Neritan Ceka: “Bujaria” e zyrës së BE-së në Tiranë që sjell pazaret me 6 milionë euro të ministrisë…

312
Sigal

Një nga zërat më të fortë në mbrotje të trashëgimisë, arkeologu Neritan Ceka nuk ka ndalur së denoncuari, dhe vënien para përgjegjësisë të institucioneve që merren me Monumentet; por si duket në një mjedis korruptiv, nga aferat e dyshimta të zyrtarëve të lartë, arkeologu sot është nga zanatet më të vështira, i shpërfillur, i përjashtuar nga ajo që quhet “kërkim shkencor”, zëvendësuar me punonjës të firmave të ndërtimit…

  1. Ceka herën e fundit, në bisedën tonë të gjatë, dy vite më parë, ndamë shqetësimin tuaj, se si ministrja e atëhershme e Kulturës, Mirela Kumbaro kishte shpërfillur projektin tuaj, për rehabilitimin e varreve të Selcës, projekt i financuar nga BE me 250 mijë euro. Janë të rrallë zëra si ju, në ditët e sotme, kur po shuhet profesioni i arkeologut. Ndërsa BE po tregohet mjaft bujare në fondet e dhëna për trashëgiminë tonë, kujtojmë Butrintin, Bylisin, Apoloninë së fundi…por, në të vërtetë si po përdoren këto para, si janë investuar në trashëgimi?

