Zogu shiti votën për 20 mijë lekë/Vasili: Prova nëse SPAK zgjaton ligjin apo mbështet Rilindjen

515
Sigal

Një ditë më parë u publikuan të tjera përgjime mes Hermes Nikajt, që njihet edhe si Zogu i Tiranës, këtë herë me moderatoren Dajana Shabani. Siç po ndodh rëndom kur flitet për krim, drogë e seks, edhe këtë herë u vu re që flitej për blerje votash, madje edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, ku garonte vetëm PS.

Biseda që zhvillohet mes tyre:

Dajana: Zogu, votove ti motra?

Zogu: Jo akoma.

Dajana: Shko të lutem se më duhet shenja jote, ta çoj me foto, të kam motra zemër.

Zogu: Po mi.

Dajana: Se është orari që e ke fiks, hajt të jap motra njëzetmijë lekësh, shko.

Zogu: O sa mirë, kur, tani? Ja për gjysëm ore.

Dajana: Ik motra se në orën shtatë mbyllen qendrat e votimit.

Zogu: Bëje gati njëzet mijë lekëshin.

Dajana: Ta bën motra, ta bën motra, por merr edhe ndonjë këto grupin e gatshëm, votojnë këto?

Zogu: Ku di unë, ç’i du këto po votoj për vete, ta çoj me aplikacion po hec..

Pas këtij përgjimi reagoi edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Ai tha se SPAK nuk duhet t’i shmanget kësaj çështje kryesore.

Krimi zgjedhor pas dosjeve 184 dhe 339, tani edhe Zogu dhe Dajana, ç’pret SPAK?

Blerja e votave është themeli i shkatërrimit dhe kapjes së shtetit ligjor. Blerja e votave është mburoja politike e korrupsionit pa fre. Blerja e votave blen drejtësinë dhe mbron kriminelet me pushtet.

Në përgjimet e fundit del qartë sesi 30 qershori ishte një këllirë politike dhe përgjimet e të famshmit ”Zogu i Tiranës” dhe Dajanës, vërtetojnë sheshit blerjen e neveritshme të votës për të legjitimuar votimet moniste të Edi Ramës. Të vërtetat janë sheshit janë publike, po bubullojnë dhe njëherazi me to dita-ditës po shpërbehet e po shkretohet Shqipëria sepse qeverisin hajdutët e kriminelët e votave në pushtet deri në krye të qeverisë e të parlamentit.

Krimi elektoral ku është vërtetuar se që nga kryeministri e deri tek ministrat, deputetë, drejtorë, shefa policie etj janë provuar nga përgjimet e dosjes 184 dhe 339 si autore të tij, duhet të hetohen nga SPAK-u sepse është objekt i SPAK-ut, ndryshe çdo fjalë është demagogji boshe. Nëse SPAK i bën bisht hetimit të krimit elektoral qeveritar ashtu siç bëri prokuroria e Arta Markut, që i çoi dosjet në Diber, kujt i duhet më ky SPAK?

Një SPAK që do ti shmanget çështjes më kritike në Shqipëri ku qeveria dhe krimi të bëra njësh grabisin votën me para e kërcënime gjithfarësh pushtetin e qytetarëve, është një SPAK që vdes pa lindur ende. Hetimi i krimit elektoral është prova e të vërtetës për SPAK për të ndarë nëse ai zbaton ligjin apo zbaton ligjin e Rilindjes. Populli nuk do ta lejojë por populli po vëzhgon me zemërim shpërthyes edhe “Drejtësinë e re” dhe SPAK-un sesi po vepron ajo dhe a do të jenë zbatuese të kushtetutës dhe ligjit apo do të jenë masha në duart e Edi Ramës dhe Rilindjes dhe do të zbatojnë ligjin e kusareve.