Zgjedhjet e reja: Opozita në 31 maj, Protestë Kombëtare

531
Sigal

Mësimet e demokracisë që dhanë zgjedhjet europarlamentare. Kurz i jep leksion Ramës, fiton zgjedhjet, edhe pas dorëheqjes

Erdhi koha për zgjidhje politike edhe në Shqipëri

 

Protesta e 25 majit e Opozitës së Bashkuar mblodhi bashkë në sheshin para kryeministrisë dhe Kuvendit, qindra mijëra shqiptarë, më shumë se çdo herë tjetër. Kjo protestë ishte paqësore, nuk u përdorën molotov, nuk u përdor dhunë nga protestuesit, ndërsa qielli Tiranës u mbush me balona, të cilat mbartnin një Letër të Hapur Publike: Rama Ik!

Arroganca e Ramës, përballë uraganit të protestës popullore

Kryeministri Rama bën sikur nuk i shikon dhe bën sikur nuk i dëgjon qindra mijëra qytetarë, të rinj të pashpresë, studentë që nuk kanë lekë të paguajnë tarifat e studimit në universitetet publike, punëtorë të papunë, fermerë të rinuar, biznesmenë të falimentuar, intelektualë të braktisur rrugëve, si të pavlerë më për shoqërinë. socialistë të zhgënjyer, që votuan Rilindjes me shpresën e madhe të ndryshimit, të cilët mblidhen përditë para kryeministrisë dhe parlamentit për të shprehur jo vetëm protestën, por edhe zemërimin ndaj korrupsionit të pandëshkuar, arrogancës kushtetore të kryeministrit, drejtësisë së kapur nga ekzekutivi, inkriminimin e politikës. Kryeministri Rama përpiqet me çdo kusht t’i mposhtë protestuesit, thua se i ka armiq, nuk ka kursyer as gazin lotsjellës, as dhunën policore, as gjykatat e prokurorinë e kapur që të mbytë protestat për të qëndruar në pushtet. Kryeministri Rama nuk do as të shtyjë zgjedhjet vendore, por me mendësi moniste kërkon që të zaptojë të gjithë pushtetin vendor, duke garuar pa opozitën. Dhe teatralin e arrogancës kryeministri Rama mundohet ta ligjësojë me mos/kompetencën kushtetuese të kryeministrit për të ndryshuar datën e zgjedhjeve. Ndërkohë, që me pushtetin e kryeministrit Rama shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, duke e lënë Shqipërinë në pasiguri kushtetuese, sa tani asnjë qytetar, asnjë subjekt politik dhe shoqëror nuk mund të ketë të ankimohet kur i privohet e drejta kushtetuese.

Ish-kancelari Kurz i jep leksion demokracie Ramës

Sebastian Kurz, para disa javësh dha dorëheqjen nga posti i kancelarit, për shkak të një publikimi video, ku përfshihej zëvendës kancelari i tij në një skandal. Pra, mjaftoi një video e publikuar dhe kancelari i Austrisë të jepte dorëheqjen. Ndërsa në Shqipëri ka me dhjetëra arsye më të mëdha, korrupsioni dhe inkriminimi, ku kryeministri Rama, nëse do të kishte sadopak ndjeshmëri demokratike, do ta kishte dhënë dhjetëra herë dorëheqjen. Kancelari Kurz në dorëheqjen e vet deklaroi se pushtetin nuk e fitoi për karrigen e vet, ndërsa kryeministri Rama, për karrigen e vet, është i gatshëm të çojë Shqipërinë në një përplasje civile në 30 qershor, derisa opozita në protestat e përditshme deklaron se nuk mund të ketë proces zgjedhor farsë pa opozitën. Partia i kancelarit Kurz në zgjedhjet e djeshme për në Parlamentin Evropian fitoi në Austri, edhe pse disa ditë më parë Kurz ka dhënë dorëheqjen, duke fituar madje, me 5 % më shumë sesa në zgjedhjet parlamentare. Një leksion i mirë nga kancelari Kurz ky edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili heziton të dorëhiqet. Ja rezultatet në Austri: OVP (partia e Kurz) 34,5%. Social Demokratët (SPO) 23.5%. FPO 17.%. Të Gjelbërit 13.%. Pjesëmarrja mbi 50%.

 

25 Maji: “Rama ik! Dy orë para Kryeministrisë dhe Kuvendit. Protesta tjetër, në 31 maj

Më 25 maj u zhvillua protesta e gjashtë kombëtare e opozitës, e cila nuk shënoi incidente, por duket se nga pjesëmarrja ishte më e madhja. Në përgjigje të ftesës së kryeministrit Rama për dialog pa kushte, opozita iu përgjigj me thirrjen për largimin e tij nga qeveria. Ndryshe nga protestat e shkuara, mbi kokat e pjesëmarrësve u shpalosën flamujt e BE dhe ai i SHBA. ndërsa pranë Bashës u valëvit dhe flamuri gjerman. Balonat me mbishkrimin “Rama ik” ishin një tjetër formë e re e zgjedhur nga organizatorët. Pas fjalimit të kreut të PD, protesta u zhvendos në ambientin para parlamentit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha: Ja 5 propozimet e opozitës

1-Një parlament të fortë që merret peng vetëm nga ju, që kontrollon qeverisjen me një apo dy dhoma. Me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt apo proporcional me lista të hapura.

