Shëngjergji, malësia piktoreske e Tiranës

3226
Sigal

Sokol Kongoli

Zona e Shëngjergjit shtrihet në lindje të rrethit të Tiranës. Disa vjet më parë ishte komunë më vete, ndërsa sot është njësi administrative e përfshirë në bashkinë e Tiranës. Në territorin e saj bëjnë pjesë edhe disa fshatra të tjerë si: Burimasi, Biza, Derja, Domja e malit, Façeshi, Fagu, Parpunja, Ura, Vakumona, Vërria dhe Shëngjergji.

Kjo krahinë në shekujt XII-XIV quhej me emrin Tomadhe. Profesor Dhimitër Shuteriqi e përcakton si vendbanim me kuptimin “Dheu i Tomës”. Mendohet se pas 1600-ës ka dalë emërtimi i fshatit të sotëm Shëngjergj. Në këtë zonë gjenden fshatra me emra të krishterë siç janë vetë, Shëngjergji por edhe Shën Mëria dhe Shën Gjini. Dikur banorët kanë qenë të krishterë. Procesi i islamizimit filloi rreth vitit 1500 dhe përfundoi mbas 200 vjetësh. Në këto fshatra ka pasur kisha, madje fshati i Shën Gjinit deri në vitin 1650 ka qenë një qendër kishtare me emrin “Sofragjan”. Një informacion për kishat e kësaj zone, të cilat ishin nën dioqezën e Bendës, por edhe të krejt rrethit të Tiranës na e ka lënë në shkrimet e tij Dom Mark Dushi, i cili ka shërbyer ne kishën katolike të Shna Ndout në Tiranë. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shëngjergj ka qëndruar për ca kohë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇl dhe aty në 20.11.1943 është krijuar Brigada e Dytë Sulmuese me komandant Beqir Ballukun dhe komisar politik Vasil Konomin. Ndërkaq në fushën e Bizës gjatë Luftës forcat aleate nëpërmjet aviacionit anglez hidhnin nga ajri ndihma për Luftën; si armatime, veshmbathje dhe ushqime. Në këtë zonë kanë funksionuar edhe katër spitale partizane.

Fusha e Bizës

Mjaft interesante në këtë territor është Biza. Ajo gjendet në lindje të Shëngjergjit. Shtrihet në një fushë malore me gjatësi 2,5 kilometra dhe gjerësi 2 kilometra. Lartësia është 1.200 metra mbi nivelin e detit. Dikur kjo qytezë ka pasur një popullsi prej 500 banorësh. Biza shërbente si qendër stërvitore ushtarake, funksion të cilin e ruan edhe sot. E tillë ka qenë stërvitje e quajtur “Biza -15”. Në Bizë ka funksionuar Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve si dhe një institut për eksperimentimin e patates, pasi toka dhe klima ofronin kushte mjaft të favorshme për kultivimin e saj. Po kështu ka pasur një hotel si dhe kampe verore për fëmijët, duke ofruar mundësi pushimi për mosha të ndryshme. Sot Biza rezulton pothuajse e braktisur. Megjithatë ajo shfrytëzohet ende si bazë ushtarake. Në të shkuarën njihej për prodhimin e konsiderueshëm të lëndës drusore pasi këto vise janë të pasura në pyjet e dushkut, ahut, pishës si dhe të tjerë. Fauna përbëhet nga ariu i murrmë, ujku, dhia e egër, dhelpra, derri i egër, lepuri i egër, lakuriqi i natës, skifteri. Për ruajtjen e bio-diversitetit, me rëndësi është fakti se që prej vitit 2007 ajo është shpallur nga qeveria Zonë Natyrore e Mbrojtur dhe përfshin territoret Mali me Gropa – Bizë – Martanesh. Kjo sipërfaqe gjendet në kufi me parqet kombëtare të malit të Dajtit si dhe të Qafë Shtamës. Veçoritë mjedisore dhe panorama piktoreske që vëzhgohet këtu apo në territorin e kooperativës së bashkuar Vërri, janë shfrytëzuar nga ana e Kinostudios Shqipëria e re si skena për xhirimin e filmit artistik “Në pyjet me borë ka jetë“, i vitit 1978.

Sipas të dhënave të vitit 2011, zona e komunës Shëngjergj kishte një popullsi prej 2.186 banorësh. Vetë Shëngjergji gjendet në një distancë prej 40 km larg nga kryeqyteti dhe koha e nevojshme për të mbërritur aty është 1 orë e 20 minuta. Ndërsa për të mbërritur në Bizë distanca është 55 km dhe rruga merr më gjatë pasi kalohet nga Qafë Molla duke i dalë mbi shpinë fshatrave të Shën Mërisë dhe Shëngjergjit. Aty mbërrihet zakonisht për 2 orë e 15 minuta. Në Shëngjergj mund të shkohet edhe me transport publik me mjete që nisen prej Kinostudios në Tiranë. Kjo zonë malore njihet për blegtorinë dhe në mënyre të veçantë për mbarështimin e dhenve. Vitet e fundit ka nisur të aplikohet edhe bletë-rritja. Ndër të tjera rajoni njihet edhe për prodhimin e rakisë nga mareja, fryt i cili rritet në këto anë. Produkte të tjera janë domatja e vonë e Shëngjergjit e cila është e kërkuar dhe e preferuar në tregjet e Tiranës, djathi i dhisë, çaji i malit, mishi i kecit i kullotave të Fagut. Ndërsa restorantet e zonës sidomos përgjatë përroit të Shëngjergjit, të cilin vendasit e quajnë përroi i Trrogut, specialitetet më tipike të kuzhinës janë mishi i kecit i kullotave të Fagut, pilafi me grurë të thërrmuar, fërgesa tipike e Tiranës etj . Ndër traditat e artizanatit do të përmendnim prodhimin e qilimave në vegjë. Shëngjergji njihet edhe për kostumet popullore si dhe vallen e tij të interpretuar shpesh herë edhe nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ndër aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shkolla e parë shqipe është çelur në vitin 1913, por përpjekjet për arsim janë bërë edhe më herët . Në një letër të tij të 1871 Kristoforidhi shprehej se abetarja e tij ishte pritur me entuziazëm në këto anë. Shëngjergji por edhe zona përreth tij ka nxjerrë ndër vite njerëz të arsimuar dhe personalitete të njohura, deri në akademikë e studiues si dhe në fusha të tilla si mjekësi, inxhinieri, muzikë, sport etj.

