Fermerët shkulin duhanin, trafikantët mbjellin hashash

569
Në qytetet tona sot kemi një polici, e cila është sa e paaftë, aq edhe e lidhur me krimin, trafiqet dhe korrupsionin. Faktet janë tronditëse, faktet janë rrëqethëse dhe tregojnë se shteti ka marrë tatëpjetën dhe nuk dihet se deri ku do të shkojë. Komisariatet janë mbushur me policë, të cilët janë përjashtuar përgjatë 25 viteve të fundit, me dhjetëra herë nga puna dhe janë rimarrë pasi kanë paguar ose pasi kanë futur miq të fortë tek ministri apo deputeti. Në zyrat e informacionit të drejtorive dhe komisariateve të policisë, çdo ditë mbërrijnë me qindra telefonata për raste dhe incidente kriminale, për vjedhje dhe grabitje, për shpërndarës dhe trafikantë droge, për raste të ndryshme dhe vepra të ndryshme kriminale. Por vetëm në pak raste, duke i diferencuar ato, policia vendos t’i ndjekë ligjërisht. Vetëm në pak raste policia vendos të merret seriozisht me elementin kriminal, vetëm në pak raste policia vendos të veprojë, pasi në shumicën e rasteve policia gjendet palë dhe ortake, me ata të cilët qytetarët i denoncojnë. Kjo situatë kaq e nderë është edhe në Elbasan, në qytetin rekord të papunësisë dhe të problemeve sociale, të përdoruesve të drogave dhe veprave të tjera kriminale. 

Rrëfimi tronditës i punonjësit të policisë

Një punonjës i policisë, në Komisariatin e Elbasanit, duke dashur të mbetet anonim, pasi e pëson me jetën dhe familjen e tij ka deklaruar për “Telegraf” se, “situata në institucionin ku unë punoj është dramatike, në radhët e policisë në Elbasan ka persona që nuk kanë patur lidhje kurrë me strukturat tona, ka persona të lidhur me segmente të trafikut dhe mbrojtës të elementëve kriminalë, ka persona që prej 25 vitesh, janë përjashtuar për “shkelje ligjore, shpërdorim detyre dhe vepra kriminale” dhe që pasi kanë paguar milionat janë rikthyer dhe sot janë kapot e këtyre strukturave, duke dekonspiruar aksionet tona, dhe duke u puthur me drogaxhinjtë dhe rrugaçët”. Duke vazhduar rrëfimin e tij tronditës, polici që shpesh është vënë në “rreth” për t’u transferuar nga Elbasani drejt ndonjë poste të largët policie, pasi shikohet si person i padëshirueshëm nga të lidhurit me korrupsionin, mëson se gjithçka brenda godinave të komisariatit të policisë funksionon sikur të ishte viti 1997. 

Situata, jashtë kontrollit

Duke vazhduar rrëfimin e tij, polici u shpreh se “kemi mbi 2 vjet që situatën nuk e kemi nën kontroll, nuk e kemi nën kontroll në lagjet e qendrës dhe lagjet periferike, nuk kemi nën kontroll as shkollat dhe as qendrat e tjera publike, aksionet tona dekonspirohen, aksionet tona ngjajnë me lojërat e adoleshentëve. Shkojmë me patrullat tona në adresat që marrim nga salla operative dhe atje gjejmë rrugaçë, elementë me precedentë penalë, drogaxhinj, që na shajnë, na pështyjnë dhe së fundi pasi flasin me celularë, takohen dhe puthen me shefat të cilët na urdhërojnë se “ikni mos bëni alarm kot, janë çuna të mirë, i njoh unë”. Sipas tij, “në sytë e qytetarëve, policia po shihet si mbrojtëse e rrugaçëve, si mbrojtëse e të korruptuarve, e drogaxhinjve, po shihet si bashkëpunëtore e tyre, dhe kanë humbur besimin tek uniformat blu, kemi me qindra raste kur kemi ndaluar elementë kriminalë, sekserë të korrupsionit, por dhe shpërndarës droge dhe brenda 2-3 orësh ata kanë dalë nga dhomat e izolimit me urdhër nga lart, duke na sharë dhe ofenduar në oborrin e komisariatit”. 

