Bashkim Koçi: Gushti në Golem me misra të pjekur dhe banane

655
Sigal

Reportazh/ Problemet në njësinë administrative të Golemit janë të panumurta, të reja dhe të mbartura nga vitet e shkuara

Gushti në Golem

Nga Bashkim Koçi

Ditët e nxehta në Tiranë të mbushin mendjen dhe të shtyjnë për të marë arratinë, për të shkuar diku, në det apo në mal, mjafton që t’u shpëtosh rrezeve përvëluese të diellit të këtyre ditëve të gushtit me tëmperatura shumë të larta. Por Covidi i ka bërë njerëzit të ndjehen të tërhequr dhe t’u ruhen grumbullimeve të panevojshme, të cilët mund të bëhen shkak për të marrë mikrobin e rrezikshëm. Por ama, nuk ka përse të mos shkosh disa ditë me pushime, apo qoftë edhe një ditë, nëse mënjanon faktorët që janë me rrezik infeksioni.  Fjala vjen bregdeti i Durrësit mbetet të jetë më i preferuari për kryeqytetasit vetëm për një fakt: Ai të krijon mundësi për të kaluar ditën mirë, në kushtet që të bëjnë të harrosh vapën e tmerrshme të Tiranës, por edhe që në mbrëmje vonë të kthehesh në shtëpi, duke mënjanuar shpenzimet që rëndojnë mbi të ardhurat familjare. Ky arsyetim e këto llogari më bënë edhe mua që të marr vrapin për në Golem, në plazhin ndër më të mirët në bregdetin e Durrësit, falë disa investimeve që janë bërë vitet e fundit nga qeveria, siç është rruga automobilistike brenda qytezës, apo shëtitorja  “klas” disa kilometërshe në pjesën më të populluar të plazhit.

Plazhi “i infektuar” me Covid-19

Pamja që të del përpara në bregdetin e Golemit në këto ditë fillimgushti, është e frikshme. Plazhi është thuajse bosh, pa pushues. Disa mijëra shezlonë, të bërë gati për të pushuar njerëz, qëndrojnë mbi rërën e nxehtë si të jenë kampingje ushtarake pa ushtri. Personat që kujdesen për të  pritur e shërbyer klientëve,  ndjehen të braktisur,  sepse në të gjithë bllokun që ka në kujdestari janë apo nuk janë 2-3 çadra me pushues.Të gjitha të tjerat janë bosh, në pritje për të sistemuar donjë pushues të rastësishëm.

-Ndoshta i kini çmimet të larta, jeni të shtrenjtë, – i them një djaloshi, i cili  kujdesej për pjesën përpara hotelit luksoz  “Miraxhi”.

-Jo, nuk i kemi çmimet të shtrenja, vetëm 3 mijë lekë (të vjetra) shezlongun. Ku t’i çosh më pak se kaq? Në bregdetin e Jugut, po ky shërbim, paguhet 8 deri në 10 euro!

Diku më tutje mora informacionin se çmimi për të qëndruar gjatë gjithë ditës në shezlong ishte 5 mijë lekë.

-Shumë, pse kjo diferencë prej 2 mijë lekësh në krahasim me “komshiun”? – i them punëtorit, një mesoburri që ndërkohë i priste kuponin  pushuesit të  porsaardhur  nga qyeti i Elbasanit.

-Nuk është shtrenjë, kujdeset të më sqarojë punëtori.  -E di pse? Sepse në këtë 5 mijë lekësh përfshihet  edhe parkimi i makinës këtu pranë hotelit.

Vozitja  e bregut të Golemit, edhe pse fundjavë, është dëshpëruese, nuk të jep ndjesinë që është piku i mesit të verës. Kur e krahasoj këtë gjendje me një vit më parë, mbetem i pafjalë. Them me vete: plazhi i Golemit qenka i sëmurë me Covid, qenka në reaminacion.

”Hajde misër të pjekur….erdhi bananja”

Edhe pse plazhi është shumë, shumë pak i populluar  me pushues, shitësit ambulantë i gjen të qarkullojnë  midis çadrave, ku tek-tuk gjejnë rastin t’u ofrojnë produkte të stinës, kryesisht misra të pjekur, dardhë, pjeshkë, rrush, por edhe banane. Në intervale të ndryshme kohe dëgjon zëra që të sjellin edhe humor, ku më shpesh përsëritet refreni “Hajde misër i pjekur… erdhi bananja”. Sigurisht që nga ky tregtim i lodhshëm nuk dalin pa gjë, por janë larg, shumë larg të ardhurave që siguronin vitet e shkuara.

