“Zëri Amerikës” për dështimin e komisionit hetimor dhe roli i Komisionit të Venecias

223
Sigal

Nga Zëri Amerikës-

Parlamenti në Tiranë vendosi sot të mos propozojë shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta pas hetimit një vjeçar nga komisioni i posacëm mbi ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit për zgjedhjet vendore dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët miratuan me 78 vota pro dhe 17 kundër raporti hetimor, ku theksohet se shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti nuk janë të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij.

Raporti vërejti disa shkelje, veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Kushtetutën si në rastin e zgjedhjeve vendore ashtu edhe me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Shkeljet e Presidentit dhe pasojat që ato sollën janë shkelje që nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkim, por diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen” – thuhet në raport.

Hetimet janë kryer mbi kërkesat e 55 deputetëve për shkarkimin zotit Meta. Kërkesa e parë për këto hetime u bë para një viti kur presidenti shtyu zgjedhet vendore të qershorit dhe kërkesa e dytë u bë në nëntor pas përplasjeve mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Raporti përmbante edhe mendimin e pakicës në komisionin hetimor, i cili nënvizoi dështimin e komisionit me mos-shkarkimin e presidentit.

Qëndrimi i Kuvendit ishte i ngjashëm me dy Opinione të Komisionit të Venecias, ndërsa Shqipëria ka disa vite pa Gjykatë Kushtetuese prej procesit të vetingut.