Të ashtuquajturat investime te fondeve të BE në fushën e arkeologjisë besoj se janë modeli më i keq, që na janë ofruar nga një organizmë, që për shqiptarët ka qenë modeli i së përsosurës në lëmin e efikasitetit dhe korrektesës. Shembulli i varreve monumentale të Selcës përbën vetëm një episod, që për fat të mirë përfundoi me një happy end. Duhet t’i kujtoj lexuesit tuaj daljen pompoze rreth tre vjet më parë të ambasadores se BE Vlahutin dhe ministres i të kulturës  në sfondin e varreve monumentale mbretërore ilire të Selcës së Mokrës, me premtimin se Delegacioni i BE do të investonte atje 250 000 euro. Si autor i gërmimit të këtyre monumenteve unike shpreha menjëherë shqetësimin për ndërmarrjen e një projekti të tillë, pa pyetur Institutin e Arkeologjisë, si i vetmi organ shtetror i specializuar, dhe as arkeologun që i kishte gërmuar dhe studiuar ata monumente. Në një takim që pata me ambasadoren i paraqita pasojat komprometuese të projekteve të tilla, që ishin ndërmarrë deri atëherë në Butrint, Finiq dhe Apolloni dhe që kishin si metodologji të njejtë rrugë: përzgjedhjen nga organizmat e BE si “institucion i specializuar” të Institutit të Monumenteve. E sqarova ambasadoren, se që prej disa vitesh, ky institut i themeluar nga një brez i shkëlqyer profesorësh në fushën e kujdesit dhe studimit të trashëgimisë kulturore, si prof. G. Strazimiri, prof. E. Riza, prof. A. Meksi, prof. A. Baçe, prof. H. Nallbani, etj, ishte kthyer në një organizatë të partisë në pushtet, pa asnjë kërkesë kualifikimi shkencor. Negocimi dhe monitorimi prej tij i fondeve të BE në Apolloni ishte jo vetëm një shembull krejt i dukshëm i moskompetencës dhe injorancës në fushën e restaurimit dhe menaxhimit të vlerave arkeologjike, por ngrinte dyshime të arsyeshme për korrupsion. Taksapaguesit europianë që kanë dhuruar 800 00 euro për krijimin e një ambienti europian në Apolloni, pyesnin me të drejtë, se ku shkuan këto para, kur detyroheshin të prisnin në pikë të diellit para hyrjes dhe biletarisë ( edhe ato të paguara nga Fondi Amerikan Shqiptar), pastaj të kalonin nëpër përrenj për të shkuar tek monumentet (ku edhe tabelat janë vendosur nga ekspedita shqiptare-franceze), ku nuk shihet asnjë ndryshim nga gjendja e mëparshme, përveç disa tubave të kuq që ngrihen nga nëntoka, duke shqetësuar pamjen e monumenteve. Vizitori do të habitet, kur ta sqarojnë se ato janë hidrantet, që duhet të sjellin ujin nëpër një rrjet tubash, që vjen nga një depo betoni prej disa dhjetra metro kub, e ngritur mbi murin rrethues të qytetit. Sipas projektuesit, të këshilluar nga militantët partiakë të Institutit të Monumenteve, këta hidrantë do të shërbenin për shuarjen e zjarrit, që mund të ndodhte në qendrën monumentale. Por po të pyeteshin punonjësit e Parkut Arkeologjik, apo të Ekspeditës shqiptare-franceze që punojnë aty që prej 30 vjetësh, do të kishin mësuar se zjarri nuk mund të bjerë kurrë midis monumenteve, për arsyen e thjeshtë, se bimësia pastrohet atje në mënyrë sistematike përgjatë gjithë vitit. Sikur të mos mjaftonte një marrëzi e vetme, projektuesit “gjenialë” të paguar nga zyra e Delegacionit të BE në Tiranë, në konsultim me partiakët “gjenialë” të Ministrisë së Kulturës vendosën një derdhje tjetër betoni, duke krijuar një parking një kilometër larg hyrjes për në qendrën e vizitave. Për të arritur tek ai parking duhen rreth 3 km rrugë, që kalon përmes një zone arkeologjike, ku do të kërkohen edhe nja dhjetë vjet gërmime, pa e ditur rezultatin, në se do të lejohet kalimi. Shkurt, në shqip kjo quhet rrush e kumbulla. Për zyrën e BE ishte padyshim një “sukses” i mbështetjes politike për organizmat paralele të partisë në pushtet, që përbën strategjinë e saj kryesor që prej disa vitesh. Kjo, sepse e njejta rrugë, me të njejtët persona, si nga Zyra e BE, ashtu edhe nga Ministria e Kulturës, u ndoq edhe për nisjen e një projekti edhe më të madh, kësaj here prej 6 milion eurosh, për Parkun Arkeologjik të Bylisit. Për të mos pasur edhe kësaj rradhe asnjë bezdi nga specialistët, u përjashtuan nga projekti të gjithë ata që kishin zbuluar Bylisin dhe që vazhdojnë ende, të vetëm, kërkimet arkeologjike në këtë qendër të mrekullueshme të qytetërimit ilir. Vetëm se kësaj rradhe “specialistja” e zyrës së BE përdori një stratagemë. Solli në Institutin e Arkeologjisë një paçavure të quajtur projekt, në emrin e “Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit” të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të “pergatitur” nga brigada e pastrimit të barërave të këtij parku, që u redaktua “free of charge “ nga tre profesorë të Institutit të Arkeologjisë që punojnë në Bylis. Pas kësaj “specialistja” vuri emrat e këtyre profesorëve në projekt dhe Zyra e BE në Tiranë dhe përmes ambasadorit deklaroi se ata që kanë punuar për projektin përjshtohen nga drejtimi i tij “për konflikt interesi”. Pra përjashtohen profesorët bashkë me barkorrësit e parkut! Shumë të hollë këta europianët! Siç i thonë, Europa nuk bëhet pa Siçilinë!

Më duket paradoks, kur arkeologjia shqiptare financohet me 30 mijë euro në vit, kur 250 mijë euro shkojnë në Selcë nga BE, 750 mijë euro çojnë në Apoloni përsëri nga BE, dhe 6 milion në Bylis prap nga BE…çfarë po ndodh me trashëgiminë, si mund të punojë një arkeolog sot, kur raportimet për shkatërrime nuk kanë lëvizur nga shifra e 20 viteve më parë?