-Si të shkon “tregtia”? – pyes një burrë rreth 65- vjeç, i cili nën një çadër ka vendosur të gjithë takëmet çka duhet për të pjekur e shitur misra.

-Ble bereqet, pjek bereqet dhe marr “bereqet”,  -ma kthen shitësi i misrave me emrin Petrit Çaushi. Nuk e kuptova fare për çka më tha, por edhe ai i ra hiles, ndaj vazhdoi të zbërthente metaforën e tij. Po ja, tha, unë ble misrin, e pjek dhe u shërbej pushuesve, pra e shes. Ata e blejnë me lekë, nga ku unë siguroj ca të ardhura për familjen time. Kësaj i them unë që ble bereqet, shes bereqet dhe marr “bereqet”.

Shitësi i zgjuar i misrave të pjekur kish zbritur në Golem përpara 26 -vjetësh nga fshati Selckë i Tepelenës, aty afër zonës së Buzit. Tha se ndjehej mirë, se ish sistemuar për mrekulli dhe që kishte siguruar të ardhmen e fëmijëve.

-Ja, duke shitur misra të pjekur këtu në mes të rërës së nxehtë, arrita të rris dhe të arsimoj fëmijët. Vajza ka mbaruar të lartën për ekonomiste dhe e kam të sistemuar në punë. Edhe djalin e madh, po ashtu. Bleu shtëpi në Tiranë, te  “Fresku”, dhe nuk e kam më barrë, e përballon jetën me krahët e tij. E ç’mund të bëja unë në Selckë, në fshatin në gropë ku shihje vetëm një shoshë qiell?

Në bisedë e sipër me tepelenasin-golemas kaluan dy zëra “erdhi bananja…”, por meqë nuk iu afrua kush, humbën mes çadrave pothuajse bosh, në drejtim të Malit te Robit.

Hamiti nga Zapodi i Kukësit

Hamiti ka sajuar një “dyqan” në anë të rrugës që të çon tek “Malvina”,  kompleksi “Murrizi” e më tutje drejt Shkëmbit të Kavajës. Hamiti shet gjithçka nga prodhimet e stinës, por në shumicë tregton perime të të gjitha llojeve.

-Prodhime vendi, bio,  -i them, -të prodhuara vetë?

-Unë jam kuksian, nga Zapodi, por jam  vendosur  këtu në Golem përpara një çerek shekulli, dhe bën të vërë buzën në gaz.

-Atëherë ti je golemas, nuk ke lidhje me Kukësin, me Zapodin, përsa më “përkthen” vitet këtu në Golem me “çerek shekulli”.

Por Hamiti nuk do që ta pranojë të jetë nga Golemi. Edhe fëmijëve të fëmijëve do t’ua fus në gjak që të thonë se janë kuksianë, – thotë me një zë të vendosur, që i del nga shpirti. Nuk mund të harrohen vendet e të parëve, të atyre që luftuan me shekuj kundër sërbit. A ke dëgjuar për luftimet e Lumës ti, të viteve 1913 me sërbin?

E pyeta Hamitin pastaj nëse kishte informacion për rrëmbimin e vajzës me emrnin Bleona e që ka vite që e ëma e kërkon, duke trokitur nga njëri televizion në tjetrin.

-Ndjehem keq kur përcillet nëpër TV kjo histori e dhimbshme,  -thotë disi i menduar Hamiti, por unë jam larguar, ngjarja ka ndodhur kur unë isha vendosur këtu në Golem.

Biseda kalon tek puna e tij, nga i merr dhe si i siguron prodhimet, për të cilat pretendon se i ka nga prodhimet e tij, nga bahçja që ka në pronësi, aty afër shtëpisë.

-Këtu ku kam ngritur këtë pikë shitje dhe e konsideroj si “pritë”, ku kalojnë shumë pushues nga Kosova, të cilët pasi bëjnë plazh, ngjiten lart në fshat, aty ku janë strehuar.

