U ndalua nga policia Kreu i FRPD kallëzim në prokurori: Sot nuk ka rënë teatri por Edi Rama. I keni bërë varrin vetes, mesazh për Veliajn

338
Sigal

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka qenë një prej personave të ndaluar nga policia i cili është liruar vetëm në mesditë. Më pas ai ka qenë në prokurori ku ka depozituar kallëzimin e tij për të cilin ka informuar vetë mediat. Këlliçi tha se ndaj tij është ushtruar dhunë edhe pse i kishte deklaruar policëve se do të shkonte vullnetarisht. Ai theksoi se sot nuk ka rënë teatri por Edi Rama dhe maxhoranca. Këllici pati një mesazh dhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“Jam çuar në drejtorinë e policisë së Tiranës për disa orë me qytetarë të tjerë. Ka qenë dhe një artist tjetër që nuk kishte lidhje. Tani kam kaluar disa orë në prokurori duke depozituar kallëzimin tim. Kjo nuk do kalojë lehtë. Është hera e parë që arrestohem. Por ka pasur dhjetëra të rinj të FRPD që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë këtë. Sot nuk ka rënë teatri por Edi Rama, maxhoranca. Është absurde që në kohë pandemie të shembet Teatri Kombëtar, të vijohet me afera korruptive, të gjobitet kreu i PD. Unë vetë kam marrë dy gjoba dhe më është hequr dy herë patenta. Terror i plotë.

Nuk ka asnjë sekondë paqe me Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Fytyra e tyre është shfaqur me atë që i bënë teatrit. Duan vetëm të vjedhin, por ka ardhur momenti që nuk mban më ujë pilafi. Do jemi në çdo revoltë, qofsha dhe i vetëm. Është fatkeqësi kombëtare për Shqipërinë, për të rinjtë.

Është ushtruar dhunë ndaj meje, në mënyrë të panevojshme. I kam sqaruar se do shkoja vullnetarisht dhe s’kishte nevojë për forcë. Jam dhunuar, sharë e ofenduar nga policia si të isha një rrugaç ose një deputet i PS që meriton të jetë në burg.

Nga sot i keni bërë varrin vetes. Fundi juaj më pranë se kurrë. kam mesazh personal me Erion Veliajn. Kjo që po i bën Tiranës do të kthehet shumëfish. karriera jote do të marrë fund”, deklaroi Këlliçi.