Pëllumb Gorica: Darzeza që pakkush e njeh

Dëshira për të pushuar ca ditë në Jug është dhe mbetet gjithmonë tunduese për shumë prej nesh. Aq më shumë për mua që më është bërë rit udhëtimi drejt këtyre viseve.

Është kënaqësi të rendësh, por është edhe e vështirë paksa të zvarritesh mes trafikut të madh të makinave me njërëz që kthehen nga pushimet (të hareshëm e të shkujdesur) apo që shkojnë me pushime; rrëmujës, zjarrit “saharian” të kësaj vere të çmendur.

NOA

Një udhëtim hipotetik na çoi në Darzezë të Re, që nuk i përket plotësisht botës së njohur, por as të panjohurës, një vend i këndshëm, i qetë që shtrihet midis grykderdhjeve të Vjosës e të Semanit. Qasja për atje është e lehtë, rruga është e rehatshme, dhe largësia nga Fieri është e shkutër. Vendasit, njerëz të thjeshtë dhe të përzemërt, që kujdesen për bregdetin, e bëjnë vizitorin të ndjehet komod.

Sigurisht që aty nuk mund të gjesh një luks të tepëruar, por në një farë mënyre kushtet janë të pranueshme dhe çmimet të arsyeshme. Po njeriu kënaqet me thjeshtësinë që gjen atje.

U nisëm menjëherë, në këtë vend të mrekullueshëm, të pushojmë ditë të rrethuara nga deti i pastër, rëra e imët, mëngjeset e ngadalta, pishat aromatike që ofrojnë freskim.

Qyteti i Fierit dukej tepër i lodhur me pluhur, rrëmujë dhe vapë, me kompleksitetin e jetës moderne.

Në kodrat e Ultësirës Perendimore është vendosur qyteti antik i Apollonisë. Tani që është ndërtuar autostrada drejt Jugut e admiron edhe më mirë Apoloninë, këtë sintezë të bukurive antike.

Makina ngarend në rrugën e mirëmbajtur në mënyrë perfekte, të arrijmë më shpejtë mespërmes hapësirave të fushës së Myzeqesë, krahinës më të madhe fushore të Shqipërisë, të banuar që në Lashtësi, siç dëshmohet nga gjetjet arkeologjike.

Peizazhi paraqiste një sixhade me florë, që dukej sikur kanë dalë nga një pikturë fushat, secila prej të cilave një poemë e qetë.

Ndaj e sheh veten duke menduar se si dukej ky peizazh shekuj më parë, përpara se marshimi i pamëshirshëm i efikasitetit bujqësor ta shndërronte në hambar.

Ndryshime të mëdha kanë ndodhur gjatë shekujve. Territori kryesisht i përbërë nga ujëra dhe toka bujqësore e bën të vështirë të besosh se deri kohë më parë ishte kënetë, në “shtëpi të mushkonjave”, burim sëmundjesh të Malarjes. Në mes të shekullit XX, progresi shkroi historinë, që zgjuarsia e njeriut e nxori nga uji, me tharjen e kënetës, bonifikimin, kanalizimet, sistemimet e tokave dhe shkripëzimin e tyre, por edhe ndërtim rrugësh dhe hidrovoresh, duke sjellë përmirësime dhe ndryshime konfiguracioni të terrenit.

Vendbanimet të stolisura me pikëlima shtëpish të përhumbura, të zbukuruara me lule bougainvillea, dorëzonja,kokarda, trëndafila dhe oleandra të japin një prekje ngjyrash. Secili prej vendbanimeve ka një histori të ndryshme për të treguar. Ato dëshmojnë mirëqënie e nxjerrin në pah ndryshimet që solli “Koha e Demokracisë” larg nga distrofikja e Socializmit Utopik. Kullat e ujit të pishëm lartësohen si obelisk.