Rrëfimet e qytetarëve

Rrëfimin e policit, të mbetur fatmirësisht jashtë përfshirjes në afera dhe rrjete kriminale, e plotësojnë edhe opinionet e shumë qytetarëve të Elbasanit. Edhe ata shprehen se “ndjehemi të braktisur dhe të frikësuar, rrugicat, ish-vendstrehimet dhe hyrjet e pallateve në lagjet tona janë kthyer në vendet ku drogohen të rinjtë, kurse ne njoftojmë policinë dhe shikojmë se uniformat blu vijnë dhe puthen me drogaxhinjtë, puthen me elementët kriminalë, duke na lënë ne të merremi me rrugaçët, ose të bëjmë incidente dhe vetëgjyqësi, kjo është policia që premtuan ata të “Rilindjes”, kjo është policia që premtuan se do të ishte garantuesja e rendit dhe qetësisë, kur çdo ditë goditen të pafajshmit dhe hallexhinjtë, dhe mbrohen shkelësit e ligjit dhe ata që kryejnë vepra kriminale, kur shkollat tona janë kthyer në vende ku trajnohen rrugaçë dhe jo shkollarë, deri kur do të durojmë këtë situatë e cila po mbyt gjithçka të bukur në këtë vend, së fundi po mbyt edhe shpresën”. 

Belshi, hambari i duhaneve; fermerët me sytë nga hashashi

Ndërkohë situata paraqitet e rënduar ekonomikisht, por edhe nga pikëpamja e rendit dhe qetësisë edhe në zonën turistike të Belshit në qarkun e Elbasanit. Atje si pasojë e mbetjes stok të qindra e mijëra ton me duhane, po i detyron 2800 fermerët t’i groposin duhanet e tyre dhe t’i kthejnë sytë nga bari i hashashit. Një fermer nga Belshi tha se “qeveria po na detyron të dalim nga binarët, nuk kemi asnjë të ardhur financiare veç parave nga duhanet, kemi mbetur si peshku pa ujë, asnjë ndihmë, asnjë lajm e sugjerim nga qeveria si do të shkojë halli ynë, jemi zhytur në borxhe dhe askush nuk pyet për ne”. Kjo për faktin se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të ndihmuar fermerët tradicionalë të duhaneve, duke u hapur rrugën kontrabandistëve të cigareve. Përballë kësaj situate sërish qëndron heshtja që flet shumë, ajo e policisë. Ajo ka edhe atje levat e saj, ka edhe atje njerëzit e saj, të cilët nuk i prek dhe nuk ka ndërmend ti prekë pavarësisht se nga Belshi vijnë çdo ditë në sallën operative me dhjetëra telefonata që njoftojnë se në fshatrat e zonës ka parcela të mbjella me hashash. I njëjti burim policor tha se “të paktën në mbi 10 raste jemi kthyer nga rruga edhe kur jemi nisur drejt Belshit, kur na ka njoftuar salla operative se kemi sinjalizime dhe telefonata se ka parcela me hashash atje, pikërisht ka qenë një urdhër ardhur me celular që na ka kthyer, duke na thënë “nuk është informacion i saktë, kthehuni”. Ky është keqpërdorimi më i madh, që po i bëhet uniformave blu, tallja me ata që besojnë se vërtetë janë zbatues të ligjit dhe përdhosja e detyrës nga ata që janë lidhur dhe marrin përfitime nga shkelësit e ligjit. Në Belsh aktualisht janë mbi 2800 fermerë duhanesh, që kanë në hambarët e tyre qindra e mijëra ton me duhan të pa shitur, pasi as qeveria dhe as firma e huaj nuk i ble me çmimin e tregut, por tallet me ata. Përballë kësaj situate, të gjendur mes heshtjes dhe indiferentizmit të qeverisë, fermerët e asaj zone për t’i shpëtuar varfërisë ekstreme dhe për të siguruar bukën e gojës, duket se po marrin parasysh edhe rrezikun e ndjekjes penale, burgosjen duke kthyer sytë nga mbjellja e hashashit. Kjo situatë ka sjellë degradimin dhe mashtrimin që kjo qeveri ka bërë me politikat, e gjoja “ndihmës së fermerëve që mbjellin duhane dhe kultura të veçanta bujqësore”, pasojë e të cilës është sot gjendja e mjerueshme ekonomike, në të cilën ndodhen jo pak, por mbi 2800 fermerë në zonën e Belshit. 
Sigal