Nuk është thjesht çështje fondesh, sepse në total shpenzohen sot dhjetë herë më shumë se në kohën e diktaturës, por kemi dhjetë herë më pak rezultate. Ajo që vuan më shumë është pjesa e kërkimit shkencor, që është edhe krijuesja e pasurisë arkeologjike të parqeve kombëtare në Durrës. Apolloni, Bylis, Amantia, Orikum, Butrint, Finiq, Lezhë e Shkodër. Mund të imagjinoni se vetëm nga Parku Arkeologjik i Butrintit vilen çdo vit 1 milion euro nga turistët, ndërkohë që rreth njëzet ekspedita arkeologjike që organizohen nga Instituti i Arkeologjise financohen vetem me 50 000 euro. Arkeologët shkojnë në gërmimet e tyre pa dieta, me makinat e tyre pa marrë as lekët e karburantit, pa ju paguar hotelin. Ajo që ishte një mundësi mbijetese në fillim të viteve ’90, përmes bashkëpunimit me vendet e huaja, po kalon një fazë absurditeti sot, kur kolegët tanë të huaj na paguajnë diçka që na detyrohet shteti shqiptar. Ndërkohë asnjë ekspeditë konservuese e restauruese e Institutit të Monumenteve nuk ka shoqëruar prej vitesh kërkimet arkeologjike në Bylis, Apolloni, Antigone, Lezhë, etj, siç ka qenë praktika e zbatuar nga restauratorët e njohur të atij Instituti, K. Zheku, L. Papajani, G. Pani, E. Haxhiraj etj. Dhe absurditeti qëndron në faktin që pikërisht asaj kënete i akordohen fondet qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga zyra e saj që mban emrin Delegacioni i BE.

Në fakt nuk do të kishim nevojë për asnjë investim të dyshimtë të BE në arkeologjinë tonë, në se do të përdornim fondet që rrjedhin nga puna e akumuluar e arkeologëve që prej një shekulli, që nga Leon Rey, Luigi Ugolini, Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Skënder Anamali, për të përmendur vetëm pionerët e zhvillimit të kësaj shkence në Shqipëri. Vetëm të ardhurat e Butrintit dhe Apollonisë, të administruara sipas rregullave në fuqi, do të mjaftonin për të mirëmbajtur pasurinë arkeologjike dhe për të vazhduar ritmin e kërkimeve, të domosdoshëm për zgjerimin e parqeve egzistues, por edhe për krijimin e parqeve të reja. Vetëm Butrinti ka, sot, të depozituar nga ky fond rreth një milion euro, ndërkohë që kërkimet atje vazhdon ti bëjnë dy ekspedita të Institutit të Arkeologjisë, duke u financuar kryesisht nga universitete të huaja. Vetë Ministria e Kulturës në vend që t’i financojë këto kërkime dhe të krijojë grupin e saj të konservimit e restaurimit, ka shikuar si zgjidhje kthimin e Parkut të Butrintit në një PPP!

Si e shikoni gjendjen e Institutit të Monumenteve, nën një emërtim tjetër, sot?

Quhej deri tre vjet më parë Instituti i Monumenteve “Gani Strazimiri”, por u ndryshua me emrin e shpifur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Kështu ndodh me gjithë ata që mendojnë se historia fillon me emrimin e tyre nga partia, por jam i sigurtë që emri, me të cilin bëri të njohur kulturën tonë në të gjithë botën, do të rikthehet! Si një nga themeluesit e atij Instituti në vitet ’70, kur mori formën e plotë me stautin shkencor, revistën “Monumentet”, departamentet, atelietë rajonale dhe rreth njëzet ekspedita e projekte vjetore në fusha që shtriheshin që nga arkeologjia, tek monumentet e kultit, afresket e ikonat, veprat inxhinjerike, qytetet muze e arkitektura popullore, nën drejtimin e personaliteteve të jashtzakonshëm si prof. Gani Strazimiri e prof. Selim Islami dhe me një gjeneratë të nivelit europian të restauratorëve e studiuesve të arkitekturës, shoh me dhëmbje një gërmadhë të vërtetë, ku po varroset jo vetëm ajo traditë e shquar, por edhe një brez i tërë të rinjsh, që trajtohen si ushtarë të partisë në pushtet. Ai institut, që kishte dhjetë vjet më parë shtatë profesorë, nuk ka sot as doktorë shkencash dhe drejtohet nga dikush që jo vetëm nuk ka gradë shkencore, por nuk ka shkruar asnjë artikull në revistën Monumentet që prej shtatë vjetësh që “drejton” atë institut. Besoj se një ditë dikush do të japë llogari për këtë veprim të mbrapshtë antikombëtar, që ka pasur si pasojë humbjen e një pjese të mirë të pasurisë sonë kulturore, veçanërisht të pikturës murale, monumenteve të kultit dhe arkitekturës popullore. Është më të vërtetë e çuditëshme se si kjo gërmadhë e kulturës shqiptare konsiderohet nga Zyra e BE në Tiranë si partneri kryesor për shpenzimin e parave të taksapaguesve europianë! Por, siç thuhet, asgjë nuk është e rastit!

