Zhvillimet në Partinë Demokratike

451
Sigal

Berisha: “Maxhoranca vuan nga epshi për pushtet”

Kryeministri në ikje, Sali Berisha siguron se po e lë vendin në një gjendjet ë mirë ekonomike, pasi sipas tij ekonomia krahasuar rajonin edhe vendet e eurozonës ajo pati rritje dhe gjeneroi vende të reja pune. Kryeministri në detyrë theksoi se zgjedhjet nuk ndikuan negativisht në performancën ekonomike. Duke iu përgjigjur edhe akuzave të pasardhësit të tij socialit, Berisha theksoi se ai po i dorëzon një vend me stabilitet ekonomik, duke akuzuar se maxhoranca re po shfaq shenja revanshi dhe epshi për pushtet. Berisha këmbënguli se qeveria e tij deri në ditën e saj të fundit do kryejë funksionet që i përcakton Kushtetuta, duke mos pranuar propozimin e kundërshtarit të tij politik Edi Rama, për qeveri kujdestare. “Stabiliteti ekonomike që i dorëzojmë maxhorancës së re që po shfaq shenja revanshi të papranueshme, që janë dëshmi e një epshi për pushtet të papërmbajtur, pasi do ti diktojë qeverisë në detyrë rregullat që janë të shkruara në kushtetutën e Bangladeshit, por ato për të krijuar qeverinë teknike, ato e kanë të shkruar se 3 muaj para zgjedhjeve qeveria dorëzon pushtetin dhe detyrën e merr kryetari i Gjykatës së Kushtetuese, por në Evropë ekzekutivit i njihen kompetenca të plota gjer në ditën e instalimit të qeverisë dhe maxhorancës tjetër”, u shpreh Berisha dhe, njëkohësisht, hodhi poshtë pretendimet e Kryesocialistit Rama për audit ndërkombëtar, duke shtuar se kjo vjen si pasojë e mosnjohjes totale të realitetit. Berisha tha seFMN, BB, dhe KE bëjnë analizë të shkëlqyer jo vetëm të ekonomisë shqiptare, por edhe asaj botërore. Berisha ka ftuar edhe një herë administratën të mos japë dorëheqjen pasi sipas tij përveç një grupi këshilltarësh të gjithë janë dhe do janë në zbatim të qeverisjes së vendit.

 Lulëzim Basha: “Të heqin dorë, ose do të përballen me fuqinë e demokratëve

Kandidati për kryetar të PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij para demokratëve të Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës. Basha është shprehur i vendosur në aksionin politik të PD-së, për t’u përballur me pushimet kolektive nga puna, që paralajmëron Edi Rama, me hapjen e konkurseve për të punësuar militantët e maxhorancës së re. Në projektin e zotit Basha, PD-ja do të hapë zyra në çdo degë të saj, për të mbrojtur ligjërisht çdo abuzim me punonjësit e administratës. “Ne jemi Shqipëria e ëndrrave evropiane dhe në çdo hap tonin, e faktuam këtë. Ata janë Shqipëria e pazareve, trillimeve, e mashtrimeve, vetëgjykojnë në masë administratën, kërcënojnë me pushime masive dhe hapin konkurse on-line, për të punësuar militantët e tyre. Ky është mentalitet neo-bllokmeni dhe ne do t’i gjendemi përballë që në orën e parë”,- shtoi Basha dhe i ka konsideruar tërësisht të papranueshme kërcënimet ndaj përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. Zoti Basha u ka bërë thirrje këtyre njerëzve, që sipas tij, njohin vetëm praktikat e krimit, të heqin dorë nga kërcënime,t ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate. “Këta njerëz, që njohin vetëm gjuhën e krimit dhe praktikat e krimit, duhet të dinë sot se nuk na kanë trembur në kohën tonë më të vështirë, nuk na trembin as sot. Ndaj, u bëj thirrje t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë nga kërcënimet ndaj përfaqësuesve tanë, ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate”,- tha Basha. Në themel të lidhjes së tij me PD-në, Basha ka vlerësuar kurorëzimin me sukses të çdo përgjegjësie, që i është ngarkuar ndër vite. “Unë vij sot para jush me një lidhje të fortë me bazën demokrate, lidhjen e përmbushjes së çdo detyre që ju më keni ngarkuar. Më ngarkuat një nga zonat e vështira elektorale, në 2005 dhe e fitova. Më ngarkuat qarkun e Elbasanit, nga ku vinim me dy mandate. Arrita të kthehem në Tiranë me rezultatin historik dhe të paparë më parë, 7 mandate prej Elbasanit dhe në 2011 më ngarkuat përballjen direkte me kryesocialistin, të cilin e munda dhe e nxora në opozitë” tha ai.

