Xhevat Mustafa: Shqiptarët të fundit e Europës Analiza/ Të mashtrosh vetveten, marrëzi dhe ligësi. Në 28 vite pluralizëm politik ,jemi ende si në vitet 1990. Në këto 75 vjet nuk kemi pasur as të majtë dhe socializëm dhe as të djathtë dhe kapitalizëm të vërtetë, por një “ccorbë” alla lindore, alla shqiptare që I shkon për shtat serbëve dhe grekërve.

466
Sigal

Të mashtrosh vetveten, marrëzi dhe ligësi

Në këta 75 vjet nuk kemi pasur as të Majtë dhe socializëm të vërtetë dhe as të Djathtë dhe kapitalizëm të vërtetë, por një “çorbë” alla lindore, alla shqiptare, “e mirë dhe shijshme” më shumë për serbët dhe grekët se sa për ne shqiptarët.

Nga Xhevat Mustafa

Fakti që edhe sot e kësaj dite, edhe pas rreth 27 vitesh në pluralizëm politik, jemi pothuajse siç ishim në mes-tetor 1990 apo 1992, i shtyn shumë shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë të pyesin vetveten dhe njeri-tjetrin:

  • More, përse jemi në këtë gjendje, të fundit në Evropë për standardet e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të mirëqenies, të demokracisë dhe shtetit ligjor të vërtetë, integrimit në BE, dhe ndër të parët, për tregues negativë apo për të këqija?
  • Kemi një vend me pasuri të mëdha nën dhe mbi tokë; klimë shumë favorizuese për kultivimin e artikujve bujqësore dhe të frutikulturës në të të katër stinët, diell rreth 9 muaj; mundësi për turizëm detar dhe malor gjatë 365 ditëve të vitit..?
  • Po përse nuk na kanë ndihmuar të gjitha këto pasuri, resurse, potenciale të ishim shumë më mirë, jo kaq prapa vendeve që nuk i kanë këto pasuri në nivelin tonë dhe që më 28 Nëntor 1912 dhe 29 Nëntor 1944 nuk ishin kaq shumë para nesh?

Sipas meje, përgjigjet mund të kërkohen dhe gjenden në tre drejtime:

  1. Tek vetvetja,
  2. Tek fqinjët antishqiptarë deri në histeri dhe monstruozitete,
  3. Tek sistemi.

 

Për të mos u kthyer shumë pas në histori e për të mos hyrë në “tunelin mbushur me mashtrime të Enver Hoxhës”, do të kufizohem në harkun kohor pas 11 dhjetorit 1990, që nis dhe përkon me krijimin e PD-së. Kam pasur atëherë dhe vazhdoj të kem edhe sot bindjen se Ramiz Alia e lejoi krijimin e PD-së jo për të shpëtuar shumicën e popullit dhe vendin nga gremisja e pandalshme drejt një humnere, ku fundi mund të ishte tmerrësisht katastrofik apo tsunamik. Tani, kur “frytet” e skenarit të tij janë të bollshme dhe të kudondodhshme, mund të thuhet pa mëdyshje se ai ka menduar kryesisht për vazhdimësi dhe trashëgimi të pushteteve dhe të pasurive nga baballarët, xhaxhallarët, dajallarët… tek bijtë e bijat, nipërit dhe mbesat, nuset dhe dhëndurët… Për të qetësuar revoltën e rinisë dhe të shumicës së qytetarëve ai nuk kishte rrugë tjetër, veçse të lejonte pluralizmin politik me sa më pak dëme dhe hakmarrje për atë personalisht, si ekip, Bllok, klan, si parti e trashëgimi “e majtë” dhe me sa më shumë besueshmëri tek populli dhe miqtë e vërtetë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Merret me mend se ai duhet të kishte vrarë mendjen edhe për të gjetur edhe njerëzit e duhur për ta ndihmuar, me dijeni apo pa dijeni, me apo pa marrëveshje paraprake, për të kaluar në gjasme pluralizëm, gjasme demokraci dhe gjasme kapitalizëm…Kështu ai mund të quhet dhe llogaritet si arkitekti apo sajuesi i mashtrimit të madh të shqiptarëve e të vetvetes:

  • Me përrallën e krijimit të “opozitës së djathtë”,
  • Me alibinë e krijimit të PS duke i ndërruar vetëm emrin PPSH-së;
  • Me iluzionin e shembjes së komunizmit dhe të kalimit në kapitalizëm.