Reforma në trashëgimi kulturore ka pasur një debat, paraprirë nga ajo që sot e quajnë partneriteti publik-privat, por që në fakt menaxhimi i sotëm e ka përkeqësuar situatën, sidomos kur shohim skemën se si përdoren fondet…Çfarë janë rrëzuar konkretisht? Me gjithë këto probleme si mund t’i mbrojë ligji shqiptar, i 2018-ës, monumentet?

Nuk ka pasur një reformë në trashëgiminë kulturore dhe nëse, si e tillë konsiderohen nenet e ligjit të vitit 2018, kjo mund të ishte një kundërreformë. Ky ligj, që thonë se është marrë nga Bullgaria, është në kundërshtim jo vetëm me traditën e gjatë dhe pozitive të krijuar prej më se një shekulli që nga fillimi i veprimtarisë moderne në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, por edhe me modelet e vendeve fqinje me të njejtën natyrë trashëgimie. Sipas këtij ligji anadollak të gjitha organizmat që kanë si tagër punën me trashëgiminë varen direkt nga ministri. Pra, drejtoritë rajonale veçmas, parqet dhe muzetë arkeologjikë ne territorin e tyre veçmas, Instituti i Monumenteve veçmas. Në një shtet modern si Italia dhe Greqia, në një territor që përputhet me atë të një rajoni, që do të ishte Puglia për të parën, apo Epiri për të dytën, ato përfshihen në një agjenci të vetme, që varet nga Ministria e Kulturës, e cila bën politika, por jo menaxhim.  Nuk mjafton kjo, por ligji nuk përcakton asnjë kriter për punonjësit e atij sistemi në të gjitha nivelet, që do të kërkonte një kualifikim dhe përgjegjësi të lartë profesjonale.

Jo pak raste nga qytetet e vogla të vendit janë denoncuar për lënien në harresë, që po shkojnë drejt degradimit monumente shekullore të kulturës, për të cilat qeveritë njëra pas tjetrës as që janë kujtuar ndër vite. Duke parë fenomenin, një rast, ndër të tjerë, si ajo e Urës së Kamarës në Librazhd, është bërë projekti qysh më 2018, por as sot nuk bëhet e ditur se kur do realizohet ky projekt nga IMK. Peqin, Belsh, farë afër Tiranës kanë tentuar vjedhjen e afreskeve të kishës Shën Premte në Mokër, janë denonvuar gërmime klandestinë në kishën 1200 vjeçare në Dajt etj etj, çfarë po ndodh me trashëgiminë?

Eshtë thënë se kur vendosen njerëz rrumpallë për të administruar një pasuri, ajo do të shkatërrohet. Pasojat po i shohim çdo ditë dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka evidentuar vetëm një çikërrimë prej tyre. Rasti i kishës së Brrarit është skandaloz, sepse është një monument që lidhet me fazën e hershme të krijimit të shtetit të Arbërit, në një vend që është vetem 20 minuta larg kryeministrisë dhe Kuvendit. Veç kishës aty ka edhe një grup monumentesh të tjerë, duke përfshirë edhe kalanë e periudhës së Bronzit në Tujan, gjurmët e rrugës mesjetare të Arbërit bashkë me ullinjtë mijëvjeçarë, Ura e Brrarit, kanionet e lumit të Tiranës dhe faqet shkëmbore për ngjitje alpinistike. Për fat të mirë, përveç verbërisë së Ministrisë së Kulturës, që i ka këto vlera vetëm 10 minuta larg, aty afër gjendet shoqata “Fundjava ndryshe” që sapo ka përgatitur një projekt në bashkëpunim me prof. Skënder Muçaj, specialist i asaj periudhe. Për fat të mirë, përveç asaj ministrie që me bujarinë e Zyrës së BE në Tiranë nuk e ul pazarin poshtë 6 milion euro, ky komb ka ende disa djem e vajza vullnetarë, ashtu siç ka edhe disa shkencëtarë që nuk të shikojnë nga duart dhe që nuk punojnë për firma ndërtimi.