PD:Rama mburret me investimet tona, QSUT-aj monopol pasurimi

432
Sigal

TIRANE – Partia Demokratike e ka ironizuar kryeministrin Edi Rama sa i përket videos së publikuar prej tij ku shfaqen ndryshimet e bëra në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në një deklaratë nga selia blu, koordinatorja për mediat e Partisë Demokratike Grida Duma, tha se Rama po bën bën propagandë me investimet e qeverisë së mëparshme.
 
Duma akuzoi kreun e qeverisë se e ka kthyer shërbimin shëndetësor në një monopol pasurimi për klientët e tij, ndërkohë që për kurimin e familjarëve të tij preferon klinikat e huaja ose ato private në vend.
 
Po ashtu Duma ka ritheksuar edhe njëherë se PD do të vazhdojë sërish me protestat qytetare për të dënuar mashtrimin e mazhorancës.

Më poshtë deklarata e plotë e kordinatores së PD Grida Duma

“Qytetarët refuzojnë me përbuzje propagandën e kryeministrit për spitalet me investime të bëra nga qeveria e mëparshme. Rama për vete dhe familjarët e tij zgjedh klinika private ose jashtë vendit. Spitalet publike në gjendjen e tyre më të keqe, pacientët janë braktisur, mjekët dhe infermierët janë nën presion, ndërsa ky shërbim është kthyer në monopol pasurimi për klientët e kryeministrit. Edi Rama i ka shtuar një plagë tjetër shëndetësisë e cila gjendet sot në ditën e saj më të keqe. E ka bërë këtë duke tentuar të mashtrojë publikun me një video të kuruar me kujdes në montazhin e Kryeministrisë. Me këtë video spekulim ku janë bashkuar copëza nga investimet e qeverisë së mëparshme, tenton të tregojë një parajsë që nuk ekziston, dhe aq më pak të krijuar nga ai. Eshtë plagë e shtuar kjo, kur tenton të servirësh një realitet që nuk ekziston, një video që mallkohet cdo ditë nga mijëra qytetarë të vendit që shohin e prekin nga afër në fakt, krejt të kundërtën e asaj që propagandon nga sarajet e tij të pushtetit, kryeministri. Në vend që të kurojë problemin, shqetësimin më madhor që kanë sot qytetarët, Edi Rama zgjedh të largohet gjithnjë e më shumë, zgjedh ta infektojë gjithnjë e më shumë shëndetësinë me montazhet mediatike të tij. Video-mashtrimi që publikoi dje tregon dështimin që ai nuk e pranon në kokën e tij dhe e zëvendëson me zhvillime virtuale videosh. Sot asgjë nuk shkon mirë në spitalet tona, dhe asnjë ditë nuk ka qënë kaq keq shëndetësia sa me Edi Ramën. Këtë e konfirmon vetë Kryeministri i cili kur i duhet domosdoshmërisht të shkelë në spitale për vete ose familjarët e tij, nuk zgjedh spitalin publik të rilindur sipas tij, por zgjedh ose klinikat jashtë vendit, ose spitalet private. Kur qytetarët lëngojnë në mungesën e ilaceve, sëmuren më shumë në mungesën e ngrohjes, kur një e mitur abuzohet seksualisht në urgjencën e spitalit, kur mjekët dhe infermierët, ata që janë profesionistë e me integritet do të merren në provim nga diletantët e qeverisë, të publikosh një video-mashtrim të prodhuar në montazh kryeministror është provokimi më i ulët, më i papranueshëm. Ky akt publik i kryeministrit u prit me përbuzje nga publiku dhe u kthye mbrapsht. Mjafton të shihni komentet që janë bërë në Facebookun e Kryeministrit, në atë që është tashmë aktiviteti i tij kryesor. Refuzim masiv qytetar përzier me neveri. Dhe kështu do të jetë. Kjo klikë që ka mashtruar me shëndetësinë falas, që ka braktisur qytetarët në ditën e tyre më të keqe, që i sheh spitalet dhe shëndetësinë vetëm si një ndërmarrje të madhe pasurimi e monopoli shërbimesh, ka për t’u refuzuar me përbuzje. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krah të tyre. Mashtrimi i kryeministrit do të përballet dhe do të njohë realitetin e protestave dhe të marshimit popullor, më të madhin që ka parë ndonjëherë vendi.”