Kristo Mërtiri: Kur mallohem për Gjikë Kuqalin, kuvendoj me Jusuf Alibalin…

521
Sigal

Gazeta Telegraf/


KUR MALLOHEM PËR GJIKË
KUQALIN, KUVENDOJ ME JUSUF ALIBALIN…


Kristo Mërtiri

Kështu më thosh 17 vjetë
më parë në Tiranë, një veteran fjalëqëruar e ish nxënës i Liceut të Korçës, për
partizanin e intelektualin erudit jo dosido në fushën e historisë, letërsisë,
drejtësisë e gazetarisë. Por edhe një eseist i veçantë e dinjitoz. Vështirë të
gjesh tjetër si i paharruari Jusuf Alibali. “Besnik i idealeve të Lirisë e
Demokracisë së vërtetë”. Burgosur e internuar nga qeveritë fashiste, naziste,
moniste e pluraliste ! Një nga autorët seriozë të Historisë së Shqipërisë, vlerësuar
me Çmimin e Republikës. Gjithnjë i qeshur e humorhollë. Asnjëherë nuk u mbyt në
puset e thella të dëshpërimit që i dhanë poshtërsisht e padrejtësisht të tjerët
e marrosur. Karakter stërralli i rrallë përmes një jete plot dallgë e stuhi egërshane.
Një emër i pastër që lëshoi dritë atdhetarie në qiellin e Luftës së shenjtë
Antifashiste Nacionalçlirimtare. Disa breza me juristë e gazetarë, me krijues,
studiues e historianë, e kishin si model të njeriut të mirë e aspak nursëz, pa
huqe, punëdashës, modest, burrëror e zemërbehar. Penëburonjat e tij nuk thahen
me një a më shumë shkrime gazete. Adivija e tij e shtrenjtë (bashkëshortja e
pathyer që Jusufi e thërriste ëmbël Viki në shtëpi e në poezi, i la pas tetëdhjetat
bashkë me rolin e famshëm të Mamicës te filimi “Skënderbeu”), pak ditë më parë
më dhuroi një tufë me libra të profesor Alibalit… Por mua, dje më trokiti herët
agu i mëngjezit. Më trokiste pa pushim ajo fjalia dëftore e shpirtërore e
fillimvjeshtës 1999 :

-Më dëgjo pak, miku ynë.
Kur mallohem për gazetarin dëshmor, Gjikë Kuqali, unë kuvendoj me Jusuf
Alibalin…

Shokë e luftëtarë të një
istikami faqebardhë përballë Lirisë e Demokracisë. Ëndërrimtarë e optimistë të
pandreqshëm për një Botë të Re pa pushtues, pa shtypës e të shtypur.
Fundvjeshta e dytë shënonte 23 Tetor. 1944 ! Ideale të njëjta. Fate të përbashkëta.
Degë të një trungu. Pena drithëruese, realiste e shokë burgu. Antifashistë e
antinazistë të sprovuar. Mëmëdhetarë të kulluar… Ashtu plot plagë e mundime në
zemër e në trupin e tij imcak, Gjikë Kuqali po kapërcente pragun e burgut të
Tiranës, me pranga në duar. Pranvera e fundit pa zogj këngëtarë e shtegtarë,
por me plot krisma, terror, ultimatum, trekëndsha me litarë në krye, udhë e
rrugica të përgjakura nga kufoma të pafajshme qytetarësh. Ish redaktori i
revistës “Kushtrimi i Lirisë”(e pas Çlirimit,”Zëri i Rinisë”), po syrgjynosej
kokë e këmbë në pranga drejt Kampit famëkeq të Prishtinës. Udhëtimi i fundit nëpër
udhët e rrudhosura, në Tiranën e barrikadave flamurmbajtëse kundër fashizmit e
nazizmit. Po syrgjynosej një nga udhëheqësit e urtë e të mençur të djalërisë
kryeqytetase.(Ku ta dinte Gjika ynë, se vëllai i tij Thoma po ndizej pishtar
lirie te obelisku botëror në Mathauzen!). Pas atij rrëmbimi, miku i mirë
shkodran, Jusufi, do të hidhej në Dajt e në Pezë. Drejt e në rreshtat partizane
të Brigadës XXII Sulmuese të UNÇSH. Nuk e panë më kurrë njeri-tjetrin ! Gjika
torturohej e tretej brenda telave me gjemba të kuçedrës shfarosëse në Prishtinë.
Ndërsa Jusufi luftonte krah për krah pezakëve që mbushën batalionet për Shqipërinë
e lirë. Në Ndroq, Shijak, Lekaj, Rrogozhinë – Peqin, Mamurras – Milot, Lurë, në
çlirimin e Mirditës, Pukës e Shkodrës loke. Dhe gjer në Podgoricë e Vishegrad…
Në torbën partizane me fishekë, kishte edhe një fletorkë shënimesh që bie erë
baruti sot e kësaj dite. Ditar i mbajtur në pushimet mes betejave. Por në atë
torbë ruhej fort edhe një letër e Gjikës, shkruar në qelinë e burgut. Në fund është
nënshkrimi : 17 Qershor 1944. Ish gjetur dy ditë “pasi Gestapoja rrëmbeu shokët
tanë” për t’i degdisur në Kampin e vdekjes. I drejtohej një vajze të dashur…