2-Një president me kompetenca të plotë kushtetuese, drejtësi të pavarur që nuk i mbron por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin.

3-Referendumi popullor si e drejtë e patjetërsueshme për të vendosur ju për çështjet që ju takojnë.

4-Financimi i partive politike për të dekriminalizuar politikën për të bërë që as partitë dhe as zgjedhjet mos jenë preja e radhës e krimit të organizuar.

5-Një paketë e fortë masash për t’i dhënë fund krimit në Shqipëri për ti çuar aty ku e kanë vendin bashkë me politikanët që vodhën zgjedhjet. Rama ik! Këto vendime do t’i marrim bashkë siç i merr çdo popull i qytetëruar.

Protesta e opozitës më 31 maj, detyron kryeministrin Rama të shtyjë fillimin e hapjes së fushatës zgjedhore

Opozita e Bashkuar njoftoi mbajtjen e protestës së radhës, më 31 maj. Po në këtë datë PS-ja kishte njoftuar hapjen e fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, proces në të cilin opozita e bashkuar nuk ka marrë dhe nuk do të marrë pjesë, ndërsa ka paralajmëruar se do të bllokojë zgjedhjet. Dje përmes letrës së 5-të publike drejtuar kreut demokrat, Lulzim Basha, kryeministri Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ndër të tjera shkruan shtyrjen e ditës së çeljes së fushatës nga Rilindësit. “Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë”, shkruan Rama në mbyllje të letrës së tij.

 

Kryeministri Rama me letrën e pestë…

Kryeministri Rama i shkroi dje Bashës letrën e pestë, duke bërë demagogji për dialog pa kushte, por që nuk ka asnjë shans që të ndryshohet data e zgjedhjeve në 30 qershor. Në letrën e pestë kryeministri Rama shfaqet i shqetësuar për takimet e Bashës me “miqtë gjermanë”, duke e porositur: “E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekuluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.”

 

Basha: Zgjidhja e krizës: Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme

Lulzim Basha ka reaguar pas letrave të kryeministrit Rama, duke theksuar se ëndrra për të sunduar popullin do marrë përgjigjen e merituar. Basha e mbyll postimin e tij në Facebook edhe me tre kushte për zgjidhjen politike, duke nënvizuar se duhet largimi i Ramës, qeveria tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lulzim Basha: “Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Evropa! Evropa e dëgjoi zërin e shqiptarëve të bashkuar. Çdo ëndërr për të sunduar si despot lindor, popullin perëndimor të Shqipërisë, do të marrë përgjigjen e merituar. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e faktuara të vjedhura. Nuk do të pranojnë më zgjedhje false të kryeministrit të kapur në krim. Tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së: Socialistët, të përzënë qiraxhinjtë që kanë marrë peng PS-në!

Disa ambasadorë që vegjetojnë në selitë ndërkombëtare në Tiranë, po mbajnë me oksigjen agoninë e Ramës. Protesta është një uragan popullor dhe pjesëmarrja tregon se shqiptarët po protestojnë për krimin, varfërinë, spitalet pa shërbime dhe pa ilaçe, për nepotizmin, për punësimin ku njerëzit emërohen jo nga administrate shtetërore por nga bandat e lidhura me Ramën dhe vasalët e Ramës në bashkitë e Rilindjes. Qytetarët sot protestojnë për 500 mijë emigrantë që lanë vendin nga varfëria dhe pasiguria. Si ish-socialiste, që në themelimin e saj, u bëj thirrje socialistëve që të largojnë qiraxhinjtë e “Rilindjes”, që kanë marrë pengë Partinë Socialiste , e cila kishte brenda saj pa ardhur Rama qindra intelektualë dhe figura të nderuara. Populli nuk ndalet më dhe Rama do të ikë, nëpërmjet qëndrimit dhe protestave popullore, edhe pse pse disa ndërkombëtar në Tiranë, kryesisht të OSBE-së dhe BE-së, po e mbajnë me oksigjen agoninë e kryehajdutit dhe udhëheqësit të bandave Edi Rama…

 

Ish-deputeti paralajmëron Ramën: Edhe 5 ditë kohë të japësh dorëheqjen, nuk përjashtohet Surreli!

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu, deklaroi dje se, kryeministri Edi Rama ka edhe 5 ditë kohë për të dhënë dorëheqjen. Sipas tij, protesta e paralajmëruar nga opozita e bashkuar më 31 maj nuk do të kufizohet vetëm në kryeministri, por do të përfshijë edhe Surrelin. “Edi Rama ka 5 ditë kohë të zgjedhë rrugën evropiane që është dorëheqja. Data 31 maj nuk përjashton absolutisht asnjë gjë, nga Kryeministria deri në Surrel. Nuk mund të tolerohet të kemi zgjedhje vetëm me një parti. Jemi në Shqipërinë e 2019-ës. Revolta nuk ka skenarë. Po ta shikoni herën e fundit, pavarësisht mundimit të lidershipit të PD për të ruajtur një lloj paqeje, në momentin që qytetarët iu afruan Parlamentit nuk mund të kontrolloheshin. Sapo u afruan te parlamenti, revolta e tyre ishte e papërmbajtshme. Nëse Edi Rama vazhdon me këto provokime vetëm do t’i hedhë benzinë zjarrit. Dua të theksoj se nuk është asgjë e rastësishme. Çdo qytetar duhet të dalë për fëmijën e tij që të mos largohet”, deklaroi Balliu.