E ngadalësojmë shpejtësinë e makinës, për të shijuar peizazhin, atë atmosferë të qetë, me ngjyra të buta dhe shumë gjelbërim të Ndërmenasit dhe Hoxharës. Natyrisht ke ndjesinë se po ecën nëpër një ekspozitë shtëpive të bukura, nuk di ku të shikosh, të gjitha të bukura me kopshte plot pemë frutore që të përcjellnin dashurinë për natyrën. Rruga na shoqëron nga një vend në tjetrin. Shën Pjetra, e vogël, modeste, e rrethuar nga fusha shahu me të mbjella të ndryshme. Më tej Povelça e mbushur dikur me të persekutuar, sot e heshtur.

Disa qindra metra më tej rrugës, të tërheq vëmendjen një kishë Mesjetare (Kisha e Shën Premtes). Vetëm duke qëndruar pranë mureve të vjetra të kishës, ndjen se sa histori ka kjo tokë e formuar nga njerëz që vepronin me nderim dhe në emër të besimit.

E rrethuar nga ujëra kënetore, nga toka bujqësore dhe pylli i dendur me pisha, të shfaqet Darzeza e zgjatur si qafa e një shishe vere.

E vështron dhe synon të shkruash një përshkrim sa më të hijshëm.

Mjaft pamje. Arrin të kapësh disa syresh. Ka hapësira për të dëgjuar tingullin e hapave në pyll, këngën e zogjve me fëshfërimën e jetës së egër, kakofoninë e bretkosave, gumëzhimëm e gjinkallave të inatosura nga vapa, për të ndjerë edhe agresivitetin e mushkonjave, si një ushtri që mjafton për të mbajtur larg kureshtjen. Në kanalet e ujërave të ndenjura mijëra peshq të pangopur lypin ushqim, rosat lundrojnë përreth, ndërsa varkat lëkunden butësisht, dhe peshkatarë të përkushtuar duke nxjerrë rrjetat e peshkimit.

Nuk di pse merr një zhgënjim, si një grusht në bark, nga gjurmët e zjarrit shkatërrues të pyllit me pisha (edhe pse zjarri ka rënë vite më parë ende ndjen erë tymi dhe mund të shohësh grimca qymyri), si një koleksion figurinash.

Përreth Darzezës për të zbuluar bukuritë e saj

Afërsia gjeografike e Darzezës me detin nuk është thjesht një rastësi, është një mundësi. Darzeza, me ndërtesa estetikisht dhe konceptualisht bashkëkohorë, si një copëz qytet është kthyer në një vend i pushuesve të shumtë gjatë Verës, jo vetëm nga Fieri, por edhe nga Tirana, Berati, Elbasani, Gramshi, Kuçova, Mallakastra…

Dielli shkëlqen mbi çatitë e shtëpive si kuti, të këndshme, nga pikëpamja estetike, që tregojnë një elegancë dhe një hijeshi të cilat ke dëshirë t’i kundrosh.

Në vitin e largët 1988, Darzeza e Gramshit, me vende, të pasura në historinë, që ndihej unike brenda saj, u fundos nga diga e H/C të Banjës. I shpërngulën banorët me “Skoda” dhe “Zis”- a drejt Ultësirës Perendimore.

Banorët e Darzezës, pasardhës të banorëve ilir të fisit të Dasaretëve të lashtë, me vendosjen këtu për të mos harruar vendin ku lindën e u rritën prej brezash, gjysh pas gjyshi, e emërtuan Darzezë e Re (emri vjen nga pema e Dardhës së Zezë, që e gjeje përgjatë shtratit të lumit Devoll).

Vendosja e tyre këtu, në shtëpitë e banimit me parametra bashkëkohorë, me rrugë, me trotuare, me gjelbërim dhe ndriçim, por sidomos me pushuesit e shumtë gjatë verës ndryshon së tepërmi e fiton gjallëri.

Çdo Verë jeta e tyre ndryshon së tepërmi dhe fiton gjallëri. Shtëpitë i kanë përshtatur për turizmin familjar: të mobiluara me të gjitha pajisjet e nevojshme që duhen për t’i kaluar pushimet këndshëm. Por duhet pranuar se ende janë larg nivelit si vend turistik, ndërkohë që ato mund t’i afrohen me pak punë, pse jo, edhe fshatrave të Evropës. Vështrimi vrapon kudo duke u përpjekur të kap dhe të mbaj me vete çdo cep të tyre.