Sot në Tropojë, Has dhe Rrëshen

Kandidati për kryetarin e PD-së, ka zbardhur edhe axhendën e ditës së sotme dhe i fton militantët dhe simpatizantët e PD-së, që të takohen dhe të bashkëbisedojnë.  “Të dashur anëtarë të PD-së të Tropojës, Hasit dhe Rrëshenit, të dashur miq. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçante t’ju ftoj, më datë 11 korrik 2013, në orën 10:00 në Pallatin e Kulturës në Tropojë, në orën 13:00 në Pallatin e Kulturës në Has dhe në orën 15.00 në Pallatin e Kulturës në Rrëshen, për një bashkëbisedim të hapur e miqësor, gjate të cilit do të kem privilegjin të diskutoj e të ndaj me ju, me të gjithë anëtarësinë e PD të Tropojës, Hasit dhe Rrëshenit, platformën time për detyrën e lartë të Kryetarit të PD-së dhe për fitoren tonë të përbashkët. Me respekt, Lulzim Basha.

Sokol Olldashi në Shkodër: Jo aleancë me parti apo individë të spektrit të majtë

Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të Partisë më të madhe të së djathtës në vend, me një qëndrim të prerë deklaroi nga Shkodra se PD-ja nuk duhet të bëjë aleancë me parti dhe individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mund të krijojë shumica në bazë të kleringut të deputetëve, pasi kjo nuk është më politikë, por aritmetikë, pohoi Olldashi gjatë një bashkëbisedimi me anëtarë dhe simpatizantë të PD-së në Shkodër, ku ritheksoi përcaktimin e një korridori të qartë politik që konturon vetëm dy pole: të djathtën dhe të majtën.“Përmirësimi i parë që duhet të bëjmë është përcaktimi rigoroz i konturit politik. Kjo do të thotë që pasi u faktua që aleanca me një forcë politike të spektrit të majtë është e pasuksesshme dhe inproduktive, ne duhet të përcaktojmë njëherë e mirë që nuk mundet që PD-ja të bëjë Aleancë me parti të spektrit kundërshtar dhe as me individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mundet të krijojë shumica, në bazë të kleringut të deputetëve. Kjo nuk është më politikë, kjo është aritmetikë. PD-ja është parti e qendrës së djathtë dhe bën koalicione brenda këtij formacioni te saj politike. PD-ja duhet t’u rikthehet fort shtyllave ekzistenciale që janë: shtresa e të përndjekurve dhe e pronarëve. PD-ja është një parti që duhet të vijnë të gjithë por pa humbur referencat”,- deklaroi Olldashi. Në prezantim të platformës së tij për drejtimin e Partisë, Sokol Olldashi ritheksoi rolin e PD-së si një shtëpi e madhe e opozitës. Për të avancuar me një aksion të fortë opozitar, Olldashi kërkoi që të gjithë faktorët e djathtë të bëjnë opozitë brenda shtëpisë së demokratëve. Olldashi kërkoi vendosjen e një ekuilibri mes mekanizmit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës brenda Partisë, bazuar tek një inventar i kontributeve të çdo anëtari të PD-së

Në Koplik : PD-ja duhet të nxisë mekanizmin e karrierës në parti

“Partia Demokratike duhet të nxisë karrierën brenda jetës së saj politike për të shmangur demotivimin e aktivistëve të saj”, deklaroi dje  në Koplik, Sokol Olldashi, gjatë fushatës për zgjedhjen e Kryetari të ri të PD-së. Në bashkëbisedim me strukturat e Partisë në Malësinë e Madhe, Olldashi theksoi rëndësinë e ndërtimit të një baze të dhënash për kontributet e militantëve partiakë.

Në Vau-Dejës: Për një përmirësim solid të strukturave të PD-së

 Ndërkohë, në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të PD-së në Vau-Dejës, Sokol Olldashi deklaroi se, me një përmirësim solid të strukturave të partisë dhe një aksion të fortë opozitar, Partia Demokratike do të rikthehet forcë e parë politike në vend, në përballjen e parë elektorale.

Në Pukë dhe Fushë Arrëz: Të aplikohet standardi i përgjegjësisë për rezultatin

Në vijim të fushatës për zgjedhjen e Kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi kandidat për këtë post, u takua me strukturat politike të PD-së, në Pukë dhe në Fushë- Arrës, nga ku prezantoi platformën e tij për të drejtuar Partinë më të madhe të së djathtës në vend. Në fjalën e tij, Olldashi u shpreh se, Berisha vendosi një mekanizëm përgjegjësie, vendosi një standard të ri në PD. “Ne duhet patjetër që këtë standard ta shtrijmë në të gjitha institucionet e PD-së. Nuk mund të ketë më grupe pune të palëvizshëm, nuk mund të ketë deputetë të palëvizshëm, nuk mund të ketë ministra të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetarë degësh të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetar seksioni të palëvizshëm”, theksoi ai.

Olldashi nënvizoi se ‘secili prej piramidës së Partisë nga i pari , tek më i fundit, duhet të jetë përgjegjës për rezultatin e tij. More rezultat pozitiv, konfirmohesh, more rezultat negative, hap krahun”. Kandidati për postin e Kryetarit, Sokol Olldashi deklaroi se PD-ja duhet të kthejë besimin e militantëve të saj, të cilët, sipas tij, u lanë në harresë për shkak se trupa politike e PD-së, u përqendrua më shumë në strukturat qeverisëse dhe ato parlamentare.