Plagët e tërmetit, ende të pashëruara

Në zonën e plazhit të Golemit ka banorë të përhershëm, shumica të ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit. Aty është vendosur edhe një miku im, mjeku Ali Shahu, i ardhur nga Skrapari. Meqë kisha qenë edhe herë të tjera në shtëpinë e tij, vendosa  të shkoj me mendimin për t’u çmalluar, por edhe për të marë informacin rreth gjendjes së apartamentit ku ai banon, i cili pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Pallati ndodhet në “Rruga e Detit”, sapo ve këmbë në plazhin e Golemit. Sapo u përballa më pallatin shumëkatësh hodha sytë në katin e dytë, aty ku banon mjeku Ali Shahu. Po ç’të shoh?! Të dy ballkonet e shtëpisë ishin ende të dëmtuar, në gjendjen e asaj dite të para 8 -muajve, pra krejt të pabanueshëm. Jo vetëm ai, por në të gjithë pallatin nuk ishte vënë dorë. Duke pyetur, mora vesh se doktor Aliu ishte larguar për në Itali, për të jetuar pranë fëmijëve, për aq kohë sa do të duhej për të rregulluar shtëpinë.

Nuk është vetëm ky pallat në Golem i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe që nuk është kujdesur kush për të bërë riparimet e mundshme. Në vazhdim të tij, po në atë zonë, janë disa godina shumëkatëshe të dëmtuara dhe që të krijojnë ndjesinë e frikës. Kryesisht janë katet e para, apo ata nëntokë. Një pronari marketi I është dëmtuar shtëpia dhe mjedisi ku tregton që, nëse do ta kthejë në gjendjen e mëparëshme i duhen disa milionë lekë.

-Nuk kam marë asnjë ndihmë, -thotë ai. – Madje nuk është interesuar njeri për të çmuar dëmin që na është bërë, pa lëre pastaj ndonjë ndihmë që mund të na japin organet e pushtetit vendor.

Nëse i bjen kryq e tërthor banesave të ngritura në zonën e Golemit,  mer vesh se gjurmët e tërmetit janë aty, të freskëta fare, sikur ai tërmet i tmerrsëhm të ketë rënë dje.

Golemi, as i Durrësit e as i Kavajës

Golemi pak vite më parë ishte komunë më vete dhe buxhetin, mirë apo keq, e administronte për punët e veta. Në zgjedhjet e fundit të pushtetit  vendor  Golemi i kaloi bashkisë  së Kavajës. Të paktën kështu thuhet,  sepse shumëkush e di që Golemi është pjesë e bashkisë së Durrësit. Pra, po të vëzhgosh me kujdes se në ç’pozicion qëndron kjo njësi administrative, kupton se ajo nuk është e kurrkujt, as e Durrësit , e as e Kavajës. Kjo gjë pasqyrohet në investimet e bëra, sidomos në drejtim të zhvillimit të turizmit, ku është dhe duhet të jetë prioriteti kryesor. Po realizohet diçka në qendër të fshatit, një si rrethrrotullim, por që nuk përbën ndonjë përfitim të madh për banorët fshatit. Për zhvillimin e infrastrukturës turistike mund të themi se nuk duhet të zihet në gojë. Dhe ajo çka bjen në sy, është degradimi i rrjetit të brendshëm rrugor, pikërisht aty ku është pika më e dobët, që mund të afrojë, apo largojë turistët.

Sigurisht, puna e mirë duhet thënë, siç është ajo e stabilizimit i furnizimit me ujë. Sot, të thonë banorët që janë të përhershëm apo pushuesit sezonalë, nuk bëhet fjalë për mungesë të ujit. Bëhet fjalë për sistemimin e ujrave të zeza, për të cilat thuajse nuk i ka rënë në mendje kujt për të ndërmarë një aksion për ta mbyllur këtë problem gangrene prej tre dekadash, njëherë e mirë. Aq më tepë,r që për këtë problem madhor janë të interesuar vetë banorët, madje të gatshëm për të ndihmuar financiarisht për përballimin e punës së gjallë dhe të sigurimit të bazës materiale. Kontaktuam pronarin e një apartamenti në një pallat katërkatësh i cili, për sa na tha, e shumëzonte me zero punën dhe kujdesin e bashkisë së Kavajës për zonën e Golemit.