Darzeza ka diçka të bukur për të ofruar, ka njerëzit e tij të dashur, ka historinë, kulturën dhe traditat e saj. Banorët janë të ngrohtë dhe mikpritës që presin vizitorët krahëhapur.

Në një botë gjithnjë e më indiferente, në të cilën çdo njeri mendon vetëm për veten e tij, kur gjen njerëz “njerëzor”. Por gjëja që të godet, ishte mirësjellja e tyre. Ata janë njerëz paqësorë, që e duam jetën, që përcjellin qetësi me buzëqeshjen, me qytetarinë, fjalën e ngrohtë, nga të cilat del më shumë në pah (me ndjeshmërinë dhe njerëzoren e tyre). Sinqeriteti i tyre, miqësia pothuajse e menjëhershme, respekti, i bën ata që, me të njohur e të panjohur, me pushues të vjetër e të rinj, të afërt e të largët, të zbukurojnë jetën e tyre.

Të presin e përcjellin me bujari zemre, që çel e shpërthen prej pastërtisë shpirtërore dhe atyre cilësive morale, ende të papleksura nga deformimet rrethanore. Emocioni që nuk të ndahet për asnjë çast, është ai që së brendshmi të përfshin në një buzëqeshje prej kënaqësisë përthithëse brishtësore të banorëve.

Këtu ditët kanë forma, koha ka ngjyra, dhe njerëzit thonë pak, por është e vërtetë. Në një kafene, do të gjesh karrige në hije, dhe dikë që të të bëjë një muhabet me “qibarllikun” e fjalës së urtë, larg zhurmës e pseudohumorit pa karar, dëgjoj histori të treguara dhe të pashkruara, takoj njerëz dhe flasë miqësisht.

Biseda me Mehmet Xhelilin, gjatë pirjes së një kafe të shoqëruar me një gote raki, ngjyroset bukur. Të rrëfen për epokën socialiste, kur u vendosën këtu, në bregdetin e Adriatikut, në një truall të përcaktuar prej shtetit. Duke përmendur copëza jete, të duket sikur bën analizën ideo-artistike të një romani jetë, të mbushur plot sakrifica, mundësi, konflikte, por edhe vlera njerëzore.

Kur sheh shtëpi të braktisura, e përfytyron jetën e përditshme të atyre që jetuan atje, dhe nuk e di vërtet pse ndjen një përzierje melankolie.

Darzeza nuk i ka shpëtuar braktisjes. Ikjet masive drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera do të sillnin shkretimin e saj. Pse ikin njerëzit? Ikën në “një vend” tjetër për një jetë më të mirë.

Megjithatë në të gjitha këto, koha ndalon të shikosh përreth, duke të bërë të mendosh për rëndësinë e gjërave të vogla. Banorët e Darzezës bëjnë shumë përpjekje duke u marrë me Bujqësi e Blegtori (jo me Pemëtari si në vendbanimin e vjetër, pasi shtresat e tokës përmbajnë kripë, që nuk arrijnë t’i zhvillojnë ato), por edhe me Emigracion (kryesisht në Greqi e Itali) me të cilët sigurojnë jetesën e tyre.

Dëshira e tyre është të prodhojnë domate, shalqinj, bostan, speca, bamje, patate, etj që shquhen për hershmërinë e ardhjes së tyre. Megjithatë, ende ka krenari të vërtetë për punën që bëjnë njerëzit këtu.

Në periudhat meteorologjikisht të paqëndrueshme, shqetësim i madh për banorët është se toka e saj që çdo vit kërcënohet nga përmbytjet, aqsa territori i Darzezës, rrethohet nga të katër anët me ujë, thuajse kthehet në kënetë (moçal) që, po t’u shtojmë edhe rrjetin rrugor të përmbytur, e vështirësojnë jetesën aty.

