KESH kryen importe të dyshimta energjie elektrike në korrik

432
Nëpërmjet një njoftimi në datën 21 korrik, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, shpalli ftesën për oferta sipas procedurës së limituar më negocim, për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 24 korrik-31 korrik 2015. KESH ka kërkuar oferta për importin e energjisë elektrike në ngarkesë bazë sipas tre opsioneve, që lëvizin nga sasia 17,982 MWh në 47,952 MWh. Vendimi i korporatës i ka çuditur ekspertët në sektorin energjetik, duke qenë se niveli i hidrocentralit të Fierzës është në kuotën 289 metra, një kuotë më se optimale për sezonin. “Blerja e energjisë është e dyshimtë sepse niveli i Fierzës është në kuota normale dhe ndërkohë OSHEE e ka bërë importin për mbulimin e humbjeve,” i tha BIRN një ekspert energjie që pranoj të flasë në kushte anonimati. “Nuk është niveli [i Fierzës] në rrezik që të blesh energji kur në bursën Hungareze çmimi [në pik] është 90 euro për MWh. Ky është abuzim dhe paaftësi për të menaxhuar kuotën, ndërkohë që importet duhet të bëheshin kur niveli është më i ulët dhe rrezikon furnizimin e klientit tarifor,” eksperti shtoi. I njëjti ekspert shtoi se duke qenë se KESH ka arritur të shesë energji gjatë periudhës se pikut të konsumit në korrik kjo tregon që mund ta mbulojë ngarkesën me prodhim vendas dhe nuk ka arsye pse të importojë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë, kuota prej 289 metra në hidrocentralin e Fierzës është pesë metra më e lartë se mesatarja historike prej 284 metra. Raportet e ERE gjithashtu tregojnë që KESH nuk ka importuar energji elektrike në muajin korrik në të kaluarën. I kontaktuar nga BIRN, zëdhënësi i KESH nuk dha shpjegime mbi arsyen pse po importohej energji elektrike kur rezerva energjetike ishte e lartë, dhe konsumi mund të mbulohej nëpërmjet gjenerimit në vend. Të dhënat e bursës Hungareze të energjisë për datën 23 korrik, tregojnë që çmimi i energjisë elektrike në ngarkesë bazë ishte 70 euro për MWh dhe ai i ngarkesës pik 94 euro për MWh. Në qoftë së KESH do të arrijë të prokurojë sasinë maksimale të kërkuar nga ofertuesit prej 47,952 MWh me çmimin e bursës Hungareze, importi do ti kushtojë furnizuesit publik të energjisë 3,3 milion euro. Në të kundërtën në qoftë se KESH do ta gjeneronte këtë energji nëpërmjet kaskadës së Drinit që ka një kosto prej 1 mijë lek për MWh (7 euro për MWh), duke qenë se edhe rezerva është mbi mesataren historike, kjo energji do të kushtonte dhjetë herë më lirë, ose vetëm 330,000 euro. Ankandi i fundit nuk është hera e parë që KESH akuzohet për keqmenaxhim të rezervës energjetike. Korporata u vu në qendër të akuzave edhe në fillim të këtij viti pasi tepricën energjetike ja shiste tregtarëve të energjisë dhe jo operatorit publik të shpërndarjes, OSHEE. Presioni publik i detyroi të dy kompanitë nën pronësi shtetërore të nënshkruanin një marrëveshje për shitjen e tepricave nga KESH në OSHEE, që vetëm në muajin shkurt gjeneroi një likuidit shtesë në sistemin energjetik, të vlerësuar në 5.2 milion euro.
Sigal