielli shkëlqen, i ngrohtë, djersa të vërshon sytë, ndërsa ndonjë re e bardhë kalon ngadalë nëpër qiell, duke e pikturuar atë si një kanavacë e gjallë…

Vazhdojmë, rruga bëhet një ftesë e vazhdueshme për vëmendje. Çdo detaj duket sikur zbulohet me qetësi: një livadh mes pemëve, hijen e freskët që vallëzon mes ullinj të plakur, kumbullat e rrethuara nga gardhe të shtrembëruara.
Nuk e shqetësuam heshtjen e Skuterrës, teksa flladi mbarte pëshpëritjet e Së shkuarës. E shfrenon historinë e betejave dhe sfidave për të pushtuar këto troje. Një vello braktisjeje e ka katandisur në një vendbanim të rëndomtë thuajse “të pa vlerë”. Ata që takon të tregojnë histori që nuk janë shkruar kurrë, vetëm kaluan me fjalë goje.
Skuterra është djegur dy herë: në vitin 1915 nga Pushtuesit Serbë dhe në vitin 1944 nga Nazistët Gjermanë. Në kujtime dhe toponiminë e saj janë skalitur qëndresat e banorëve: topat e Serbit, kuajt e Nemses, Koha e Zogut; italianët pas kapitullimit të ushtrisë fashiste në Luftën e Dytë Botërore dhe këmba e gjermanit. Fatmirësisht kanë heshtur jehona e tyre të largëta, por jo këmbanat e lopëve që kullosin. Socializmi gatoi këtu një skllavërim shpirtëror e fizik, i cili nuk mundet të përshkruhet me egërsinë që ndikoi në shpirtin e banorëve.
Ndonjëherë, të lodhur nga historitë e luftrave, nuk duam të flasim më për to, sepse vetë jeta është luftë e përplasje në kohë të asaj që ishte dikur, të asaj prej së cilës jemi ndarë; sikurse edhe të asaj që po vjen, që nuk ka kohë për të humbur me kujtime, edhe pse asgjë nuk harrojmë, por sulemi drejt jetës së re, duke lënë pas të kaluarën e hidhur.
Lehja neurotike e qenve na tërheq vëmendjen, disa dhjetra metra larg është një stan.
Shpejt e kalojmë nën diellin përvëlues. Shikimi prek kreshtat e malit Pashkashesh me një kon i bukur shkëmbor që hap pamje sikur përqafon gjithçka. Pashkasheshi kishte lëshuar ca vargje kodrash në dy anët e tij.
Rrethuar nga një heshtje, rri pa lëvizur dhe ulur në shkëmb, me sytë plot dritë si një fëmijë që mbetet i magjepsur nga bukuritë e natyrës. Pothuajse një pëshpërimë fshihet nëpër shkëmbinj.
Këtu legjenda përmend Gjergj Kastriotin, për “gjurmët” e këmbës së kalit të tij, të ngulur në shkëmb. Kur Gjergj Kastrioti kaloi në rrugën e saj për në Krujë i zunë pusi Turqit, kali i tij e nuhati dhe u hodh nga njëri kep në tjetrin mbi Skerranë, duke ngulur thundrat, por patkoin nuk e la në Skuterrë.
Pak poshtë nesh, peizazhi klith nga shkatrrimi, me ujin të futur në tuba, nga uturima e kamionëve dhe eskavatorëve, që me dhëmbët e mprehtë kanë gërryer shkëmbinjtë. Ngushëllohem ne bukuritë e këtyre vendeve dhe majat e tyre që më kanë parë të endem.

Natyra të befason me krijimet e saj
Rruga fillon të ngjitet lart. Është një ngjitje mjaft e ngadaltë, nën diellin e paluhatshëm. Herë shkëmbinj e gurë të thepisur, herë zbritje me pjerrësi të madhe e herë ngjitje të forta. E gjen veten të zhytur në pyll. Pemët gërshetonin degët e tyre për të formuar tunele gjelbërimi, duke i i bërë karshillëk vapës fotonike. Plot nota muzikore të Natyrës që duken si një simfoni: cicërimat e zogjëve që këndonin sikur duan të përshëndesin kalimin tonë, cërritjet e karkalecave, cinxërimat e gjinkallave me një kor monoton, zhurmë të rastësishme lopësh, me këmbora që tingëllonin.
Shpesh ndalojmë për të bërë foto si një mënyrë për të inkurajuar një vlerësim të botës natyrore, në të gjitha format dhe bukurinë e saj. Fjalët i ndërthurim për bukurinë e vendit, mbi dhuntitë e natyrës dhe atë lidhje të padukshme që krijohet midis atyre që ecin së bashku.
