Në dhjetor 2025, kreu i qeverisë përmes një deklarate publike i qau hallin drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj se ishte e varfër dhe jetonte në shtëpi me qera. Pas zbulimit të aferës me tenderat e AKSHI-t, SPAK e ka lënë në “arrest shtëpie”, me akuzën se është pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në “shkeljen e barazisë në tendera”. Nga verifikimet e kryera, rezulton se Mirlinda Karçanaj dhe bashkëshorti i saj, Artan Babaramo, me funksion drejtor drejtorie në administratën qendrore të Tatimeve, është pronare e 5 apartamenteve, një ullishteje, si edhe disa llogarive bankare. Në deklaratën fillestare të pasurisë, të dorëzuar në vitin 2007, Mirlinda Karçanaj deklaron se jeton në një apartament me sipërfaqe 94 metra katrorë, i ndërtuar në periudhën e komunizmit dhe i privatizuar në vitin 1994 me vlerë 20 mijë lekë të reja. Ajo thotë se zotëron 25 përqind të këtij apartamenti, në bashkëpronësi me familjen e saj të origjinës. Në vitin 2016, kur kishte mbushur tre vjet në krye të AKSHI-it, pasuria e paluajtshme e Mirlinda Karçanaj merr një hov të rëndësishëm. Së pari, ajo deklaron se ka kryer rivlerësimin e apartamentit që ka në bashkëpronësi me prindërit. Vlera e apartamentit të periudhës së komunizmit vlerësohet në shumën 13.4 milionë lekë të reja. Karçanaj deklaroi se ka blerë një apartament me sipërfaqe 136 metra katrorë, për shumën 65 mijë euro. Ky apartament është në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj, Artan Babaramo, i cili në atë kohë mbante funksionin e Përgjegjësit të Sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Për këtë apartament ka një zhvillim interesant. Vetëm një vit pas blerjes, e konkretisht në 2017, Mirlinda Karçanaj i bën rivlerësimin. Vlera e tij kapërcen në 24.5 milionë lekë të reja ose rreth 4 herë më shumë, një lëvizje që nuk duket shumë normale në tregun e pasurive të paluajtshme. Në vitin 2016 çifti Karçanaj-Babaramo blejnë edhe një apartament në zonën turistike të Qerretit, në Kavajë. Shtëpia në plazh ka sipërfaqe 60 metra katrorë dhe është blerë për shumën 17.300 euro. Në vitin 2022, pasuritë e paluajtshme të familjes së Mirlinda Karçanaj pësojnë rritje, kësaj radhe falë trashëgimisë. Drejtoresha, tashmë e shkarkuar e AKSHI-t, deklaron në formularin e pasurisë së atij viti se është bërë pronare e një apartamenti me sipërfaqe 75 metra katrorë. Karçanaj deklaron se në të njëjtin vit, pra në vitin 2022, është bërë pronare e një ullishteje, me sipërfaqe 1500 metra katrorë, gjithashtu falë trashëgimisë. Ndërkohë, po në të njëjtën kohë, bashkëshorti i saj, Artan Babaramo, i cili tashmë ishte emëruar Drejtor Drejtorie në Tatime, deklaron se është bërë bashkëpronar në një apartament me sipërfaqe 58 metra katrorë. Ai deklaron se këtë apartament e ka përfituar nga trashëgimia ligjore. Karçanaj ka në total 5 pasuri të paluajtshme apartamente, të cilat nuk e bëjnë aspak të varfër ashtu siç u deklarua. Mirlinda Karçanaj ka arritur brenda një periudhe të shkurtë të krijojë pesë pasuri, rekord që vetëm drejtorët e “Rilindjes” mund ta arrijnë “Tak-Fap”. Drejtorët e “Rilindjes” po pasurohen në kurriz të qytetarëve, që mezi nxjerrin muajin dhe shumica po largohen nga Shqipëria. Ish-drejtoresha e AKSHI-t, duhet të japë llogari se ku e ka gjetur pasurinë!





