-Ajo, veç, mbeti në
histori si një dokument i rrallë njerëzor, si një ngjarje e veçantë letrare, si
një dëshmi e gjallë e pastërtisë morale dhe e angazhimit qytetar,-rrëfente jo
pa emocione, Jusufi.-Ishte një “kredo” politike e letrare e një zemre të madhe
e të kristaltë, e një luftëtari të paepur… Atje nuk ka beletristikë, nuk ka
ofshama, lektisje e betime dashurore…Kur lexon këtë letër të shkurtër të
shkruar për ngut, por shumë të ngjeshur për thellësinë dhe çiltërsinë e
ndjenjave e të mendimeve, për atë hov të sinqertë flijimi në emër të njerëzores,
pa dashur të vijnë në kujtesë fytyrat e francezit Gabriel Perri; të çekut
Julius Fuçik (I cili, në prag të varjes, shkruante :”Njerëz, unë ju kam dashur,
jini vigjilentë !”) etj. Ata po jepnin jetën që të fitonte jeta. Veç me këtë
letër dhe me aktin e tij sublim a nuk ngrihet kështu Gjika në majën e pavdeksisë,
e , pa e tepruar, të bëhet shok mendimi me atë poetin e madh që pati thirrur një
shekull më parë se për dashurinë edhe jetën e falte, kurse për Lirinë edhe
dashurinë ?…