Magjia e Adriatikut

E lëmë Darzezën e Re dhe ecim ngadalë përmes pyllit me drurë të lartë drejt detit. Qielli është veshur me nuanca të ngrohta. Përshëndetemi nga peizazhi që të lë pa frymë: një shtrirje rëre e imët si të ishte e përbërë me copra smeraldesh e diamantesh, me veti të larta kuruese për shkak të përqendrimit të lartë të jodit, nga deti blu (kur dielli shkëlqen), era që fryn mbi dunat me një pëshpërimë të butë dhe dallgët përkëdhelin qetësisht bregun, nën një ritëm për t’u admiruar, me ardhje, përplasje dhe zbrapsje drejt bregut ranor ku thyhen për t’u kthyer mbrapsht në stërkala të bardha që zhduken sakaq.

Dikur, para viteve ’90 plazhi i Darzezës, ishte një peizazh heshtjeje dhe thjeshtësie, i ndaluar, si shumë të tjera të magjishme të Shqipërisë, si zonë ushtarake me det të pastër, rërë të bollshme e të pasur me jod kuruese për organizmin e njeriut. Përveçse është një pjesë magjepsëse e bregdetit është ideal për ata që duan të jenë larg njerëzve që gjatë gjithë vitit në vendet më të famshme. Realiteti është se vitet e fundit plazhi i Darzezës së Re është kthyer në një vend turistik. Bukuria e tij e përjetshme tërheq familje, adhuruesit e detit.

Ulem në një bar- kafene. Aty-këtu biseda të vakta me një leksik të varfër në një diskutim të zgjatur politik. I shmangesh bisedave të ngarkuara nga retorika përçarëse, sepse ndonjëherë durimi i njerëzve shteron shpejt dhe gjuha, kur çlirohet në një grindje, mund të jetë vërtet brutale.

Dita vazhdon, duke u rrezitur në diell, apo nën hijen e çadrës së hapur si luledielli. Pushues lumturakë shëtisin me hapa të ngadaltë. Një ftesë për të ecur zbathur, dorë për dore, pranë bregut, duke ndjerë frymën e detit magjik. Ecja dukej më pak si një xhiro turistike dhe më shumë një dyshe baba-bijë, duke u ndalur shpesh për të bërë foto. Për një kohë, përpiqesh të shohësh peizazhin përmes syve të saj kurioz.

Peizazhi njerëzor vazhdon të shpaloset. Zhurmojnë copëza fjalësh, kukurisje të qeshurash, britma gëzimi… E këtu vazhdon argëtimi i shëndetshëm: futboll, volejboll, ecje, vrapime. Të shqetësojnë thirrjet e ambulantëve që shesin fruta, lodra fëmijësh, akullore e pije freskuese; më tej zhurmat rënkuese të motorëve të ujit, duke rrëshkitur në pasqyrën e detit.

Atje, ku rëra dhe deti takohen në një përqafim të përjetshëm, shfaqet një kështjellë prej rëre e ndërtuar nga fëmijë, që kur të rriten mund të ndërtojnë fortesa të vërteta, apo një anije kozmike, e ndoshta raketa ndërplanetare. Mund të bëhen inxhinier, arkitekt, apo skulptor shumë të mirë.

Gjurmët e këmbëve fundosen në rërën e lagur, dhe uji i fshin pa nxitim. Një hap e prek detin. Secila dallgë që vjen e lodhur është një melodi që flet tingujt e saj të fshehtë, mbushur me jehona. Dëgjon llapaçitjet e notimit të vajzave që shndërrohen në peshk.

Një barkë e mbështetur pjerrtas në breg, ishte rrethuar nga dy- tre kandilë deti, të cilët të mbetur në breg, shkëlqenin me masën e qullët të tyre.

