Paga e elektricistit që ishte 50 mijë lekë do të shkoj në 70 mijë lekë po ashtu, çdo punonjës do të përfitojë edhe nga përllogaritja e re e vjetërsisë në punë, bazuar në vlerësimin e atyre, që kanë më tepër vite pune
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur të hënën se ka hyrë në fuqi që nga ky muaj, sistemi i ri i pagave për punonjësit e OSHEE-së, që sjell një rritje prej rreth 30 % të pagave. Balluku bëri të ditur se në reformën e ndërmarrë për pagat në këtë sektor, fokus kanë qenë punonjësit e terrenit, elektricistët, teknikët, inxhinierët dhe faturistët. “Paga e elektricistit që deri sot ishte 50 mijë lekë, shkon në 70 mijë lekë. Po ashtu, çdo punonjës do të përfitojë edhe nga përllogaritja e re e vjetërsisë në punë, bazuar në vlerësimin e atyre që kanë më tepër vite pune”, u -shpreh Balluku, e cila tha se do zbatohet e njëjta skemë, që u vendos në prill të vitit të kaluar për administratën qendrore që është 0.6 % për 10 vitet e para të punës, 0.8 % e pagës për funksion për 10 vitet e dyta të punës dhe 1 % për 10 vitet e treta të punës. Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se një paketë prej 40 milionë eurosh do të investohet në sistemin energjetik për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, e ku prioritet janë zonat turistike. Ajo u shpreh se është kryer një studim i mirëfilltë i territorit si dhe janë përcaktuar zonat ku do të investohet: “Kemi studim të mirëfilltë të territorit. Kemi identifikuar zonat turistike, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Kemi nisur zbatimin e një pakete investimesh prej rreth 40 milionë eurosh. Janë lidhur kontrata për 15 milionë euro. Kjo tregon që po futemi një një fazë të re që ka të bëjë me investime të qenësishme në fushën e shpërndarjes së energjisë elektrike”,- tha ajo. Një ndikim në rritjen e nivelit të arkëtimeve, sipas Ballukut, kanë edhe 500 matësish elektronikë të vendosur, që tashmë nuk lejojnë faturimet aforfe. Kursimi nga optimizimi i humbjeve teknike në rrjetin energjetik vetëm në vitin 2023 llogaritet 8 milionë euro. Për ministren, në 4 vitet e fundit sistemi është përballur me sfida të mëdha, tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike. “Në këto katër vite jemi munduar të tregohemi të kujdesshëm, pasi ka qenë vendim i qeverisë që çmimi për abonentët të mos prekej. U desh të frenonim investimet, duke u munduar që përmes burimeve njerëzore të vazhdonim optimizimin dhe humbjet teknike, por pa pasur mundësi për investime”, – tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.