Brukseli kërkon që Shqipëria të marrë masa konkrete për të ndëshkuar përgjegjësit e skandalit IPARD II
INFO
Hetimi i OLAF nuk ka nevojë për investigim të ri. Ajo që kërkohet është një vendim i thjeshtë për të regjistruar çështjen dhe për të çuar për ndjekje penale përgjegjësit. Por kjo nuk ndodh, sepse linja e bllokimit është e koordinuar. Dhe ndërkohë që drejtësia i mbyll sytë ndaj një dosjeje me vlerë 183 milionë euro, fermerët shqiptarë mbeten pa fonde, bujqësia pa zhvillim dhe Shqipëria pa kredibilitet në sytë e Bashkimit Europian
Komisioni Europian është bindur përfundimisht shteti shqiptar nuk është i interesuar të zbardhë abuzimet me fondet e BE për bujqësinë dhe po mbron ish-drejtoreshën e AZHBR, Frida Krifca, e akuzuar për abuzime me 183 milionë euro nga programi IPARD II gjatë viteve 2017–2021.Qëndrimi zyrtar i Komisionit ka qenë i qartë: derisa qeveria të ndëshkojë abuzuesit dhe drejtësia të veprojë, fondet IPARD III për Shqipërinë mbeten të bllokuara. Prej vitit 2020, fermerët shqiptarë nuk kanë përfituar asnjë euro nga grantet e Bashkimit Europian, dhe sipas njoftimit të fundit nga Brukseli, nuk do të marrin as në vitin 2026.
Fondet e akorduara nga Bashkimi Evropian dhe taksapaguesit shqiptarë për bujqësinë flitet se kanë përfunduar në duart e bosëve të krimit dhe drogës, oligarkëve, sekserëve, familjarëve të politikanëve etj., ndërsa fermerët e vërtetë kanë mbetur duarbosh.
Prej dy vitesh, fondet e programit IPARD për mbështetjen e bujqësisë shqiptare janë bllokuar për shkak të dyshimeve për korrupsion, ndërsa hetimet e SPAK-ut nuk kanë avancuar në mënyrë konkrete.
Brukseli vazhdon të kërkojë nga autoritetet shqiptare trajtim serioz të çështjes, duke theksuar nevojën për mbrojtje të fondeve europiane dhe transparencë në procesin hetimor. Megjithatë, deri më tani hetimet kanë ngecur në fazën paraprake, pa asnjë arrestim apo akt akuze.
Dosja e hetimeve për abuzimet me fondet IPARD, që ka kaluar edhe në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas është rikthyer në SPAK, nuk ka prodhuar rezultate konkrete, ndërsa zyrtarët e SPAK-ut nuk japin detaje për shkak të sekretit hetimor.
Në vitin 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) përfundoi hetimin administrativ dhe dorëzoi raportin pranë autoriteteve shqiptare dhe Komisionit Europian, por vendimmarrja e mëtejshme mbetet në dorë të institucioneve shqiptare.
Ministria e Bujqësisë thotë se po punon për auditimin e jashtëm dhe për masat përmirësuese, por nuk jep afate të qarta për rifillimin e financimeve. Fermerët dhe aktorët e sektorit presin me padurim rikthimin e fondeve që do të ndihmojnë zhvillimin rural, ndërsa Komisioni Europian kërkon masa korrigjuese dhe transparencë përpara se të rifillojë mbështetjen financiare.
Programi IPARD ka qenë një burim i rëndësishëm për sektorin bujqësor, duke ofruar mbi 71 milionë euro gjatë periudhës 2014-2020, dhe pritej të vijonte me 146 milionë euro fonde në kuadër të IPARD III. Megjithatë, dyshimet për korrupsion kanë bllokuar këto investime, duke shkaktuar një krizë financiare dhe besimi në sektorin rural.



