Parë dhe analizuar nga shumë anë ky ishte një mashtrim i madh, më shumë i vetvetes se sa i botës, sidomos i miqve ndërkombëtarë historikë, të cilët, mund të thuhet se në atë gjendje që na shikonin në atë kohë, ka shumë gjasa të ndienin mëshirë e keqardhje për ne më tepër se sa ne për vetveten. Merret me mend se mëshira dhe keqardhja e tyre ishin më të larta se ato pikëza njerzillëku, vrasje ndërgjegjeje, pendese, reflektimi, kthese…,që mund të kishte në shpirtin katran të Ramiz Alisë dhe të “aktorëve” që e ndihmonin për të inskenuar skenarin e tranzicionit alla lindor, alla katovician, alla shqiptar. Afërsisht, skenari i Ramiz Alisë mund të përmblidhet i fantazuar në këtë formë. “Mos u trembni!

-Do të bëjmë vetëm disa ndryshime për sy e faqe, kozmetike, grimi.

-Do të krijojmë disa parti “të djathta” e “të qendrës së djathtë”, madje edhe pasardhëse të “Ballit” dhe “Legalitetit”.

-Do të mbyllim sytë e veshët kur të na mallkojnë dhe shajnë, edhe nga Enveri apo do të rrëzojnë monumente e buste të tij, të Leninit, Stalinit…

-Do të lejojmë kthimin në Shqipëri të mbretit me familje…

Do t’i lëmë për disa mandate këto parti e partijëza të na e “rrëmbejnë” pushtetin politik.

-Do të ketë për ne kjo periudhë më shumë të mira se sa të këqija, sepse, e shumta, mund të na prekin, për propagandë, ndonjë qime floku e mund të na hyjë në këmbë ndonjë gjemb i vogël, pa dhimbje të mëdha e të zgjatura…

-Gjatë atyre viteve që do të jenë partitë e të “djathtës” në pushtet, nuk do të kenë mundësi të bëjnë mrekullira dhe shumë punë më të mira se sa ne. Kjo, edhe sepse:

  1. a) do të preken rëndë jo pak nga liderët e tyre nga viruset e korrupsionit,
  2. b) sepse do të “tërbohen” nga privilegjet e kolltukëve,

c)sepse “kuajve të Trojës” do t’ua tërheqim sa herë të duam frerët, kur të harrojnë padronët.

Kështu, këta pushtetarë me tesera dhe maska të djathta, do të na ndihmojnë që të zhgënjehen plot nga ata që i kanë mbështetur dhe votuar. Ne do të kemi të drejtë dhe alibi t’u themi të gjithëve: “E patë? Edhe këta të së “djathtës janë njësoj si ne. I deshët të djathtën dhe kapitalizmin? Ja, kjo është e djathta dhe kapitalizmi i saj”.

Ndërsa pushtetin ekonomik nuk do t’ua japim kurrë. Këtë do ta kapim qysh në fillim, duke kredituar dhe financuar për të nisur biznese private kryesisht njerëz nga ana jonë dhe nuk do ta lëshojmë më…

Pas kësaj paranteze hipotetike, por jo fort larg të së vërtetës, bëhet e kuptueshme se,

– me ligje si 7501,

-me schock-terapinë,

-me lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve në të gjithë vendin,

-me mbushjen e zyrave të shtetit dhe të qeverisjes me militantë partiakë gjysmë-analfabetë dhe me“demokratë” me lidhje të hapura e të fshehta me regjimin komunist etj.

