Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar Ervin Resuli ka reaguar pas publikimit të pamjeve të filmuara në Korçë ku Zëvendësministri për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë, njëherazi personi përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të sigurisë ushqimore dhe Kryetar i Komisionit të PMB në Ministrinë e Bujqësisë, kapet duke blerë vota për rilindjen.
Sipas Resulit ai nuk ka reaguar asnjëherë, për mandarinat me pesticide, për mishin e pulës me salmonelë, për luleshtrydhet e kontaminuara, qumështin me aflatoksinë dhe lopët me brucelozë që vinin nga Greqia.
Më poshtë në mesazh Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar shtron edhe pyetjen, “a mos ndoshta sepse kompanitë e përfshira në këto skandale mund t’i kenë financuar fushatën?”
Mesazhi i plotë:
Nuk çuditem aspak…
Zëvendësministri për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë, njëherazi personi përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të sigurisë ushqimore dhe Kryetar i Komisionit të PMB në Ministri të Bujqësisë , sot akuzohet për blerje votash.
Unë shpresoj të jetë një sulm politik, por lind një dyshim i arsyeshëm:
Pse ky njeri nuk reagoi kurrë për:
Mandarinat me pesticide,
Filetot e pulës me salmonelë,
Luleshtrydhet e kontaminuara,
Qumështin me aflatoksinë,
Dhe më e rënda: kontrabandën e lopëve me brucelozë nga Greqia që hynin në Korçë, duke rrezikuar direkt shëndetin publik dhe blegtorinë shqiptare?
Asnjë reagim, asnjë transparencë, asnjë përgjegjësi!
A mos ndoshta sepse kompanitë e përfshira në këto skandale mund t’i kenë financuar fushatën?
Nëse po, kemi përballë një krim institucional të heshtur, që ka vënë jetën e shqiptarëve në rrezik për interesa klienteliste.
#SPAK duhet të veprojë menjëherë – këtu nuk flasim për politikë, por për shëndetin e fëmijëve tanë.
Nuk mund të helmohet një popull që një palaco të blejë vota!