Zbardhet marrëveshja e re për koncesionin e Rinasit

486
Marrëveshja e re për ekskluzivitetin e Rinasit është depozituar për miratim në Kuvend. Marrëveshja sanksionon se nëse ndonjë aeroport, përveç Aeroportit te Kukësit, vihet në punë afati i koncesionit do të zgjatet për një periudhë që nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 vitesh në total. Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, përveç aeroporteve të përjashtuar, nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet aeroport tjetër, për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në një rreze prej 100 km (ajrore) nga Tirana International Airport “Nënë Tereza”me përjashtim të uljeve emergjente. Asnjë kusht i kësaj kontrate nuk do të kufizojë përdorimin e ndonjë aeroporti në Republikën e Shqipërisë (RSH) për qëllime të ndihmave humanitare ose të ndihmave emergjente në kohë katastrofash ose emergjencash civile në RSH ose në territoret fqinje”.

Drafti i plotë i marrëveshjes se re

Qeveria e RSH e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe ajo e Ekonomisë, (së bashku “Organi shtetëror i autorizuar”) dhe Tirana International Airoport (TIA) sh.p.k., kanë lidhur marrëveshjen fillestare të koncesionit më datë 15 tetor 2004 (“Marrëveshja fillestare e koncesionit”) e ratifikuar me anë të ligjit nr.9312, datë 11 nëntor 2004, “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e TIA, ndërmjet qeverisë së RSH dhe Tirana Airport Partners sh.p.k., si dhe dhënien e disa incentivave të posaçme kompanisë sipas marrëveshjes fillestare të koncesionit” (në vijim referuar si “Ligji i koncesionit të aeroportit”). Data e fillimit siç është përcaktuar në klauzolën 3.5 (Data e fillimit) e marrëveshjes fillestare të koncesionit është identifikuar si 23 prill 2005. Qeveria e RSH dëshiron të nxisë zhvillimin e aviacionit civil në Shqipëri. Qeveria e RSH, sipas klauzolës 2.3 (Ekskluziviteti), paragrafi “c” i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë) nuk do të licencohet, autorizohet dhe operohet gjatë afatit të koncesionit në RSH. Kompania, në varësi të përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve specifike nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara në këtë ndryshim, ka vullnetin të heq dorë, në masën e përcaktuar në këtë ndryshim, nga e drejta e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë). Të dyja palët kanë autoritetin dhe kompetencat ligjore për të nënshkruar këtë ndryshim, siç është parashikuar në mënyrë specifike në klauzolën 37.7. (Ndryshimet) të marrëveshjes fillestare të koncesionit.

Interpretimi

Në këtë ndryshim, të gjitha termat dhe përkufizimet e përdorura, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në formë të shprehur në këtë ndryshim, do të kenë të njëjtin kuptim si termat dhe përkufizimet e përcaktuara dhe interpretuara në marrëveshjen fillestare të koncesionit. Parimet e interpretimit të përcaktuara në klauzolën 1.2 (interpretimi) të marrëveshjes fillestare të koncesionit do të kenë të njëjtin efekt sikur të ishin përcaktuar në këtë ndryshim.

Kushte paraprake

Dispozitat e klauzolës 4 (Ndryshimi) do të jenë efektive vetëm në rast se: i. Sipas marrëveshjes së amenduar dhe rikonfirmuar të kushteve të përbashkëta të datës 28 mars 2008, lidhur ndërmjet Alpha Bank – Albania, Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.A, DEG – Deutsche Investitions- Und Entwicklungsgesellschaft MBH dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (së bashku “Huadhënësit kryesorë”) dhe kompania, secili nga huadhënësit kryesorë jep miratimin e tij të shkruar për nënshkrimin e këtij ndryshimi nga palët; dhe ii. Kuvendi i RSH ratifikon këtë ndryshim (Qeveria e Shqipërisë do të njoftojë kompaninë e cila më pas do të njoftojë Huadhënësit Kryesorë, menjëherë pas ratifikimit në fjalë).

Përkufizime që përfshihen në klauzolë

1.1 (Përkufizime): “Aeroporte të përjashtuar” nënkupton Aeroportin e Kukësit dhe Aeroportin e Vlorës. Njoftim për Zgjatje do të ketë kuptimin që i është dhënë në klauzolën 2.2 (a) (Kohëzgjatja). “Aeroporti i Kukësit”, nënkupton Aeroportin e Kukësit, Shqipëri. “Operimi i një aeroporti të ri tregtar”, do të ketë kuptimin që i është caktuar në klauzolën 2.2 “a” (Kohëzgjatja). “Aeroporti i Vlorës”, nënkupton bazën ajrore në Vlorë.
Afati
Palët bien dakord se fjalia e parë e klauzolës 2.2 (Afati) paragrafi “a” i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të fshihet dhe zëvendësohet si më poshtë: “a) Koncesioni jepet për një afat kohor prej 22 (njëzet e dy) vitesh duke filluar nga data e fillimit (“Afati i koncesionit”). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit te Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vitesh në total)”. Zgjatja e afatit të koncesionit sipas tabelës së mëposhtme do të aplikohet për rastin e parë të operimit të një aeroporti të ri tregtar pavarësisht numrit të aeroporteve të tjerë të cilët mund të fillojnë operimet brenda këtij afati kohor. Viti në të cilin aeroporte të tjerë vihen në funksion/operim. Zgjatje e afatit të koncesionit në vite: 2016-4.5, 2017- 4, 2018-3.5, 2019-3, 2020- 2.5, 2021-2, 2022-1.5, 2023-1, 2024-0.5 dhe 2025-0. Palët bien dakord se kompania do të gëzojë të drejtën t’i bëjë të ditur, nëpërmjet një njoftimi në formë të shkruar, Organit Shtetëror të Autorizuar (“OSHA”) në një formë të pranueshme për kompaninë, zgjatjen e afatit të koncesionit në rast të operimit të një aeroporti të ri tregtar (“Njoftimi për zgjatje”). Zgjatja e afatit të koncesionit do të bëhet detyruese dhe efektive me lëshimin e një deklarate të përbashkët njohjeje të palëve, e cila nuk do të vonohet pa arsye nga OSHA-ja (në çdo rast jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga njoftimi për zgjatje). Nëse deklarata e përbashkët nuk lëshohet brenda 30 ditëve kalendarike nga njoftimi për zgjatje, vetë ky njoftim për zgjatje do të jetë detyrues për palët dhe i mjaftueshëm për zgjatjen e afatit të koncesionit. Për shmangie të çdo dyshimi, pavarësisht muajit të vitit përkatës në të cilin ka ndodhur operimi i një aeroporti të ri tregtar, palët bien dakord që operimi i aeroportit të ri tregtar do të konsiderohet të ketë filluar më datë 1 janar të vitit përkatës. Për shmangie të çdo dyshimi, çdo operim i një aeroporti të ri tregtar duhet të jetë konsistent me kufizimet e ekskluzivitetit të përcaktuara në klauzolën 2.3 (Ekskluziviteti) të marrëveshjes fillestare të koncesionit të ndryshuar nga ky ndryshim.
Sigal