-Kemi grumbulluar lekët nga banorët për sistemimin e ujrave të zeza por, edhe pse na ka rënë goja nga kërkesat e panumërta, as që bëhët fjalë që të vijnë për ta mbyllur këtë gjë shumë të rëndësishme për ne banorët, të bërë prej vitesh. Pastaj, vijon vërejtjet banori me emrin Rushit, ne kemi probleme që rrezikojnë jetën e banorëve, apo edhe të pallatit. I shikon këto tri pisha të thara? Po të rrëzohet njëra nga ato, bie direkt mbi kabllin qendror që na furnizon me energji elektrike e që do të thotë të krijojë një mundësi për të marrë zjarr pallati. U bënë dy vjet që i është bërë kërkesa në zyrën përkatëse në bashkinë e Kavajës, por mesa duket e kanë sistemuar hallin tonë në sirtarin e harresës.

Problemet në njësinë administrative të Golemit, janë të panumurta, të reja dhe të mbartura nga vitet e shkuara. Nuk mund të kryhen punët e mëdha, aq më tepër në një zonë me pretendime për zhvillimin e turizmit, me sloganin tashmë të pështirë  “hajde dalim një herë andej nga Golemi”. Sepse Golemi, për nga rëndësia e zhvillimit,  është ku e ku me Kavajën.  

Rruga Gjelbërimi në Durrës, e ‘gjelbëruar’ nga mbetjet

Rruga “Gjelbërimi” në qytetin e Durrësit është e mbushur plot me mbeturina urbane, duke ia venitur emrin kësaj rruge, e cila ndodhet në zonën e ish-Kënetës. Banorët tregojnë se kanë vite që e vuajnë këtë situatë, teksa pavarësisht premtimeve të shumta në periudhë zgjedhjesh, askush nuk ka marrë asnjë zgjidhje konkrete për këtë problematikë. Banorët e zonës, sidomos ata të rrugë “Gjelbërimi” ankohen prej kohësh për ndotjen mjedisore, që thellohet më shumë edhe për shkak të kanalit të hapur i mbushur me mbetje urbane dhe ujëra të zeza. Të shumta janë letrat apo kërkesat për informacion dhe zgjidhje të situatës që banorët u kanë drejtuar institucioneve. Ata tregojnë se i kanë kërkuar disa herë Bashkisë Durrës mbylljen dhe rehabilitimin e kanalit, që rrezikon të kthehet në vatër infeksioni.“Këtu jeta është bërë e padurueshme. Kemi më shumë se 10 vite me këtë situatë. Askush nuk po na e zgjidh dot hallin. Kemi shkuar, jemi ankuar në bashki, por përveç premtimeve boshe asgjë tjetër nuk ka ndodhur”, tha një banor i kësaj zone.

Mbetjet urbane pranë kontejnerëve të mbushur

Si për ironi të fatit rruga mban emrin “Gjelbërimi”, por rreth e qark nuk sheh gjë tjetër veçse grumbuj me mbetje. Gjendja bëhet edhe më e vështirë, pasi temperaturat e larta ndikojnë në përhapjen e erës së rëndë rreth e qark.“Nuk vijnë të na i pastrojnë mbetjet fare këtu, dhe normal është paksa edhe faji i banorëve që i hedhin pa kriter hera-herës”, tha Ada, një banore e vjetër e zonës.“Situata në lagjen tonë është e njëjtë që në vitin ‘97.

Mbetjet urbane e hedhura në kanalin që përshkon këtë rrugë.

Korriku i vitit 2020 e gjen këtë zonë sërish me kanalin e hapur që përshkon gjithë lagjen dhe pirgjet me mbeturina. Ndërsa harxhohen miliona euro për projekte që përqendrohen në qendrën e Durrësit, periferia ka mbetur në gjendje të mjerë.Bashkia Durrës në lidhje me situatën e menaxhimit të mbetjeve, tha se nuk ekziston më një problematikë e tillë në qytetin bregdetar, pasi mbetjet tanimë depozitohen në landfillin e Sharrës në Tiranë, ndërkohë që faktet flasin të kundërtën, duke mos marrë përgjegjësi mbi këtë situatë.