Zbresim në një shteg shkëmbor të pjerrët. Vetëm disa segmente të shkaktojnë shqetësim, thjesht duhet të kesh kujdes dhe duhet t’i kushtojmë vëmendje, kur këmbët prekin shkëmbinj të thepisur, të cilët thyhen frikshëm në zgafellat e Grykës së Murdharit, të gërmuara në mijëra shekuj me forma të pabesueshme, të denja për vepra arti. Shkëmbinjtë dukeshin si kurriz kuajsh fantazmë, mbi të cilët hipnim për t’u transportuar në vende pa kohë, apo hapësirë. Pikërisht aty, buzë shkëmbinjve të lartë, shpaloset në gjithë ashpërsinë një skrep grykngushtë, ku murmurima e ujërave thyen heshtjen.
Ujërat krijonin një pellg të vogël, nga një tërbimi i lashtë i natyrës. një pellg i fshehur, i lindur nga kënga e një përroi, i mbrojtur nga gurër dhe i përkëdhelur nga freskia. Nuk ka fjalë që përshkruan atë që na shohin sytë, ndjenjën e paqes dhe mirëqenies që, edhe për një kohë të shkurtër, për një çast ndjen sikur je brenda një pikture…
I gjithë peizazhi të ngjan një fotografie të nxjerrë nga një përrallë ose nga peizazhet magjike të Tolkien. Megjithëse është vetëm një pellg, që është kënaqësi për sytë, në të vërtetë, nëse ulesh mjaftueshëm gjatë, fillon të pëshpërisë se fuqia e natyrës këtu jo vetëm që e riformëson tokën, por rishkruan historinë. Para atij peizazhi që dukej sikur dilte nga një ëndërr, ca rreze dielli derdhen mbi të si shigjetat e Zeusit, ndërsa zëri i ujit pëshpërit sekretet e lashta të “Syrit të Ciklopit”, që flet për një bishë të madhe (e ngjashme me ciklopin Polifem te “Odisea” e Homerit), e cila bënte zullume. Gjatë përleshjes me banorët përfundoi në greminë poshtë shkëmbinjve, duke humbur syrin, dhe duke krijuar një pellg me ujë të ftohtë.
Kjo mrekulli e Natyrës, e krijuar nga dora e Zotit, ngjason me një simfoni të pazëshme, që të kujton Naim Frashërin, kur këndoi për malet, fushat, pyjet, çukat, gërxhet e veçanërisht për lumenjtë e Shqipërisë. Ndihesh sikur po hyn në një botë fantazie, një skenë filmi e mbushur me magji dhe udhëtim në kohë. Këtu, koha mban frymën, dhe natyra pëshpërit premtimet e qetësisë. Megjithëse asnjëherë nuk mund të ngopesh me pamje të tilla, në hije të freskëta të pemëve, me gurgullima, me ushqim, shoqëri e këngë gjinkallash. Kjo është magjia e tij, apo jo? Një vend pa zhurmë, pa shpërqendrime, vetëm ujë i mjaftueshëm për të reflektuar qiellin dhe mendimet e tua.
“Syri i Ciklopit” ujëpastër ishte plot me njerëz që kanë ardhur të kërkojnë freski. Fëmijët sorollaten rrjedhës, spërkaten nëpër cektina, ndjekin njëri-tjetrin në ujërat e kthjellta, ca theken në diell, të tjerë pushonin në hijet, dukej si një kamp i vërtetë. Më guximtarët kryenin hedhje ekstreme sipër një guri të madh në formën e një ndenjëseje, të prekin fundin e pellgut.
Ujërat rrjedhin nëpër bërrylime shkëmbore, ujvara me lartësi 3-10 m, pellgje të thella e plot humnera përpirëse. Në të majtë, marrin me vehte, si bashkudhetare edhe degën e Skurranës.
Shtrati i lumit herë ngushtohet e herë zgjerohet nëpër gurët e stërmëdhenj. Udhëtojnë bashkë, kilometra të tëra, me emrin Erzen derisa derdhen në Adriatik. Jehon shushurima e ujërave, si një kolonë zanore. Pamja të ngjan si një tablo pikture e hedhur ashtu me një dorë të shpejtë e ngjyra që të dehin e të bëjnë t’i duash me shpirt.
E kundrojmë lojën e shkumbëzuar të ujit në shtratin e ngushtë, që thellohet me brrylime të befta shkëmbore. Zhurma e ujit e shpelluar në shkëmbinj bëhet magjepsëse dhe ke ndjesinë e të ecurit direkt në një përrallë magjike.
Ujërat e freskëta gurgullojnë nga shkëmbinjtë e lashtë si roje, të pëshpërisin të vërteta të vjetra që kemi harruar t’i shkruajmë. Zogj grabitqarë sipër kokave tona mbulonin kasafortën blu të qiellit, duke na kënaqur me fluturimin e tyre magjik.
“Syri i Cikllopit” është padyshim një nga dhuratat më të bukura të Nënës Natyrë në Tokë.
U kthyem nën diellin plot shkëlqim, nën blunë si të lyer nga një penel piktorësh, midis shkëmbinjve dhe gjelbërimit, me këmbë të lodhura por zemrën plot nga peizazhi i “Syrit të Ciklopit”, duke u “arratisur” vetëm pak orë nga vapa dhe pluhuri i Tiranës.





















