Dikur, në kohë që janë harruar, një djalosh mjeshtër në punimin e gurit u bë i dëgjuar në gjithë fshatrat e luginës së Drinos mes Gjirokastrës dhe Tepelenës. E ku nuk e kërkonin mjeshtrin për punë, sepse dalta e tij edhe gurit’i jepte jetë. Dikush e kërkonte të bënte portën e jashtme të oborrit të shtëpisë, dikush për rindërtimin e murit të kishës, e dikush tjetër për një çezmë, apo për një urë mbi përroin e fshatit. Një ditë mjeshtri u gjend për punë në një nga fshatrat e luginës së Drinos. Banorët e kishin ftuar për të ndërtuar një çezmë të re në një nga lagjet e fshatit dhe të gjithë mezi prisnin ta shihnin të përfunduar. Ndërsa ai gdhendte gurët me durim e mjeshtëri, banorët vazhdonin të mbushnin ujë te çezma e vjetër, që prej vitesh kishte shuar etjen e atij vendi. Një ditë, mes atyre që erdhën për të mbushur ujë, u shfaq edhe një vajzë e re që quhej Rina. Ajo kishte një bukuri aq të veçantë, sa rrallë e ndesh syri i njeriut. Për nga hiret e saj femërore, Rina dukej sikur kishte për shoqe vetëm lulet e sapoçelura të pranverës. Pasi mbushi ujin, hodhi një vështrim të shpejtë nga mjeshtri, për të cilin ishte folur aq shumë edhe në fshatin e tyre. Mjaftoi ai shikim i shkurtër që ajo të dallonte sytë e tij plot dritë dhe tiparet e forta burrërore të fytyrës. Në atë çast, një ndjenjë e pashpjegueshme i përshkoi gjithë trupin, si një drithërimë e ëmbël, që i trazoi zemrën pa e kuptuar as vetë. Herën tjetër, kur Rina u përkul për të mbushur ujë, fustani i saj u ngrit paksa nga era e lehtë e pasdites. Zemra e mjeshtrit rrahu fort, aqsa iu duk sikur do t’i shpërthente nga kraharori. Çekiçi i mbeti pezull në dorë dhe goditja mbi gur nuk u dëgjua më. Në ato pak çaste ai pa hirin e trupit të saj dhe iu duk sikur e gjithë bukuria e atyre maleve ishte mbledhur vetëm te ajo vajzë. Kur Rina mbushi shtambën, nuk duroi më. Ktheu kokën nga mjeshtri. Sytë e tyre u takuan dhe në atë shikim u fol më shumë se në një mijë fjalë. Ishte gjuha e heshtur e dashurisë, që kishte filluar të zgjohej mes tyre. Një pasdite të vonë, kur muzgu ishte duke zbritur mbi lagjet e fshatit, mjeshtri vazhdonte ende të punonte pranë çezmës. Në atë çast Rina erdhi përsëri dhe djaloshi mbeti i shtangur. Sytë e tij u mbërthyen te ajo. Të dy e kuptuan se dashuria që kishte lindur mes tyre nuk mund të fshihej më. Dy duar u bashkuan me drojë dhe më pas dy trupa u përqafuan për t’u shkrirë në një të vetëm. Dashuria kish shpërthyer si llava e një vullkani të fjetur prej kohësh. Që nga ajo ditë, ata filluan të takoheshin fshehurazi mes shelgjeve, larg syve të njerëzve. Por në një fshat të vogël, asgjë nuk mbetet e fshehtë për shumë kohë. Fjalët u përhapën si era mes shtëpive derisa mbërritën edhe në familjen e saj.
Babai i Rinës ishte një burrë i rreptë zakoni. Kur mori vesh për dashurinë e vajzës, u ndje i turpëruar para gjithë fshatit. Ai e quajti dashurinë e saj mëkat të madh dhe mëkatet, sipas besimit të tij, mund të laheshin vetëm me lutje dhe pendim. Kështu, Rina, ende në lulëzimin e rinisë së saj, u dërgua në një manastir ku u bë murgesha më e re e tij. Dikur e lirë, Rina tashmë do ta kalonte jetën brenda mureve të errëta të manastirit duke kryer të gjitha shërbesat feare.
Në fillim, Rina jetoi e heshtur dhe e trishtuar mes mureve të ftohta të manastirit. Gjithçka i dukej e zymtë dhe e rëndë. Edhe fytyrat e murgeshave, nën dritën e qirinjve, dukeshin më të zbehta dhe më të largëta. Rina duhej të kryente me përpikëri të gjitha shërbesat fetare dhe, mbi të gjitha, të falej disa herë në ditë para altarit, për mëkatin që, sipas të tjerëve, kishte bërë.