Vendosmëri e ndërgjegjshme
patriotike, idealiste e revolucionare, që nuk u ngujua vetëm brenda pasionit të
militantit a poetit. Mbi të gjitha, Gjika ishte i talentuari i ndjeshëm i “Këngës
së re që do dërmojë/ e do rrëzojë çdo gjë të mykur/ çdo gjë që rron e s’di pse
rron”. Bashkë me Qemal Stafën, Shevqet Musarain e Mihal Durin, themeluan e
redaktuan të bekuarën emërbukur “Kushtrimi i Lirisë”. Dhe do të bëhej një nga
anëtarët më aktivë të rrethit letrar Antifashist. Jo rastësisht Jusufi e pagëzon
me të drejtë si “letrar i revoltës” që adhurohej e mbrohej nga “turma e
leckosur dhe e uritur” e punëtorisë në minierën e Kërrabës. Për këtë flet shumë
edhe dimri i fundit 1943-44. Ishin ata njerëz të thjeshtë që i ofruan strehë e
përkujdesje vëllazërore për të mos rënë në kthetrat e fashistëve. Ishin ata punëtorë
që “e fshehën, e ushqyen, e shëruan dhe e mbrojtën duke vënë në rrezik veten
dhe fëmijët e tyre. Dhe këtë ata nuk e bënë aspak se ishte “biri i padronit”,
se u kish “rënë në besë”, por se ishte bir i popullit, shoku i tyre, bashkëluftëtari
i tyre…”. Dashuria e mirënjohja punëtore për Gjikën rritej natyrshëm te ata
shpirtra të vuajtur e të pastër si bora në male. Aq më tepër kur ndaleshin te
tregimet e tij të shkurtra “Qiriu”,”Portokajt”,”Rrugëve”,”Budallai që këndon”,”Hije
të mbrëmjes” etj. Ligjërimete para hodhën dritë në Liceun e Korçës, te revista
shkollore “Koha e Re”. Profesori i nderuar përmetar, Stefanaq Pollo, e veçonte
gazetarin e ardhshëm dëshmor edhe si themelues e redaktor kryesor të saj.
Qarkullonte e daktilografuar dorë më dorë, brenda e jashtë Korçës. Por censura
e egër fashiste ia preu pabesisht e shpejt rrugën kësaj shkëndije të vogël.
“Por shkëndijat u shtuan”! E u bënë pishtarë të vërtetë, armë të luftës
çlirimtare. Që nga numri i parë i gazetës “Zëri i Popullit”,”Kushtrimi i Lirisë”,”Bashkimi”,”Gruaja
Shqiptare”, gazetat e xhepit nëpër batalionet e brigadat partizane etj. Dhe nuk
ishin pak, por gati 60 të tilla që shkonin dorë më dorë nëpër shtigje malesh, në
fshatra e qytete…Por lexuesit shqiptarë brenda e jashtë kufirit shtetëror, gjatë
5 dekadave kuvendonin kryesisht me rrëfimet e Jusuf Alibalit. Askush tjetër si
ai nuk e nxorri në dritë portretin njerëzor e letrar të Gjikë Kuqalit. Po shënimet
e fundit, a e dini ku i hodhi vallë ? Gjatë internimit të zi në Labovë të
Odries; në Kutalli e Sheqëz të Beratit dhe në Tiranë…Vula e kohës as shuhet e
as retushohet : “Mjaft më ! Bota do këngë të re…”(1941). La pak fletore, por
shumë frymëzime rinore. Fjala vjen, aktorët e sotëm nuk e dinë se ajo pjesa me
një akt e titulluar “Qemal Stafa” është shkruar e vënë në “skenë” brënda mureve
të burgut ! Pa regjisorë, pa skenografë, pa grimierë e pa suflerë. Dritën e
botimit e pa pas 30 vjetësh te “Zëri i Rinisë”… Krijimtari prushndezur që u “qëndron
rrebesheve të harresës”. Rrebeshe që i mposhti e rrëfeu gjersa mbylli sytë në
vitet dy mijë, eruditi e fisniku Jusuf Alibali. Njeriu që dha shumë e mori fare
pak nga kjo botë jallane : “…Se në këtë luftë mjer’ ai që ligështohet e dëshpërohet,
e thyhet, e dorëzohet. Mjer’ ai !”. I shkroi kur kaluan 10 vite internim. Veçse
shënimet për Gjikën i quajti thjesht “syzime”, ku ne të gjallët ulemi dhe
marrim diçka të çmuar si nga hojet e mjaltit…

Rrodhën 72 tetorë.
Mosha e Gjikë Kuqalit (vetëm 23 vjeç ! ) përkoi me datën e pushkatimit : 23
Tetor 1944 ! Krah për krah me 103 dëshmorët e Kampit të Prishtinës. Ashtu i
tretur si “Qiriu” i penës së tij e në ethe të rënda. Mezi qëndronte në këmbë.
Kur gardiani katil po e ngrinte dhunshëm, shpërtheu gjoksi i shokëve. Ishte kënga
e dashur partizane “N’ato maja rripa-rripa…”. Ndërsa në fund, këngën e përcolli
një thirrje tronditëse e burrërore : Mbahuni shokë !… Por breshëria e armëve
naziste nuk i kurseu kockat e njoma të tij ! 104 bij nënash shamizeza i hodhën
në një gropë të madhe. Ishte 23 Tetor, në vigjilje të Çlirimit. Populli dhe
historia nuk harrojnë. “Vdiq i ri e mbeti i ri”,-thoshte shpesh Jusufi.-Sepse në
natën e zezë fashiste, deshi të shprehte hovet e zemrës djaloshare, luftën për
shembjen e botës së vjetër… Po binin pikat e para të një shiu të butë. Si pika
pikëllimi për ishkolegun tonë që e shkroi biografinë e vet me gjak e sakrifica.
Apo ishin pika loti e nderimi nga qielli i Atdheut dhimbjeshumë ?!…