I gjithë qielli digjet në prush dhe zjarr, dhe uji reflekton atë shkëlqim të ngrohtë. Ngrihesh për të shkuar drejt detit të pafjalë. Për mos u djegur nga rëra e nxehtë kalon në rrugicat prej dërrase. Rrezet e diellit (të argjenda e të arta) që pushtonin tërë hapësirat, deri tek ujërat e kaltra, përthyhen, duke krijuar një lojë të shndritshme.

Shkel rërën e lagët nën rrezet e diellit që qartësojnë pak nga pak konturet e peizazhit në grykëderdhjen e Vjosës. Dallgët mbërrijnë butë, si të duash të mbështjellësh trupin me përkëdheljen e kripur të tyre. Uji ishte i cekët dhe fëmijët notonin aty si një grup flamingosh nën mbikqyrjen e prindërve. Uji është i vakët dhe zhytesh në blunë e detit si qielli, të mbështjellur nga shushërima e dallgëve, me ardhje, përplasje bregut ranor, si në një vallëzim Tangoje, nën një ritëm për t’u admiruar. Duke ecur përgjatë bregut, duke vështruar detin, i magjepsur nga dallgët, humbas veten në këngën e tij të përjetshme. Megjithatë, pas bukurisë fshihet edhe një pëshpëritje shqetësimi.

Darzeza, si shumë vende të tjera të bekuara, duket se qëndron ende në kohë. Infrastruktura, ndërhyrjet, kujdesi parësor, të gjitha duket se po vijnë me ritmin e ngadaltë të një epoke që nuk po i kap nevojat. Sikur ajo pret, me durim, të kujtohet nga ata që mund ta mbështesin pa e ndryshuar.

Bregu ka shpëtuar nga lakmitë e çmendura të betonit. Çdo gjë është e ndërtuar me materiale që natyra dhuron. S’ka lokale nate, por baraka druri, me raki e birrë, dhe peshk. Por, shteti këtu shumë pak ka vënë dorë, prandaj përpjekjet duhet të jenë të vazhdueshme rreth mirëmbajtjes së kësaj perle në breg të Adriatikut.

Shteti këtu shumë pak ka vënë dorë dhe përpjekjet duhet të jenë të vazhdueshme rreth mirmbajtjes së kësaj perle në breg të Adriatikut. Aty problem janë hedhurinat vend e pa vend, gjë që nuk varet vetëm nga edukata, por edhe nga zbatimi i ligjit ndaj bizneseve dhe bashkive, që nuk marrin masa për trajtimin e tyre, por i hedhin nëpër kanale, prrenj e lumenj, sikur të jenë këta kosha plehërash.

Dielli, si një udhëtar i lodhur, zbret në horizont, dhe para se të fshihet, duket sikur shikon edhe një herë botën dhe na lë një porosi: “Po iki, por do kthehem, si gjithmonë… ”

Ulemi aty, duke parë këtë kartolinë hyjnore dhe zemra na rreh në unison me frymën e detit, me ngrohtësinë e rërës nën këmbë. Shtretërit bosh ruajnë ngrohtësinë e trupave, jehonën e të qeshurave, shijen e kripës dhe diellit.

Admirojmë lojërat shumëngjyrëshe të perëndimit të diellit, nëpër det, duke e shndërruar atë në një pasqyrë bakri të lëngshëm. Në këtë parajsë qetësie, ajri me aromë kripe, që të fton të mbyllësh sytë dhe ta lësh veten të mbartësh nga qetësia e natës, duke mbushur gjithçka me një paqe që përqafon shpirtin…

Ne largohemi nga Darzeza. Është e vështirë të kuptosh vlerën që fshehin vende të tilla, në dukje të thjeshta si ky. Duhet të jesh atje për të qenë në gjendje t’i vlerësosh ato vende me të gjitha shqisat e tua. Në duar e trup kemi ende paksa nga jodi, dielli, shushërima e dallgëve të detit, nga pylli me pisha të larta, që shtrihet përgjatë vijës bregdetare, duke ofruar strehë nga dielli dhe hijeshi e “shenjtëri” shlodhje, por fatkeqësisht po e shqyejnë të paudhët.