Me karakteristikat që paraqet, treva ka mundësi mjaft të mira për turizmin malor. Distanca e afërt nga kryeqyteti jep përparësi që t’i sigurojë prurje të konsiderueshme vizitorësh. Në këtë kuptim shfrytëzimi i potencialeve, veçanërisht atyre të natyrës do të ishte një mundësi e mirë për rritjen ekonomike të këtij rajoni. Shëngjergji bën pjesë gjithashtu në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë në sajë të së cilit pritet që të përfitojë projekte me interes zhvillimin e agro turizmit.

Disa ndër atraksionet e kësaj zone janë burimi i Kuq, shpella e Kacerrit që ndodhet afër lëndinës së Kacerrit, ujëvara e Kecit në Façesh, liqeni i Kallogjeshit në kufi me Vakumonën, rrapi dhe pylli i Isuf Plloçit në Shën Mërisë, mulliri i vjetër dhe rrënojat e xhamisë në Urë (ndërtuar rreth viteve 1772-1776), pylli i Kolgjergjit, lëndina e Shpellzës, rrënojat e kështjellës së Shën Gjinit. Kështjella ngrihej në majën e një kodre të lartë prej 800 metrash në kufirin midis fshatrave Shën Gjin dhe Fag. Sipas ekspeditave të organizuara aty, kështjella i përket shekullit të pestë. Muri rrethues ka perimetër 290 metra dhe një sipërfaqe prej 4.200 m2. Mendohet se është përdorur edhe gjatë periudhës së Skënderbeut.

Vizitorët kanë paraqitur interes edhe vende të tjera mjaft tërheqëse: Ujëvara e Shën Gjinit, që ndodhet pranë këtij fshati në një distancë prej 30 minutash me ecje. Vendi i “varrit të vjetër” në fshatin e Vërrisë, fshati i Fagut, i cili gjendet në shpatin e malit me të njëjtin emër me një lartësi prej 650-700 metra mbi nivelin e detit. Ky fshat ka kushte mjaft të favorshme për blegtorinë dhe prej andej hapet një pamje madhështore e mbresëlënëse. Liqeni i Lepurit, i cili është në fakt një ujëmbledhës dhe gjendet 5 km larg nga qendra e fshatit Shëngjergj. Shpella e Valit, e cila gjendet pranë fshatit me të njëjtin emër, në një lartësi prej rreth 1.000 metrash mbi nivelin e detit. Kjo shpellë karstike është 250 metra e gjatë, 35 metra e gjerë dhe 25 metra e lartë. Nuk mund të mos përmendet dhe ujëvara e Shën Gjergjit. Ajo ka filluar të shndërrohet në një destinacion të lakmuar. Ujëvara gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Furnizohet me ujë nga Mali me Gropa.

Si njësi territoriale zona ofron mundësi mjaft të favorshme për hiking dhe ngjitjet malore. Të tilla janë ato drejt malit të Miçekut, ku fshati i Shën Mërisë shërben si një bazë për nisur ngjitjen. Gjithashtu edhe Biza mund të shërbeje si bazë drejt malit të Snojit apo si quhet ndryshe maja e Shna Ndojit të madh, e cila është edhe pika më e lartë e rrethit të Tiranës. Klubet e ndryshme të aktiviteteve “outdoor” në kryeqytet kanë kohë që organizojnë tashmë vizita turistike në këto zona. Në Shëngjergj ofrohet edhe akomodim në shtëpi pritëse të përshtatura për vizitorë. Vendi ka filluar të frekuentohet së fundmi edhe nga banorët e kryeqytetit që kanë nisur të vërshojnë këtu gjatë fundjavës, të dhënë më shumë pas turizmit gastronomik, sidomos për konsumin e drekave. Madje përgjatë rrugës anës përroit të Trrogut (siç e thërrasin vendasit) bashkia e Tiranës ka ngritur edhe tenda të posaçme për të organizuar piknikë. Këtë tetor mendohet që aty të organizohen gara me makina “rally”. Megjithatë kjo zonë ende ka nevoje dhe meriton më shumë vëmendje dhe konsiderata më të mëdha për mundësitë që ofron.

Është plotësisht koha që Shëngjergji dhe zona përreth tij të kenë më shumë vëmendje jo vetëm nga qeveria dhe bashkia e Tiranës, por edhe nga vetë qytetarët e saj. Jo rrallë herë kryeqytetasit i tërheq me të drejtë bukuria e Thethit, Razmës e Valbonës por nga ana tjetër nuk duhet harruar se një bukuri e tillë mahnitëse gjendet fare pranë Tiranës së madhe, pikërisht në Shëngjergjin malor.