Zbardhen datat, ja kur do të zgjidhet Presidenti i ri në Kuvend

486
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës me shumë gjasa pritet të ndodhë mes datave 3 dhe 18 maj, por vendimi për këtë pritet të merret nga grupet parlamentare të Kuvendit.
Ekspertë ligjorë të parlamentit sqaruan për ATSH se nisur nga afatet e përcaktuara në Kushtetutë zgjedhja e Kreut të Shtetit do duhej të ndodhte në mes të muajit qershor. Por, meqë kjo ngjarje përkon me zgjedhjet parlamentare të radhës më 18 qershor, procedurat mund të zhvendosen në muajin maj, konkretisht në gjysmën e tij.
Përfundimi i mandatit të Presidentit aktual në muajin korrik ka nxitur shumë herët debatet për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit.
Një ditë më parë ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, gjatë një interviste në kanalin “Channel One”, deklaroi se nuk ka asnjë shans që presidenti i ardhshëm të jetë një emër nga Partia Demokratike.
“Nuk mund të them ende se cilët do të jenë kandidatët, por jam i sigurtë se vetëm nga PD nuk mund të dalë presidenti që do të zgjidhet së shpejti”, duke hedhur poshtë zërat për një kompromis të mundshëm me opozitën.
Sipas Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.
Sigal