Të gjitha pushtetet , pasuritë kombëtare, pronat…do të kalonin nga duart e gjyshërve, baballarëve, dajallarëve, xhaxhallarëve, hallave, tezeve…në duart e bijve dhe bijave, nipërve e mbesave, nuseve dhe dhëndurëve…Ndërsa qytetarët e thjeshtë do të gënjeheshin me “thërrime”, “çamçakëzë”, “coca-cola”, bluxhinse, minifunde, televizorë me ngjyra, liri më të madhe për lëvizje brenda vendit, duke zaptuar masivisht edhe pronat e pronarëve të ligjshëm e ato shtetërore si dhe për emigracion … PS-ja e dikurshme dhe “Rilindja” e sotme duhet t’i jenë mirënjohës Enver Hoxhës edhe për “investimin e tij historik” të eliminimit fizik e politik të përfaqësuesve gjenetikë të së djathtës. Kjo u realizua prej tij duke vrarë e varur gjyshërit dhe baballarët dhe duke thyer e “blerë” me të drejta studimi, pasaportizimi dhe punësimi në qytete jo pak nga bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat e tyre, nuset dhe dhëndurët. Njëkohësisht, me këtë investim, Enveri u ka injektuar “të majtëve alla shqiptarë” urrejtje histerike ndaj të djathtës. Krahas kësaj, u ka dhënë në dorë edhe kartën demagogjike, propagandistike apo alibinë të qahen dhe ankohen se “tek ne nuk ka të djathtë”, duke fshehur trashë mungesën edhe të “së majtës evropiano-perëndimore” si dhe dëshirën dhe synimin që të mbetet pafundësisht në pushtet partia e tyre e zemrës, “gjasme e majtë”. Pas 75 vitesh mashtrimesh, nëpërkëmbjesh, dështimesh, zhgënjimesh nga “gjasme e majta shqiptare”, shkaktare dhe përgjegjëse e vetme që jemi në këtë gjendje dhe në rrezik të katandisjes në 1 milion banorë pas rreth 30 vitesh; pa shtet ligjor të plotë, të vërtetë, funksional, të pavarur nga politika; pa opozitë të vërtetë në parlament, pa pluralizëm e demokraci të vërtetë, u takon edhe “të majtëve të vërtetë” të reflektojnë për të ndërruar bindje, krah lëvizjeje dhe vote, sepse përndryshe do ta pësojmë të gjithë edhe më keq se në këta 75 vjet!