Një nga priftërinjtë që kryente meshën e shenjtë filloi të kujdesej për murgeshën e re, Rinën. Ai tregohej vazhdimisht i dashur dhe përpiqej t’ia lehtësonte vetminë e thellë që e kishte mbështjellë. Ditët kalonin dhe prifti me murgeshën e re u afruan gjithnjë e më shumë. Një ditë, ndjenjat që kishin lindur mes tyre i kaluan kufijtë e jetës së shenjtë të manastirit. Nuk i shpëtuan dot tundimit dhe u dorëzuan para ndjenjës që i kishte pushtuar. Ata bashkuan trupat pranë altarit të shenjtë, duke kryer kështu një mëkat edhe më të madh. Të vetmet dëshmitare të këtij akti, të pazakontë për një vend të shenjtë, ishin ikonat e zbehta të varura në ikonostasin përballë tyre.
Ajo natë mëkatare e dha frutin e saj. Rina mbeti shtatzënë. Në barkun e saj filloi të rritej një jetë e re, një qenie e vogël e pafajshme që lëvizte dhe merrte formë dita-ditës. Frika dhe turpi e pushtuan tërësisht murgeshën e re. Ajo ndiente se kishte kaluar nga një mëkat në një tjetër edhe më të rëndë. Kishte tradhtuar dashurinë e saj të parë me mjeshtrin e gurit, e më pas kish mbetur shtatzënë me priftin. Tashmë e dinte se herët a vonë shtatzënia e saj do të zbulohej dhe ajo nuk do të dinte si ta justifikonte. Ndërkohë, mjeshtri i dërgonte vazhdimisht fjalë Rinës që të braktiste manastirin dhe të arratisej bashkë me të në fshatin e tij të largët. Atje, larg syve të botës, mund të jetonin të lirë dhe të gëzonin dashurinë e tyre pa frikë e pa pengesa. Por Rina nuk iu përgjigj kurrë këtij propozimi. Ajo e dinte se kështu do të kryente një mëkat tjetër po aq të rëndë, sepse bebes që mbante në bark do t’i duhej t’i jepte një atësi që nuk ishte e vetja. Tashmë ajo e dinte që dashuria me mjeshtrin e gurit ish shkatërruar plotësisht. E dërrmuar shpirtërisht dhe pa rrugëdalje, Rina mendoi t’i jepte fund jetës. Një natë të errët, kur të gjithë flinin, ajo u ngrit ngadalë nga shtrati, hapi me kujdes derën e rëndë të manastirit dhe u largua si një hije nëpër errësirë. E veshur me të zeza, vrapoi në heshtje drejt një gjoli të zi që ndodhëj afër rrjedhës së lumit Drino. Nuk u mendua gjatë. Mbylli sytë dhe u hodh në ujë për t’u mbytur. Thuhet se dhimbja dhe zjarri që kishte në shpirt qenë aq të mëdha, sa ujërat e gjolit u thanë menjëherë. Mbeti vetëm një curril i vogël uji sa për të shuar etjen e kalimtarëve të asaj ane. Ndërkaq mjeshtri i gurit, që nuk dinte se ku u zhduk dhe pse u zhduk Rina, nuk la vend pa e kërkuar. Ai endej nëpër pyje e lugina dhe shpesh ngrinte sytë nga qielli, sikur të priste një përgjigje prej tij, përgjigje, që nuk erdhi kurrë. Ju lutë Hënës, por edhe ajo nuk i tregoi asgjë. Më në fund ju lut yllit të mëngjesit dhe ai me dhimbje i tha se Rina ishter mbytur në gjolin e zi. Djaloshi ndjeu një dhimbje të thellë dhe pikat e lotit nuk i morën leje të rridhnin përgjatë faqeve të tij.
Në kujtim të dashurisë së tyre të humbur, mjeshtri vendosi të ndërtonte aty një çezmë. Gur pas guri, çezma mori formë nën duart e tij të palodhura. Pastaj mjeshtri mori një copë mermeri të bardhë dhe gdhendi me kujdes kokën e një bebeje të vogël. E vendosi atë në murin e çezmës dhe nga buzët e saj filloi të rridhte një curril uji që dukej sikur ishte loti i një dashurie, që fati e kishte ndarë përgjithmonë. Që prej asaj dite, çdo udhëtar, që kalonte andej ndalonte për të shuar etjen te ajo çezmë. Por para se të pinte ujë, sytë i ndaleshin te koka e mermertë e bebes. Edhe pse nuk e dinte historinë e asaj çezme, në zemër ndiente pa e kuptuar një dhimbje të lehtë. Ishte dhimbja e një dashurie të humbur kaq tragjikisht. PS: Kjo rrëfenjë është mbështetur në baladën e mrekulleshme të Arben Dukës “Legjenda e kokës së foshnjes”




