Sipas meje, në parim, të jesh sot enverist, “i majtë alla shqiptar” shpreh besnikëri dhe partishmëri të verbër apo të çmendur ndaj një partie që të ka mashtruar, tradhtuar, kafshërisht-trajtuar jo një herë, por 78 vite me radhë. Edhe kali, mushka, pela, gomari, qeni, macja…, kur janë sulmuar një herë nga një gjarpër, ujk, ari…, nuk e harrojnë nga mund t’u vijë e keqja dhe shpejt ndërrojnë drejtim e rrugë. Duhet të kemi kurajën dhe burrërinë të pranojmë se e keqja jonë është sistemi. Në këta 75 vjet nuk kemi pasur as të majtë dhe socializëm të vërtetë dhe as të djathtë dhe kapitalizëm të vërtetë, por një “çorbë” alla lindore, alla shqiptare, “e mirë dhe shijshme” më shumë për serbët dhe grekët se sa për ne shqiptarët. Socializmi dhe kapitalizmi i vërtetë gjenden prej dekadash në harmonizim strategjish, programesh, politikash zhvillimore, sociale, arsimore, shëndetësore, ndërkombëtare, në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore, në SHBA, Kanada, Malajzi, Singapor, Zelandën e Re, Australi, Korenë e Jugut, Japoni… Ne shqiptarët në këta 75 vite kemi treguar se besojmë më shumë tek partitë, përrallat, premtimet dhe mashtrimet e tyre se sa tek Zoti, tek vetvetja, sytë e veshët tanë, duart dhe kuletat tona; raftet, frigoriferët dhe tavolinat tona të ngrënies… Se po të të ndodhte e kundërta, nuk do ta hanim kaq lehtë dhe kaq gjatë sapunin për djathë, nuk do t’i besonim dokrrat e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Sali Berishës, Edi Ramës…për “fitore historike”, “suksese madhështore”, “transformime epokale”, “rilindje”, “rekorde historike”…, kur nuk kemi pasur dhe nuk kemi rritje, të paktën me 4-5 fish, të pagave, pensioneve, të mbështetjes sociale…dhe kur sot, më 17 tetor 2019, kemi rritje çmimi me rreth 2-3 fish të shumicës së artikujve kryesorë të ushqimit të përditshëm dhe të fruta-zarzavateve në krahasim me 6 vite më parë. Të mburresh se ke arritur “suksese spektakolare” mbështetur në faktin se kanë pasur rritje marramendëse të fitimeve e të nivelit të jetesës rreth 25-30% e popullsisë, kryesisht falë pagave të larta dhe zarfeve të fryrë nga postet dhe punët nëpër zyrat e shtetit e të qeverisjes; nga qindra miliona euro që u janë falur në formën e tenderëve, koncesioneve, PPP-ve, që qelben era korrupsion, nuk është as e sinqertë dhe e besueshme, as e drejtë dhe njerëzore… Kjo është poshtërsi lakuriqe, cinizëm, demagogji, mashtrim, ngopje e shumicës së qytetarëve me shifra të rreme e të fryra, d.m.th., me lugë bosh. Po kështu të reklamosh dhe “të shesësh” për “sukses e fitore” një marrëveshje qartësisht në dobi të diplomacisë dhe interesave të moçme e të reja serbe, si ajo e Novi Sadit, për “Mini Shengenin mini ballkanik”, pa pasur konsultim dhe miratim parlamentar, presidencial, kushtetues…, shpreh jo vetëm mungesë të plotë sinqeriteti, por edhe autokratizëm dhe absolutizëm, të ndjerit në vetvete si pronar (i pahipotekuar) i qeverisë, shtetit, vendit, kombit…

Së fundi, të fajësosh botën dhe opozitën për dështimet e tua individuale dhe ekipore, si ky më i riu, për mundësinë më të madhe të mos hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE as këtë herë, shpreh jo vetëm mungesë sinqeriteti, por edhe bollëk arrogance, papërgjegjshmërie dhe mungese reflektimi.

Me të drejtë, plot qytetarë të thjeshtë janë mërzitur dhe zemëruar nga “JO” paraprake e Francës, Holandës dhe Danimarkës. Por, kur t’u dobësohen këto ndjesi, mund të kuptojnë se kundërshtimi i tyre meriton edhe mirënjohje. Sepse mbart edhe qortim, ndëshkim dhe këshillë për klasën politike dhe për “qeverinë kukull” të Ramës. Pas “JO-së” mund të gjendet edhe këshilla dashamirëse: “Bëhuni seriozë, të përgjegjshëm dhe konstruktivë! Plotësojini me korrektesë dhe ndërgjegje të gjitha “detyrat e shtëpisë”, që ju kemi dhënë!”

Si mund t’ju thoshim “PO”,

-Kur ju nuk keni në standardet bashkëkohore shtetin ligjor, institucional dhe funksional;

-Qeveri, president, parlament, opozitë, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, Kryeprokurori, KQZ…?

-Kur bëni zgjedhje skandaloze si ato të 30 qershorit 2019?

-Kur po na përmbysni me drogë, para të pista, emigrantë, hajdutë vilash, vrasës me pagesë…?

-Në Shqipëri mund të keni me bollëk njerëz që lumturohen kur i mashtroni sy më sy, por, kjo nuk ka për ndodhur me ne, këtu në Bruksel!”.